Kush është Dr. Armend Agolli ?
Armend Agolli është neurokirurg i njohur ndërkombëtarisht. Pas specializimeve të kryera në Tiranë, Stamboll dhe Suedi, Dr Agolli ka vazhduar punën si neurokirurg në qytetin Umea të Suedisë. Njëkohësisht, ai ka kryer edhe operacione të shumta në Stamboll, Turqi dhe në Kosovë. Ndërmjet tjera, Dr. Agolli njihet si themelues i Qendrës Spinale brenda Qendrës Klinike Universitare të Republikës së Kosovës (QKUK), dhe ka mentoruar dy mjek specialistë të cilët vazhdojnë sot e kësaj dite ta mbajnë këtë Qendër në funksion.
Armendi vjen nga një familje mitrovicase e njohur si intelektuale dhe patriotike. Babai i tij, Basri Agolli, ishte ndër juristët e parë në Kosovë, derisa daja i tij Ramadan Rexha ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, i persekutuar dhe dënuar me 15 vite burgim nga regjimi jugosllav për aktivitetet e tij të kauzës kombëtare. Gjyshi i tij, Jusuf Rexha, ishte mësuesi i parë në Mitrovicë, dhe shkolla fillore në Koshtovë mban emrin e tij. Stërgjyshi i tij, Shaban Rexha, ishte shok i ngushtë i Hasan Prishtinës dhe bashkëpunëtor i Isë Boletinit, Haxhi Zekës, Dan Dorocit e të tjerë.
Edhe Armendi ndoqi hapat e paraardhësve të tij duke kontribuuar në luftën çlirimtare të Kosovës si ushtar dhe mjek i UÇK-së në Koshare. Më tutje, ai kishte vënë themelet e para të shoqatës Nëna Terezë në Mitrovicë në fillim të viteve të 90-ta bashkë me Qenan Qabrën. Ai kishte qenë mjaft aktiv edhe gjatë procesit të shtetformimit përmes sjelljes së deputetëve dhe aktivistëve të njohur suedez në Kosovë, të cilët kanë pasur ndikim të drejtpërdrejt në vetëdijësimin e popullit suedez për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës. . . Më tutje, Dr. Agolli është dekoruar si Ambasador i Kombit nga Republika e Shqipërisë për kontributet e tij mbarëkombëtare. Ai shquhet edhe për aftësitë e tij linguistike duke folur rrjedhshëm katër gjuhë të huaja.
Një veçori tjetër e Dr. Agollit është edhe aktiviteti i tij bamirës. Ai ka operuar falas me dhjetëra pacientë në gjendje jo të mirë financiare. Për më tepër, ai ka financuar shtëpi për familje skamnore në rajonin e Mitrovicës.
Dr. Agolli, i lindur në Mitrovicë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.