ME SHKAS: PËR ATA QË NA SULMOJNË NË VENDIN E PUNËS DHE ATA QË ME APO PA VETËDIJE I KONTRIBUOJNË KËSAJ KLIME

ME SHKAS: PËR ATA QË NA SULMOJNË NË VENDIN PUNËS DHE ATA QË ME APO PA VETËDIJE I KONTRIBUOJNË KËSAJ KLIME

Shkruan: Dr. Sami Uka

Jemi të veçantë, madje të përqudshëm apo si na thanë ‘sui generis’. Për shumçka. Covidi na ka përçudnuar edhe më shumë.
Del burri i botës pa asnjë masë mbrojtëse bredh poshtë e lartë, ‘pravullitet’ nëpër kafehanet deng me tym duhani të qytetit, klithë e bërtet derisa humbë zërin nëpër tubimet partiake të të gjitha partive (sepse me të gjithë dëshiron ta ketë mirë nesër) dhe pastaj turrevrap tek mjeku.
që nuk dihet nëse e ka nga tymi i duhanit, ngjirja e zërit nga parullat partiake, gripi sezonal apo Covidi 19, që është konspiracion global për të, mjafton Kjo kollë e lehtë, që ai/ajo nëse nuk merrë infuzionin (me ia shtue energjinë), përkundër zhurmës dhe gjurulldisë që krijon në QMF, me ia mësy një klinike private, e cila për 20 euro ia përmbush krejt dëshirat: infuzionin për 7-14 ditë nga dy herë në ditë (nuk ka lidhje që ai hanë për dy veta), testin RT-PCR apo cilindo më të shpejtë (nuk ka lidhje nëse i përmbush apo jo kriteret klinike, me rëndësi është që klientit t’i plotësohet dëshira), radiografin për mushkëri (asgjë nuk i bënë dëm që të verifikojë shëndetin e mushkërive) dhe D-dimerin, sepse kështu po bëjnë të gjithë, bile edhe ai kojshia milionerë (çka ka lidhje që nuk ka simptomat e Covidit 19).
Për fund zotrote, madje edhe kur konfirmohet COVID 19 pozitiv, kërkon zgjidhje nga klinika private për mënyrën e sigurimit të shërbimit për terapin parenterale më afër shtëpisë, meqë QMF 7 në Emshir (ku administrohet terapia parenterale për qytetarët e Prishtinës COVID pozitiv) është shumë larg. Besa, një zgjidhje e tillë, i kujtohet zotrisë kishe me pahirë, i duhet edhe për sigurimin shëndetësorë privat, që nuk po ia kompenzon shpenzimet enorme për trajtimin e 19 të supozuar!!!
Natyrshëm dhe në mënyrë kreative klinika private me zemërgjerësi (brenda çmimit prej minimum 20 eurove) ia zgjidhë edhe këtë . Pa ndonjë hezitim të madhë diagnozën (edhe kur ajo është COVID 19 pozitive e konfirmuar) ia zbukuron si Inflamacion mushkërish, që infuzionin (në 80% të rasteve të panevojshëm) ta marrë në QMF-në më afër shtëpisë dhe t’i kompenzohen shpenzimet e trajtimit nga sigurimi shëndetësorë privat.
Kjo sjellje joprofesionale, tmerrësisht jo etike për të mos thënë e pamoralshme e klinikave private, krijon probleme të paqena në institucionet publike – sidomos QMF apo Kujdesin Parësor Shëndetësorë, ku kjo kategori pacientësh kërkon shërbimet. Këto probleme jo rrallë kanë eskaluar dhe eskalojnë deri në sulme fizike për të mos përmendur ato verbale që pothuajse janë të përditshme.
Imazhi i mjekut dhe profesionistit shëndetësorë, jo pa arsye, është dëmtuar dhe zhvlerësuar në maksimum për vite të tëra. Profesionisti shëndetësorë i zhvlerësuar nga politik-bërësit dhe vendim-marrësit, dhe jo rrallë i instrumentalizuar prej tyre, natyrshëm është përçmuar nga qytetarët dhe shoqëria. Aq më tepër kur si në e sipërpërmendura injorohet dhe shkilet me të dy këmbët etika e profesionit dhe përçmimi bëhet dominues ndërkolegial. Prandaj, dikush mund të thotë me të drejtë që deri këtu jemi në rregull – “secili korrë atë që mbjellë!”
