Mijëra tekste mësimore të dërguara në Diasporë


loading...

E Shtunë, 17 Tetor 2020 – 10:00
albinfo.ch

Ndër mijëra tekste mësimore të dërguara rishtas në të gjitha shkollat e gjuhës e kulturës shqiptare në Diasporë për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 janë dhe botimet dygjuhëshe të Qendrës së Botimeve për Diasporën.

Jo vetëm në Evropë, por edhe në SHBA janë dërguar me mijëra tekste mësimore në gjuhën shqipe, me të vetmin qëllim që gjuha shqipe të kultivohet edhe nga të rinjtë mërgimtar, shkruan albinfo.ch.

“E bukura dhe bisha” dhe “Ujku dhe shtatë kecat”, dy nga përrallat më të dashura për fëmijët, pjesë e serisë “Klasikët Dygjuhësh” – projekt i Qendrës së Botimeve për Diasporën, flasin shqip dhe italisht.

“E bukura dhe Bisha”, përralla që sipas studiuesve daton 4000 vjet më parë, u bë e njohur botërisht falë versionit të autores franceze Jeanne-Marie Leprince de Beaumont (1711-1780). Më së pari u botua më 1740 në “La Jeune Américaine et les contes marins” (Amerikani i ri dhe përrallat detare) dhe në një version të përmirësuar nga autorja franceze më 1756 “Magasin des enfants” (Revista e fëmijëve).

“Ujku dhe shtatë kecat” është një përrallë, e cila e ka burimin nga folklori botëror dhe njeh shumë versione. Përralla u bë njohur nga botimi shumë i dashur në gjithë botën “Përralla” të vëllezërve gjermanë Grimm.

“…Ujku trokiti te dera dhe u përpoq t’ua hidhte të vegjëlve duke u shtirur si e ëma. Por të vegjlit e dalluan se zëri s’ ishte i saj dhe s’ e hapën derën. Ujku u tërbua, por u kthye më pas dhe u foli me zë më të hollë. Të vegjlit i kërkuan t’u tregonte këmbën poshtë derës…”

Libri i sjellë në shqip nga Parid Teferiçi dhe në italisht nga Griselda Doka, i pajisur me ilustrime shumë të këndshme, ka një tekst të thjeshtë dhe me fjalët më të përdorshme në dy gjuhë që lehtësojnë mësimin e gjuhës në mënyrë argëtuese. “E bukura dhe bisha” dhe “Ujku dhe shtatë kecat”, shqip dhe italisht vjen falas për fëmijët shqiptarë të Diasporës dhe falas në versionin online për të gjithë.



loading...