Mjeku shqiptar nga Maqedonia po mahnitë Zvicrën



Omer Xhemali ka lindur në një fshat malor shqiptar në Maqedoni. Tani
ai është një specialist i kërkuar i zemrës në Spitalin e Qytetit në
Zürich. – Gazeta kryesore zvicerane «Tages Anzeiger» portreton mjekun e
famshëm shqiptar.

23 vjet në Maqedoni, 16 në Gjermani, 10 në Zvicër. E ku është
atdheu juaj? «Spitali Triemli, këtu e kaloj të shumtën e kohës». Omer
Xhemali qesh. Zëvendësshefi i kirurgjisë së zemrës vërtet punon shumë.
Gati çdo ditë ai është në sallën e operacioneve dhe në fushën e tij u
përket mjekëve në Zvicër që operojnë më së shpeshti.

Ndonëse spitalin pranë kodrës Uetliberg e konsideron atdhe të
tij: Omer Xhemali është shqiptar, njëri nga 200 mijë sish në Zvicër.
Këtë nuk e tregon vetëm mbiemri i tij, i cili për shumë njerëz është i
njohur për shkak të gati kushëririt të tij për nga mbiemri dhe
futbollistit profesionist Blerim Xhemaili. Prejardhjen e tregon edhe
zyra e tij në Klinikën e Kirurgjisë së Zemrës të Spitalit të Qytetit të
Zürichut, në katin C të kullës së Triemlit, aty ku zhvillohet takimi.
Ndërsa kryemjeku sjell një kafe espreso për vizitorin e tij, shikimi
shkon te një pikturë e madhe, hyperrealiste e Nënë Terezës. Piktura
paraqet shqiptaren mbase më të famshme, ashtu siç njihet, në një pozë
përgjëruese dhe me fytyrë të rrudhur, e cila shpreh mirësi dhe ashpërsi
njëkohësisht. Pikturën e ka bërë vëllai i një pacienti – në shenjë
falënderimi. Në anën tjetër të murit më pak bien në sy dy simbole prej
llaçi të shqiponjës dykrerëshe dhe të heroit kombëtar, Skënderbeut.

Omer Xhemali është shembulli i gjallë se edhe në Zvicër dhe në
Gjermani është e mundshme diçka si një karrierë e pjatalarësit. Dhe ai
na tërheq vërejtjen të sillemi përzemërsisht me emigrantët – sidomos kur
punojnë në gastronomi. Ndonjëri prej tyre në ditë mund të na shpëtojë
jetën si mjek.

Përkundër prejardhjes të cilën e ekspozon qartë, Xhemali qëmoti
është integruar në Zvicër. Dialektin zviceran e kupton pa asnjë problem.
Me gruan e tij dhe dy fëmijë ai jeton në një zonë rurale në kantonin
Aargau, i integruar si është më së miri, siç thekson. Si mjek ai
përfaqëson interesat e Shoqatës Zvicerane të Kirurgjisë së Zemrës te
kolegët gjermanë, kur bëhet fjalë për udhëzime të reja. Ndonëse
mysliman, ai kur bëhet fjalë për fenë nuk dallon në mënyrë thelbësore
nga shumica e zviceranëve. Gati kurrë nuk shkon në xhami, herën e fundit
ishte kur mbajti një fjalim për sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit
të gjakut. «Më me qejf pi një gotë verë», thotë ai. Te pacientët që
reagojnë të irrituar nga mbiemri i tij, ai fiton besim brenda pak
minutash me karakterin e tij të përzemërt dhe të hapur.

Shih edhe:  Bie numri i amerikanëve që ngurrojnë të vaksinohen

Me një gjermanishte të kultivuar letrare Xhemali tregon versionin
e shkurtër të jetës së tij. I lindur në vitin 1970, ai u rrit si fëmijë
i vetëm i një çifti mësuesish në një fshat shqiptar në një rajon malor
të Maqedonisë. Herët ai kishte dëshirë të studiojë mjekësinë. Në Shkup e
refuzuan, në Sarajevë pati sukses. Pas shërbimit ushtarak në Armatën
jugosllave ai më 1990 filloi studimet në Sarajevë. «Atëbotë ishte qetë
në qytet, kam pasur një jetë të mirë», kujton Xhemali atë kohë. Por
kishte pak para. Xhemali kreu shpejt provimet dhe vitin e dytë të
studimeve e financoi duke punuar gjatë verës në Gjermani.

Por pastaj shpërtheu lufta në Bosnjë dhe Sarajeva u rrethua nga
trupat serbe. «Nga njëra ditë në tjetrën miqtë dhe fqinjët u bënë
armiq», thotë Omer Xhemali. Ai u përpoq të largohet nga qyteti i
rrethuar. Për të kaluar pak kilometra nga qendra e qytetit deri te
aeroporti, atij iu deshën disa ditë. Atje mori avionin e fundit për t’u
larguar nga Sarajeva. «Avioni ishte plot e përplot, unë qëndrova në
këmbë me udhëtarë të tjerë», thotë ai.