Në anën tjetër, po ata politikë-bërës që na lanë plot 20 vite pa sigurime shëndetësore dhe na bënë argat dhe robotë të një sistemi shëndetësorë gjysëm të rrënuar dhe jofunksional, na ‘katapultuan’ në heronjë gjatë pandemisë. Sinqeritetin e tyre e kemi parë përditë, nga disa qindra herë me nga disa mijëra fytyra. Pak e rëndësishme. Fare e parëndësishme përderisa ata nuk u kujtuan ende të bëjnë një Ligj që mbron profesionistët shëndetësorë në vendin e punës.
Prandaj, profesionistët shëndetësorë, më saktë mjekët dhe infermieret e KPSh-së vazhdojnë të ofrojnë kujdesin e vet më të mirë të mundshëm 24/7 për të gjithë qytetarët pa dallim, nën kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës së tyre, nën melodinë e sharjeve dhe ofendimeve të tyre më të ulta. Po, po ky është fakt pothuajse i përditshëm në njësitë e KPSh-së anekënd Kosovës.
kuptojmë frustrumin e secilit dhe sidomos atyre që “ua kemi ngjitur COVID 19”. Duket se për infektimin e vet, duke mos zbatuar masat parandaluese dhe duke shpërfillur këshillat tona, shumë prej tyre na fajsojnë neve profesionistëve shëndetësorë. Prandaj edhe na shajnë në vend të përshëndetjes, na sulmojnë në vend të përqafimit (mbase për të mos na e ngjitur COVID 19) dhe tash së fundmi kanë filluar të na i thyejnë edhe orenditë si në foto për të shfryrë pezmin e vet, ndaj nesh apo prindërve të vet.
Vërtet e dhimbshme. Por ne jemi betuar për misionin e shenjtë të profesionit tonë dhe do t’i qëndrojmë besnik deri në momentin e fundit. Do të përpiqemi të mbetemi në lartësin e profesionit edhe të sharë e të rrahur, edhe të injoruar e zhvlerësuar! Madje edhe ti që sulmove mjeken sot pse nuk të përshkruajti një test për d-dimer si të mikut tënd, edhe ti që kërkove me zhurmë shërbimin në qendrën tjetër në vend se atë që ke afër shtëpisë tënde, edhe ti që gati rrahe gruan tënde në sy të mjekes, i revoltuar me mjeken që nuk po të shkruante të gjitha ekzaminimet e mundshme për të cilat sipas teje gruaja jote kishte nevojë, madje edhe ti që na krijove ‘sportelin’ në derën e ordinancës në foto, prap tek ne do gjeshë mbështetjen, empatinë, shërbimin më të mirë të mundshëm dhe ndihmën e nevojshme pa kurrfarë kompenzimi. Mjafton por nuk është e domosdoshme një FALEMINDERIT apo edhe një buzëqeshje pa fjalë, që tek ne të gjeni dorën që do t’ua mjekojë plagën, zemrën që do ta ndaj dhembjen tuaj dhe njeriun që ngadhënjen veten dhe vajin e mund me buzëqeshje. E në fund të fundit edhe neve jemi vetëm njerëz dhe një ditë mund të mos jemi në nivelin e detyrës sonë, në lartësin e misionit tonë dhe mund të mos jemi fare, për çka sinqerisht dhe paraprakisht iu kërkojmë falje!
Vetëm i ligu sulmon më të dobëtin, sidomos gruan. Vetëm i mjeri, ai më pak njeri dhe pa njerëzi, sulmon edhe shpëtimtarin e vet, atë që i ofron ndihmë apo kujdes. Ndërkohë ne do mbajmë për vete ndjenjën e veçantë që krijon bindja se kemi zbutur një dhembje dhe kemi shpëtuar një jetë, qoftë edhe gjatë tërë jetës sonë! TË SHPËTOSH NJË JETË ËSHTË BARAS ME SHPËTIMIN E NJERËZIMIT!
Dhe mos harroni: nuk ka pasuri bote as stimulim milionësh që për ne vlen sa një buzëqeshje e juaj e sinqertë dhe një falenderim i përzemërt dhe i ndjerë për mundin dhe përpjekjen tonë që nuk pushon!
Deri atëherë mirupafshim në ferrë!

Postime të ngjashme