Liridon Lika ka doktoruar në Shkenca politike dhe shoqërore

loading...

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, mbrojta e sotshme eshte bërë me anë të videokonferencës, ka njoftuar Lika për albinfo.ch

E Martë, 26 Maj 2020 – 19:35
albinfo.ch

Shqiptarët vazhdojnë të jenë të suksesshëm në diasporë në fusha të ndryshme.

Njëri ndër ta është edhe Liridon Lika, i cili sot ka mbrojtur publikisht doktoraturën në Shkenca politike dhe shoqërore, njofton albinfo.ch.

Lika ka lindur ne Drenas më 1985. “Tani jam ligjërues në Universitetin e Liège në Belgjikë”, thotë ai për albinfo.ch, duke shtuar: “Për shkak të pandemisë së koronavirusit, mbrojtja e sotshme eshte bërë me anë të videokonferencës”.

Lika jeton e punon në Belgjikë, ka studiuar në universitet, ka bërë master dhe përfundoi doktoraturën, si dhe punon në universitet. Ai u largua nga Kosova në moshën 16-vjeçare.

Ai filloi punën në Universitet si pedagog në departamentin e shkencave politike, ku ligjëron dy lëndë në shkallën master: e para, sistemet politike të Ballkanit Perëndimor dhe e dyta Ballkani Perëndimor ndërmjet integrimit në Bashkimin Europian dhe ndikimit të fuqive në ngritje e sipër, njofton tutje albinfo.ch.

Dita e sotme për të ishte speciale dhe këtë e ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook. “Pas një pune hulumtuese dhe studimore pothuajse shtatë vjeçare, të martën më 26 maj 2020 kam mbrojtur publikisht doktoraturën time në Shkenca politike dhe shoqërore.

Doktoratura titullohet : «Ballkani Perëndimor në udhëkryq të integrimit europian dhe të shtrirjes së ndikimit të fuqive në ngritje e sipër. Analizë e kornizës trekëndore midis Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Europian dhe Turqisë».

Tani, rajoni i Ballkanit Perëndimor përbëhet nga gjashtë shtete: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Fillimisht, Kroacia ishte gjithashtu pjesë e rajonit, deri në pranimin e saj në Bashkimin Europian (BE) më 2013. Neologjizmi « Ballkan Perëndimor » përbën, pra, një koncept politik, gjeopolitik dhe teknik, të krijuar nga BE-ja në dhjetor të vitit 1998. Nga fundi i luftërave të viteve 1990-ta në Ballkanin Perëndimor, BE-ja morri përsipër të promovojë zgjerimin e saj drejt rajonit. Kjo perspektivë u shfaq në vazhdën e samiteve europiane në Zagreb dhe Feira (2000) dhe veçanërisht në Selanik (2003), të cilat ripohuan lidhjen e BE-së me këto vende. Në përgjithësi, për më shumë se njëzet vjet, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë aspiruar t’i bashkohen një BE-je të perceptuar si një ndërmarrje e suksesshme, sinonim i paqes, stabilitetit politik, rritjes ekonomike dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave.

Në kuadër të politikës së saj të zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, BE-ja vendos kushte të caktuara për anëtarët e ardhshëm, përfshirë ato që nevojitet të përputhen me vlerat dhe standardet europiane. Pra, BE-ja zbaton një strategji të « dyerve të hapura » por të kushtëzuar. Sidoqoftë, procesi i zgjerimit është ngadalësuar për arsye si të brendshme ashtu edhe të jashtme të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të vetë BE-së. Kriza financiare dhe ekonomike me anë të së cilës BE-ja kaloi midis 2008 dhe 2014 ka prekur ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në fushat e investimeve të huaja direkte, financimeve private dhe dërgesave të mërgatës. Moria e problemeve ekonomike dhe politike dypalëshe e shteteve të Ballkanit Perëndimor, e kombinuar me vështirësitë politike dhe ekonomike të BE-së dhe « lodhjen e zgjerimit » çoi në krijimin e një zbraztësie relative të fuqisë në rajon.

