Shkruar nga Fisnik Dajakaj
Spitalet e mbushura me pacientë, si shkas i infektimeve të shumta me koronavirus, e vendosnin Kosovën përballë një situatë krejt të re dhe të papërjetuar më parë. Ndihma ndaj të infektuarve me COVID-19 s’ duhej të ishte kurrë e munguar dhe për këtë kërkohej veprim konkret dhe vetëmohim nga i gjithë stafi shëndetësor.
Situata epidemiologjike, ashtu si edhe sot, rëndonte jo pak, gjendje kjo që detyroi edhe mjekët specialistë të lëmive të ndryshme të merren posacërisht me pacientët e sëmurë me COVID-19.
Një rast të tillë e pati edhe kardiologu i njohur, Dr. Hamza Selmani, i cili u angazhua si vullnetar në Klinikën Sportive (që ishte e mbushur me pacientë të prekur me koronavirus) duke qenë “në vijën e parë” në luftë kundër pandemisë.

Vetë Selmani e pranon se kjo situatë s’ ishte aspak e lehtë. I kontaktuar nga Familja Jonë, ai tregoi peripecitë dhe sfidat që i përcollën atë dhe kolegët e tij gjatë ballafaqimit me “armikun e panjohur”.
“Puna në një klinikë me sëmundje të re dhe të panjohur është sfiduese dhe krijon shumë të panjohura në mendjen e secilit. Ambientimi është problem në vete. Kjo situatë ka krijuar situata të vështira përballë pacientëve të. sëmurë me virus”, theksoi ai për Familja Jonë.
Selmani punën në Klinikën Sportive me pacientë të prekur nga virusi e përshkruan si shumë sfiduese, për vetë faktin e kompleksitetit të sëmundjes vetvetiu, kësisoj kërkesa për ndihmë nga pacientët dhe pamjet e këtyre të fundit me maska oksigjeni, sic thotë ai, do të mbetën gjatë në memorien e tij.
“Puna në Klinikën Sportive me të sëmurë me COVID-19 ka qenë sfiduese për shkak të kompleksitetit të sëmundjes. Ajo cka mbetet në mendje cdoherë êshtë vuajtja e pacientëve dhe shikimi i tyre në sy. Ndihma që ata kërkojne nga mjeku për lehtësimin e vuajtjeve dhe shpresa për shërim. Shilkimi me anë të maskës së oksigjenit është dicka që do mbetet në mendjen e cdo profesionisti mjekësor”, shtoi më tutje ai.
Situata të tilla të jashtëzakonshme kërkojnë përkushtim po ashtu të jashtëzakonshëm, andaj Selmani, së bashku me kolegët e tij, e bënë këtë, ashtu që një pjesë e këtyre profesionisteve shëndetësorë u infektuan me virus dhe vdiqën nga ai, pikërisht në përpjekje për t’i shpëtuar të tjerët.
“Për fat keq kanë (personeli shëndetësor) qenë të infektuar dhe ka pasë humbje jete. E vështirë të takosh kolegun në mjekim intensiv duke u kujdesur për pacientët me COVID-19, pastaj, pas 3 jave, i shtrirë aty duke luftuar për jetën. Një përshëndetje kolegiale, shtrëngim i duarve me besim që do fitohet kjo betejë, të cilën betejë e humb për fat të keq”, deklaroi Selmani.
Selmani foli gjithashtu edhe për mjetet që ai dhe kolegët e tij kanë pasur në funksion për trajtimin e pacientëve të prekur me virus, si dhe rreziqet që iu kanosen kategorive të ndryshme të njerëzve në rast infektimi nga koronavirusi.
“Në mjekësi sportive terapitë kryesore kanë qenë prezente gati gjithë kohës. Antibiotikët, albuminat dhe antiviralet oral kanë qenë shumicën e kohës.Kanë munguar herë pas herë vitaminat dhe terapitë shtesë, më rrallë edhe anribiotikët”
“Personat me probleme të hipertensionit dhe arterieve koronare kanë rrezik mesatar, por kur kanë qenë obez edhe me diabet (sëmundja e sheqerit) melit tip II rrisku për jetë, rritet në mënyrê eksponenciale. Por ky virus është i paparishikueshëm, për këtë arsye ka pasur pacientë pa asnjë sëmundje që kanë shkuar shumë keq edhe me humje jete. Pacientët me probleme kardiake kanë luhatje të tensionit me vlera shumë të larta të tensionit arterial dhe ulje të tensionit përnjeherë që i rrezikon për sulm në kokë dhe tromboza të arterieve periferike(p.sh. në këmbë), që mund të jetë shumë invalidizuese dhe shpesh edhe fatale. Gjithashtu edhe nevoja për marrje të oksigjenit është më e shprehur”, shpjegoi Selmani.
Për fund, ai porositi të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar, duke kërkuar kështu që, përvec respektimit të distancës dhe mbajtjes së maskës, të reduktohet sasia e konsumimit të kripës, sheqerit dhe brumërave, si dhe të merremi me aktivitete fizike.
“Kujdes, kujdes dhe vetëm kujdes është këshilla ime. Jo vetëm për këtë situatë por edhe pë sfidat tjera.Si shoqëri duhet ti riorjentojmë prioritet tona. Reduktim i sasisë së kripres, sheqerit dhe brumërave. Shtim i aktivitetit fizik për të gjitha moshat që besoj pakëson rriskun nga Covidi dhe rrit rezistencen e organizmit nga sëmundjet e botës modern”, përfundoi Selmani.