KUR PREFEROHET TË BËHET ULTRAZËRI I PARË NË SHTATZËNI?
Kontrolla e parë sonografike e një gruaje shtatzënë preferohet të bëhet midis javës së 7 dhe të 8 të shtatzanisë, meqë tek në këtë periudhë, përmes ultrazërit, mund t’i marrim informacionet themelore për zhvillimin e shtatzënisë së hershme. Por, çka në fakt mund të konstatojmë lidhur me shtatzëninë në këtë fazë?
Në këtë stad pikë së pari vërehet se a kemi të bëjme me një fryt apo me shtatzëni multiple, gjegjësisht me një apo me dy e më shumë beba, gjë e cila haset veçanërisht pas frytnimit të asistuar apo IVF-it.
Pastaj konstatohen rrahjet e zemrës së frytit, gjë e cila dëshmon se ai tashmë është i gjallë. E në rast të ndonjë shqetësimi të nënës, kontrolla në ultrazë mund të kryhet edhe në javën e 6 të shtatzanisë, kur poashtu mund të verifikohet aksioni i zemrës së fëmiut.
Gjithashtu në periudhën midis 7 – 8 javësh matet gjatësia e frytit dhe përcaktohet termini i lindjes.
Prandaj, një ultrazë në stadet më të hershme të shtatzanisë nuk e ka ndonjë vlerë të veçantë dhe nuk preferohet të bëhet, meqë verifikimi i shtatzanisë mund të bëhet më parë përmes testeve të urinës ose analizave të gjakut.
Dr. Gjina Zeqiri, MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Subpecialiste për infertilitet dhe IVF
Swiss Fertility Clinic – Klinika Zvicerane për fertilitet (Kosovë)
Mob: +383 44 111 934 (Viber/Whatsapp)
Fb: Gjina Zeqiri