Në vazhdën e zhdukjes së botës bipolare, aktorët e rinj të cilësuar si « fuqi në ngritje e sipër » (emerging poëers në anglisht) e kanë imponuar veten nëpër botë dhe tani paraqesin një sfidë për fuqitë tradicionale, si dhe për ndërtimin dhe shpërndarjen e ndikimit ndërkombëtar të BE-së. Deri në krizën e vitit 2008, BE-ja kishte rol udhëheqës të padiskutueshëm në Ballkanin Perëndimor duke mbajtur larg rajonit fuqitë në ngritje e sipër si Rusia, Kina dhe Turqia. Sidoqoftë, ky mbizotërim i BE-së është dobësuar me zvarritjen e procesit të zgjerimit dhe, në ndërkohë, aktorët e lartpërmendur ose vendet e tjera (Arabia Saudite dhe disa shtete të Gjirit) kanë rritur vazhdimisht praninë e tyre në rajon. Shtrirja e ndikimit të tyre shprehet në shkallë të ndryshme dhe në fusha po aq të larmishme sa politike, ekonomike, tregtare, ushtarake, kulturore ose fetare. Ballkani Perëndimor sot përbën një fushë të konkurrencës midis fuqive të mëdha të cilat aspirojnë të luajnë një rol qendror në një rajon në rrëshqitje drejt shumëpolaritetit.

prandaj, ashtu sikurse Rusia dhe Kina, Turqia, edhe pse një kandidate për anëtarësim në projektin europian, synon të garojë me BE-në në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të shtrijë ndikimin e saj si një fuqi rajonale në ngritje e sipër dhe të rrisë në maksimum interesat e veta. Për më tepër, sikurse në të kaluarën, Turqia bashkëkohore ka shpallur hapur strategjinë e saj për të ndikuar në Ballkanin Perëndimor me anë të politikave neo-osmane. Ankaraja ka përfituar nga konteksti gjeopolitik duke rritur praninë e saj rajonale dhe duke shtrirë ndikimin e saj në fushat politike, ekonomike, financiare, mediatike, arsimore, kulturore dhe fetare.

Sidoqoftë, përveç mesazhit nga etërit themelues të BE-së, për shkak të rrethanave të vështira rajonale dhe depërtimit të vendeve në ngritje e sipër, veçanërisht Rusisë, Kinës dhe Turqisë, disa vende anëtare të BE-së u kanë kërkuar institucioneve europiane të përshpejtojnë mekanizmin e anëtarësimit europian në mënyrë që të pengohet shtrirja e ndikimeve ruse, kineze dhe turke në Ballkanin Perëndimor. Kështu që, përballë zhvillimeve në këtë kontekst ndërkombëtar, BE-ja dhe disa prej shteteve anëtare të saj kanë shprehur një ndërgjegjësim të ri duke marrë disa nisma që promovojnë zgjerimin; midis tyre: Procesi i Berlinit (2014), strategjia e re për zgjerimin e Komisionit Europian (2018) ose samiti BE-Ballkan Perëndimor në Sofje (2018).

Kështu, kjo tezë e doktoratës synon të shqyrtojë marrëdhëniet e reja ndërkombëtare në rrethanat e decentralizimit të fuqisë botërore. Rritja e fuqive në ngritje e sipër po e godet gjithnjë e më shumë baraspeshën e fuqisë në botë, përfshirë këtu Ballkanin Perëndimor. Megjithëse kjo doktoratë përqendrohet në tërë Ballkanin Perëndimor, ajo i kushton vëmendje të veçantë pjesës së banuar nga shqiptarët, më saktësisht këtyre tre shteteve: Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky studim i përgjigjet pyetjes kërkimore: a po sfidohet (konkurrohet) strategjia e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor nga shtrirja e ndikimit të fuqive në ngritje e sipër, veçanërisht e Turqisë në rajon?

Juria ishte:

  • Pr. Sebastian SANTANDER (Universiteti i Liezhës), mentor
  • Pr. Bashkim ISENI (Universiteti i Friburgut), anëtar i komitetit të doktoratës
  • Pr. Kamal BAYRAMZADEH (Universiteti i Parisit XIII dhe Universiteti i Liezhës), anëtar i komitetit të doktoratës
  • Pr. Pierre CHABAL (Universiteti i Le Havre), anëtar i jurisë
  • Pr Sophie VANHOONACKER (Universiteti i Maastrichtit), anëtare e jurisë
  • Pr. Pierre VERJANS (Universiteti i Liezhës), kryetar i jurisë

 



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *