Sat. Jun 25th, 2022
© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

KUSH ËSHTË FAJTOR PËR INFERTILITET, GRUAJA APO BURRI?

Një kohë të gjatë është besuar se vetëm gruaja është përgjegjëse për infertilitet apo për sterilitet. E veçanërisht në kohërat e shkuara, por edhe në shoqëritë e sotme primitive, gruaja është konsiderua si fajtorja e vetme pse një çift nuk ka pasur fëmijë.

Madje, në praktikën time shumëvjeçare në trajtimin e infertilitetit, kam hasur në raste kur burri është martuar deri në shtatë herë, edhe pse ai nuk e ka pasur asnjë qelizë të vetme për frytnim të ndonjë gruaje, respektivisht asnjë spermatozoid nuk i është gjetur madje as me operacion. Porse, sipas besimit tradicional të familjes dhe të rrethit, të gjitha gratë e tij kanë qenë fajtore, kurse ai jo. Madje, ishte e pamundur ta bindje edhe vet atë burrë se ai vërtetë ishte steril, përderisa gratë e tij i ishin nënshtruar me vite të tëra maltretimit psikik, qoftë nga ai vet apo nga familja e tij.

Por, kush është vërtetë përgjegjës që një çift nuk mund të ketë pasardhës? Statistikat botërore tregojnë se, në rreth 40% të rasteve fajtor është burri, në 40% tjera gruaja, dhe në rreth 20% të rasteve nuk dihet shkaktari. Andaj, akuzat ndaj grave janë plotësisht të pabaza, madje edhe kur bartëse e problemit të infertilitëtit është vërtetë ajo vet. Sepse, askush nuk ka dëshirë që të vuajë nga ndonjë sëmundje, e veçanërisht jo nga infertiliteti, i cili shpesh shkakton te individi i atakuar vuajtje edhe më të mëdha se sa sëmundja e kancerit.

Prandaj, si burri ashtu edhe gruaja duhet ta kuptojnë sinqerisht dhe maksimalisht partnerin i cili ka problem me infertilitet, të bisedojnë haptas për këtë problem dhe të provojnë bashkarisht ta zgjedhin, pa ndërhyrje të rrethit apo të familjes së ngushtë apo të gjerë. Meqë, ky është thjesht një problem privat, për të cilin në shoqëritë e civilizuara as nuk mund t’i bëhet pyetje çiftit. Madje, partnerëve edhe ashtu iu mjafton vuajtja e vet, kurse, me involvim edhe të rrethit, vuajtja e tyre vetëm sa vjen e shtohet. Por, para së gjithash, nuk do duhej të etiketohej gruaja si fajtorja e vetme pse një çift nuk mund të ketë pasardhës, meqë, askush nuk ka më shumë dëshirë që të bëhet nënë se sa një grua e martuar.

Dr. Gjina Zeqiri MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Magjister, doktor shkence dhe subspecialiste për infertilitet dhe IVF

Leave a Reply

You cannot copy content of this page