Shih edhe:  Ja sa përqind e stafit të QKMF-së në Prishtinë e kanë kaluar Covid-19

Përkundër luftës dhe pasigurisë, Xhemali patjetër dëshironte të
studionte mjekësinë. Korrupsioni dhe kushtet e pranimit që ishte e
pamundshme të plotësoheshin në Shkup, e çuan atë në Gjermani, një vend
që e njihte nga puna gjatë verës dhe ku kishte farefis. Mori një vizë
studentore dhe kishte një vit kohë për të grabitur një vend për të
studiuar. Në mbrëmje punonte në një piceri, së pari në kuzhinë, pastaj
si kamerier. Gjatë ditës Xhemali mësonte gjermanisht në një shkollë
pedagogjike. Pasi kishte konkurruar në 32 universitete dhe pak para
skadimit te afatit, atij iu nda një vend për studim në Mainz. «Isha
23-vjeçar kur aty zbrita nga treni, kisha sall një valixhe dhe 700 marka
dhe nuk njihja askënd», tregon Xhemali. «Ndoshta ky ka qenë momenti më i
vështirë në jetën time».

Por Xhemali e shfrytëzoi shansin dhe së shpejti ra në sy. Në të
vërtetë studimet e tij të pjesshme në Sarajevë nuk u pranuan, por ai
kishte përparësi sa i përket dijes. Së shpejti një profesor anatomie
atij i dha vendin e punës shumë të kërkuar të tutorit, përmes të cilës
Xhemali mund të financonte veten. Pas studimeve ai gjeti një vend të
rrallë pune si mjek asistent në Frankfurt dhe u shkollua më tutje si
specialist i kirurgjisë së zemrës. Me atë rast ai duhej të vazhdonte
vizën çdo vit – deri më 2005 kur u bë shtetas gjerman.

Xhemali ka kaluar shumë sfida për t’u bërë specialist zemre. «Për
këtë do të mund të shkruaja një libër», thotë ai. Dëshira për këtë
profesion u zgjua herët te ai. Gjyshja e tij nga ana e babait, e cila
ishte kujdesur shumë për të, ishte e sëmurë nga zemra dhe vdiq, kur
Xhemali ishte 9-vjeçar. «Kujdesi shëndetësor nuk ishte i mirë dhe nuk
kishim as mundësi financiare», thotë ai. Pas vdekjes së saj Omer Xhemali
dëshironte të bëhej mjek për të ndryshuar këtë. Edhe gjyshi i tij ka
lënë gjurmë në karakterin e tij: «Heronj të tij ishin pilotët dhe
mjekët», kujton Xhemali. «Ai përherë thoshte: <S’kam asgjë kundër
nëse minjtë shëtisin në dhomën time – me kusht që të kenë diplomë>».

Shih edhe:  Covid shots prevent more than 99% of hospitalizations, study suggests

Xhemali çohet në këmbë dhe shkon te muri, ku janë të varura
fotografitë nga një koncert i AC/DC dhe nënshkrimi i Angus Young. Një
pacient mirënjohës e ka ftuar në koncert. «Ky kontakt i ngushtë me
njerëz është arsyeja që ushtroj profesionin tim», thotë ai. Puna e tij
në Spitalin e Qytetit ia bën të mundshme këtë. «Nuk dua të jem
shkencëtar me famë botërore, por dua t’ju ofroj pacientëve të mi
trajtimin më të mirë të mundshëm». Megjithëkëtë, ai këtu mund të jetë
edhe inovativ. Jo vetëm në kuadër të aleancës që kanë lidhur këtë vit
Spitali i Qytetit Triemli dhe Spitali Universitar i Zürichut. Edhe në
Spitalin e Qytetit ai teston metoda të reja. Së fundi ai për herë të
parë në Zvicër përdori një lloj sistemi për mbylljen e zemrës. Kësisoj
ai pas një operacioni të valvulave të zemrës arriti të mbyllë një prerje
të vogël në zemër pa qepje.

Kompetencën e tij shkencore Xhemali e sjell edhe në vendlindjen e
tij. Në Shkup, aty ku e kishin refuzuar si student, ai ka ndihmuar të
etablohet Klinika Universitare e Kirurgjisë së Zemrës. Ai shkon
rregullisht atje për të operuar. Dhe mjekë nga Shkupi vijnë rregullisht
në Triemli për të nxënë dije të reja. Krahas kësaj Xhemali angazhohet në
një shoqatë kulturore, e cila përkrah fshatin ku ai u rrit. «Dua të jem
shembull», thotë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *