Ministria e Shëndetësisë blen 8 euro e 50 centë një maskë kineze

loading...
Përballë përhapjes së coronavirusit (COVD-19), nga i cili janë prekur qytetarë në pothuajse të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe ato të rajonit, autoritetet e Kosovës janë përkujdesur që të sigurojnë pajisje mbrojtëse për personelin shëndetësor.
Për këtë arsye, përmes platformës elektronike ”e-prokurimi”, Ministria e Shëndetësisë më 5 mars ka publikuar thirrjen për kontratë, me titull: “Furnizim Emergjent me pajisje dhe material shpenzues medicinal për mbrojtjen e personelit shëndetësor nga Corona-Virusit”.
Për blerjen e këtyre pajisjeve, Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar kontratë në vlerë prej 96 mijë e 234 euro.
Mjetet për këtë furnizim Ministria i ka siguruar nga buxheti i Kosovës.
Ndërsa, për këtë aktivitet është përdorur procedura e negociuar – çmimi më i ulët.
Kjo kontratë i është dhënë kompanisë “MADE-KOS” dhe kap vlerën 94 mijë e 401 euro.
Ditë më parë, Ministria nënshkroi kontratën me operatorit e përzgjedhur ekonomik.

Çfarë pajisje Ministria blen me këtë kontratë?
Në bazë të kontratës së publikuar në platformën për prokurim elektronik do të blihen: 4 mijë copë maska me çmim prej 8 euro e 50 centë, të cilat u prodhuan në Kinë. Për blerjen e këtyre maskave do të shpenzohen në total 34 mijë euro; veshje dhe mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XXL, 4 mijë copë. Një e tillë kushton 7 euro dhe kosto e përgjithshme për to kap vlerën 28 mijë euro. Këto produkte janë me origjinë nga Turqia; 2 mijë mburoja për fytyrë në çmim prej 5 euro e 60 centë. Vlera e përgjithshme – 11 mijë e 200 euro. Përderisa në paramasë ku prodhuesi dhe vendi i origjinës figuron vetë si “Herenze”, me një kërkim në google.com merret vesh se këto pajisje prodhohen në Gjermani; doreza nitrile, pa talk, të madhësisë M dhe L, në sasi prej 94 mijë e 600 copë, me çmim për copë prej 6 centë apo në vlerë totale prej 5 mijë e 676 euro. Ato janë me origjinë nga Malajzia.
Gjithashtu, për personelin, Ministria blen dezinfektues për duar së bashku me dispenzer në sasi prej 2 mijë litra me çmim prej 6 euro për copë apo 12 mijë euro në vlerë të përgjithshme, produkt ky i cili prodhohet në Shqipëri.
Tutje thuhet se Ministria blen termometër infra të kuq për ballë, 150 copë, me çmim për copë prej 23.5 euro apo në total 3 mijë e 525 euro. Termometrat janë me origjinë nga Turqia.

Related posts