Modeli i fshehur që mund të jetë në tavolinën e marrëveshjeve Kosovë-Serbi

loading...

Një model ekonomik i implementuar në Kinën komuniste mund të jetë në tavolinë për pajtimin politik të Kosovës dhe Serbisë. Deklaratat se modeli i Shenzhen mund të jetë zgjidhja e konfliktit janë lansuar pa vëmendje nga zyrtarët e ShBA-së para takimit të datës 4 shtator. Për një kohë, opinioni do të bombardohej me lajmet e suksesit ndërsa në mungesë informacioni, reagimet për marrëveshjen do të ishin të vonshme.

 

Dy delegacione të niveleve të larta nga Kosova dhe Serbia pritet të takohen më 4 shtator në Uashington për të hapur diskutimet për nënshkrimin e marrëveshjeve në mes dy shteteve.

Dy vendet kanë filluar t’i proklamojnë këto negociata si në favorin e tyre. Prishtina ka thënë se po shkon në këto negociata për të siguruar njohjen nga Serbia ndërsa kjo e fundit ka paralajmëruar se s’ do të nënshkruajë diçka që mund ta nënkuptonte në ndonjë formë njohjen e Kosovës. Opozita, veçanërisht ajo në Kosovë ka shfaqur frikën që në negociata mund të dëmtohet sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit.

Në tavolinë të diskutimeve akoma s’ dihet se çka do të diskutohet për shkak të zero transparencës për agjendën dhe temat e diskutimit.

Dy delegacionet shkojnë në takime pa publikuar agjendën ndërsa takimi i fundit kishte rezultuar me dy marrëveshje të proklamuara si marrëveshje ekonomike; ato për linjën ajrore dhe linjën hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nën ndërmjetësimin amerikan, një element gjigand është lënë anash në diskutimin publik.

Richard Grenell, emisar i presidentit amerikan, ka përmendur si model të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Serbisë modelin e Kinës komuniste të Shenzhen.

E analizuar në kontekstin e Kosovës, modeli do të kishte pasoja të mëdha për rendin kushtetues në Kosovë ndërsa zona e lirë ekonomike do ta obligonte Kosovën të hiqte dorë nga pavarësia e saj ekonomike në këmbim të një marrëveshjeje e cila do të ndalonte lobimin e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës e ndoshta edhe anëtarësimin në OKB.

Dy vendet kanë thënë se do t’i mbrojnë pavarësitë e tyre dhe integritetet territoriale por pa bërë publik se për çka do të flitet me 4 shtator.

Rreziku që heshtazi është proklamuar është një model ekonomik i implementuar në Kinën komuniste i cili mund të jetë në tavolinë për pajtimin politik të Kosovës dhe Serbisë. Deklaratat se modeli i Shenzhen mund të jetë zgjidhja e konfliktit janë lansuar nga zyrtarët e lartë të ShBA-së por pa e marrë vëmendjen e duhur të publikut në Kosovë e Serbi.

Modeli Shenzhen është model i tregut të lirë të krijuar nga Partia Komuniste e Republikës Popullore të Kinës në vitin 1980. Ky është modeli që e ka përmendur emisari amerikan për dialogun Kosove-Serbi, Richard Grenell.

Kërkesa e kahmotshme e Serbisë është që zonat e banuara me pjësëtarë të minoritetit etnik serb në Kosovë të kenë lidhje direkte ekonomike me shtetin e Serbisë, e njëkohësisht të jenë të ndara ekonomikisht nga pjesa tjetër e Kosovës.

Gjasat janë që, për të fituar këtë, si kompromis, Serbia do “t’ia lejonte” pjesës tjetër të Kosovës të vazhdojë të bëjë biznes e tregti me botën pa asnjë pengesë në bazë të një modeli të zonës së bashkuar tregtare.

Natyrisht, kjo mund të ndodhë vetëm Në qoftë se Kosova pranon të operojë duke i njësuar ligjet tregtare që janë të pranueshme edhe për shtetin serb e jo anasjelltas, derisa Serbia e sheh Kosovën si pjesë përbërëse të saj.

Në anën tjetër, kërkesa tjetër ekonomike e Serbisë do të jetë që miniera e Trepçës të operojë me kod të bashkuar ekonomik. Ne kemi të drejtë të supozojmë që kjo do të tentohet të bëhet derisa kështu funksionon modeli Shenzhen. Në bazë të marrëveshjes së llojit Shenzhen, “zona ekonomike e bashkuar”, do t’i këtë po të njëjtat njësi tregtare të shërbimeve. Pra, kur një biznesmen amerikan vjen të investojë, ai më s’ punon sipas ligjeve të shteteve përkatëse Kosovë dhe Serbi, por sipas ligjit të bashkimit të njësuar të shteteve Serbi dhe Kosovë.

Për Serbinë kjo është fitore, derisa Serbia s’ e njeh shtetin e Kosovës dhe Kosova duke mos e pasur njohjen e Serbisë detyrohet që këtë pjesë të tregtisë së saj ta bëjë në kuadër të Serbisë apo “zonës së bashkuar ekonomike” me Serbinë.

