Mënyra e Shpejtë e Përgatitjes së Spinaqit për Byrekun më të Shijshëm

loading...


Byreku me spinaq është padyshim ndër recetat më të shijshme që amvisat përgatisin gjatë stinës së dimrit.

I shijshëm dhe me plot vlera ushqyese.

Secila amvisë ka mënyrën e saj në përgatitjen e mbushjes së byrekut me spinaq, por AgroWeb.org ju sjell më poshtë një mënyrë fantastike të shpejtë dhe të shijshme të përgatitjes së spinaqit për mbushjen e byrekut.

Do t’ju duhen vetëm pak minuta dhe mbushja me spinaq do të jetë gati.

Kjo s’ është vetëm një mënyrë e shpejtë e përgatitjes së mbushjes me spinaq për byrek por edhe shumë e shijshme gjithashtu.

Përgatitja e Mbushjes me Spinaq për Byrek

1 kg spinaq

Kripë

Dy lugë gjelle uthull molle ose rrushi

Dy lugë gjelle vaj ulliri

Nenexhik i freskët

Për brumin

500 gr miell

250 ml ujë

Kripë

1 lugë kafeje sodë

Përgatitja

Sekreti i kësaj recete qëndron pikërisht tek përgatitja e spinaqit.

Pasi pastrohet mirë me ujë të rrjedhshëm, spinaqi shtypet dhe vritet me duar disa herë.

I hidhet kripë, dy lugë vaj ulliri dhe dy lugë uthull molle ose rrushi, shtohet edhe nenexhiku i grirë shumë hollë dhe shtypet sërish me duar dhe mbushja me spinaq është gati.

Detaji i kësaj metode është jo vetëm fakti se spinaqi s’ gatuhet por edhe përzierja e tij me uthull gjithashtu, çka e bën shijen edhe më të veçantë.

Nëse dëshironi, mbushjes mund t’i shtoni edhe pak djathë të bardhë të thërrmuar imët për edhe më shumë shije.

Përgatitja e Brumit 

Përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të pushojë.

Procesi i përgatitjes së byrekut

Pasi brumi është gati, AgroWeb.org ju sugjeron ta ndani në 10 toptha të vegjël.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e katërt.

Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me spinaq dhe vijojmë të shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri.

Hedhim pjesën tjetër të spinaqit dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera.

Në fund petëve u kthejmë pak anët.

Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati./AgroWeb.org

Related posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *