Ministria e Shëndetësisë jep sqarim për çmimet e testeve për COVID-19 nga laboratorët privatë

loading...

Pas shpërndarjes së informacioneve se në njërin nga laboratorët privat të licencuara për testin për COVID-19 me metodën PCR është paguar 200 euro, ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash, deri në 200 euro.

“Është plotësisht në të drejtën e qytetarit Vetëm po të do të zgjedh të kryej një test serologjik apo PCR test sikurse edhe çmimin të cilin do ta paguaj”, theksohet në njoftimin e Ministrisë.

Më tej ata kanë potencuar se asnjë institucion s’ e ka të drejtën që qytetarit t’i kërkojë të paguajë më shumë se çmimi i deklaruar dhe për të cilin duhet ta informojë paraprakisht.

“Me që MSh s’ i përcakton çmimet e këtyre shërbimeve, i ka inkurajuar qytetarët që nga fillimi i procesit që para se të testohen, të pyesin për llojin e testimit që do të bëjnë, rëndësinë dhe vlerën e tij, dallimet midis testimeve dhe, gjithashtu, për çmimin që do të paguajnë. U ka bërë thirrje që çdo vërejtje të argumentuar ta adresojnë tek Inspektorati Shëndetësor dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës”, vazhdon njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Në të njëjtën kohë, MSh kërkon nga ISHP të licencuara për kryerjen e shërbimit të testimit për SARS COV-2 (molekulare dhe serologjike) që të jenë të kujdesshme dhe të mos keqpërdorin situatën në dëm të qytetarëve dhe t’i informojnë ata para testimit me të gjitha hollësitë e nevojshme.

“Megjithatë, duke qenë që, në rrjetet shoqërore kryesisht, qytetarët kanë shprehur ankesa rreth çmimeve të shërbimeve të testimeve për Covid 19 në sektorin privat, Ministria e Shëndetësisë do të insistojë që AKK dhe ATK të vazhdojnë me monitorimin e situatës, përkatësisht çmimeve në laboratorët privatë, derisa Inspektorati Shëndetësor do të mbikëqyr zbatimin e legjislacionit shëndetësor në këto institucione”, thuhet në njoftim.

Sipas MSh-së, për momentin teste molekulare (PCR) ofron njëri nga dy institucionet e licencuara, posaqë njëri prej tyre, gjatë inspektimit të Inspektoratit Shëndetësor s’ ka arritur të dëshmojë se mund të kryej teste në përputhje me të dhënat e deklaruara në formularin e aplikimit për licencim dhe në përputhje me Deklaratën nën betim, të nënshkruar me rastin e aplikimit.

Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore i Ministrisë së Shëndetësisë në kuadër të licencimit të shërbimit të testimeve për SARS COV-2 deri tash ka licencuar në 118 institucione private këtë shërbim.

Prej tyre, në 116 institucione është licencuar shërbimi për testime serologjike për SARS – COV 2, derisa në 2 institucione është licencuar shërbimi për testime molekulare për SARS – COV 2, përkatësisht testime me metodën PCR.

Kriteret për testimin e këtij shërbimi janë të detajuara në dy udhëzimet administrative përkatëse.

Përveç kësaj, MSh ka mundësuar që testimet serologjike të kryhen edhe në nivel të Kujdesit Parësor Shëndetësor për çka janë bërë ndryshimet e nevojshme në udhëzimin administrativ përkatës.

“Duke e ditur se testimi si proces në sektorin privat e ka ndjeshmërinë e vet, Ministria e Shëndetësisë e ka ftuar që nga fillimi i procesit Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, që t’i monitorojë nga pranë çmimet e testimeve serologjike dhe molekulare në sektorin privat, duke qenë që MSh si autoritet s’ e ka kompetencën dhe bazën ligjore që t’i përcaktojë çmimet e këtyre shërbimeve”, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në ndërkohë, IKSHPK vazhdon të kryejë testime molekulare pa pagesë për qytetarët, për disa kategori të rekomanduara dhe prioritare.

Pas lajmeve se testi për COVID-19 është paguar 200 euro ka reaguar edhe laboratori privat “Medical Laboratory & Services“.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas ankesave të qytetarëve në lidhje me çmimin e testit për COVID-19.