Ky model parasheh në vete që shërbimet postare te mallrave do të jenë të njësuara me Serbinë, dhe Kosova duke mos e pasur kodin e saj në këtë zonë, do të detyrohet të pranojë dhe punojë me kodin shtetëror të Serbisë në zhdoganim. Kjo i bie që kur mallrat e Kinës arrijnë në Kosovë, ato mund të zhdoganohen në Beograd, Nish, Smederevë. E pastaj Serbia i dërgon në Kosovë. Në qoftë se ato dërgohen me destinacion për Prishtinë, ato arrijnë me anë të kodit ndërkombëtar të Serbisë. Serbia e shton një kod shtesë të unionit tregtar me Kosovën në mënyrë që në destinacionin final të mallrave, Kosova të mos paguajë tatime shtesë. Pra rreziku është që Kosova, e cila përjetohet si pjesë përbërëse e Serbisë sipas ligjeve serbe, tashmë bëhet edhe ndërkombëtarisht edhe sipas Unionit Ekonomik Serbi – Kosovë.

Kosova ndërkombëtarizohet jo më si njësi tregtare e veçantë e një shteti në tregun ndërkombëtar por si një zonë nën Unionin Ekonomik Serbi-Kosovë. Kosovës i jepet mundësia të bëjë tregti me shtetet e tjera, por nën ligjet dhe marrëveshjet që shkruhen nga ky Union Ekonomik. Me këtë, Kosova potencialisht e humb pavarësinë tregtare dhe varet nga Serbia.

I analizuar për të gjithë, modeli mund të tingëllojë si konspiracion dhe si diçka që është e parealizueshme, por historia e freskët e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës e Serbisë tregon që marrëveshjet u nënshkruan e vetëm pas disa javësh u kuptua loja me kodet dhe dykuptimësinë në tekstin e marrëveshjeve.

Shembull i tillë është proklamimi i linjës në mes Prishtinës dhe Beogradit që u bë lajm botëror, por lepuri fshihej në kodet. Aeroplani u ngrit nga Aeroporti i Prishtinës ndërsa ateroi në aeroportin e Beogradit me kodin e vjetër që Aeroporti i Prishtinës e kishte në Jugosllavi.

Një tjetër marrëveshje e dykuptimtë që u nënshkrua është ajo për hekurudhat. Pasi që u nënshkrua e kuptuam që emrat në kopjet origjinale të marrëveshjeve ishin ndryshe: në kopjen për Arkivin e Serbisë nënshkruhej Republika e Serbisë e në kopjen e Kosovës nënshkruhej vetëm Ministria e Transportit, pa u përmendur aspak Republika e Kosovës.

Asnjë prej këtyre marrëveshjeve s’janë bërë publike para nënshkrimit dhe qëllimisht, për shkak të dykuptimësisë që po synohet, s’ është folur për to në publik para nënshkrimit.

Edhe në marrëveshjen e mundshme nga takimi më 4 shtator s’ dihet ku fshihet lepuri. Ndoshta ai do fshihet në kodin Shenzhen? Një kod dhe model që në Kosovë s’ njihet dhe që muajve të fundit s’ është debatuar aspak edhe pse është përmendur si mundësi e zgjidhjes në mes Kosovës dhe Serbisë.

Dëmet nga mungesa e debatit për negociatat në mes dy vendeve kanë krijuar vazhdimisht pasoja përfshirë protesta dhe kundërshtime të hapura në Kosovë.

Duke marrë parasysh që kjo strategji e nënshkrimit të marrëveshjeve, e pastaj bërjes së tyre publike, ka shkaktuar pasoja serioze në politikën e Kosovës, sikurse që ka ndodhur me marrëveshjet e nënshkruara për demarkacion e asociacion, ajo çka na mbetet neve është të analizojmë situatën me informatat e pakta që i kemi publike në mënyrë që të mos digjemi prapë me pasoja të bllokadave politike që i kemi parë deri tash.

E çfarë dobie mund t’i sjellë ky plan qeverive në të dyja vendet? Natyrisht që Serbia do t’ia shesë qytetarëve të saj që “i kemi ruajtur minierat tona në Trepçë e Obiliq”, derisa ato tani operojnë me kod të bashkuar ekonomik. E Kosova, s’ do ta humbë rastin t’ia shesë qytetareve të saj “fitoren historike” se si qeveria e saj me këtë marrëveshje vendosi të krijojë një model bashkëkohor ekonomik tregtar me armikun shekullor për ta zhvilluar Kosovën duke e integruar tregun kosovar me botën.

Por prapa kësaj farse, në fakt kjo marrëveshje s’ do të sjellë ndonjë leverdi ekonomike për qytetarët e varfër të Kosovës, edhe serbë edhe shqiptarë, por thjesht përfitime për bosët mafiozë lokalë të cilët janë të lidhur ngushtë me politikanët e Vuçiqit në Beograd dhe bosave politikë në Prishtinë.

Si zakonisht, bosët nga marrëveshjet do fitojnë amnisti siç ishte amnistia për tërë rrjetin e kontrabandës në veriun e Kosovës pas marrëveshjes së Brukselit kur Kosova nxori Ligj për Amnistinë nga i cili përfitoi një varg i krimeve të pasluftës.

Ndoshta diskutimet për amnisti do shkojnë edhe deri te krimet e luftës, një ide që është përhapur muajve të fundit në diskursin publik të Kosovës.

Të gjitha këto do të kuptohen vetëm pasi të bëhen marrëveshjet pasi për momentin agjendat janë jotransparente dhe askush s’ di për to.

 

Lule Gjeli është konsulentë e ligjit komercial për një kompani për mbrojtje të fondeve.

Mendimet e shprehura janë vetëm të autorit dhe s’ pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN.



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *