Mundësia e shtyrjes së vitit shkollor, MASh takon SBAShK-un dhe IKPShK-në në orën 16


loading...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në ora 16:00 sot do të mbajë një takim më Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Sindikatën e Pavarur të Arsimit, para se të marrë vendimin final për fillimin e vitit të ri shkollor.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, këshilltari i ministrit të MASh, Enver Osdautaj.

“Ne në ora 16:00 do të takohemi me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike si dhe me SBAShK-un, Po qe se IKShPK për shkak të gjendjes së pandemisë na thotë që duhet ta shtyjmë vitin shkollor, ne ashtu do të veprojmë, por vendimi akoma s’ dihet dhe do të bëhet publik”, ka shtuar ai.

Më herët, Osdautaj tha për KALLXO.com se vendimi është marrë që të hapen shkollat më datën 1 shtator.

Pas kësaj, SBAShK ka kërkuar që viti i ri shkollor të shtyhet të paktën për 10 ditë.

“Duke shprehur vullnetin dhe dëshirën e sinqertë që viti i ri shkollor të nis së mbari dhe që institucionet arsimore të jenë plotësisht të përgatitura në plotësimin e udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik në përpjekje për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor SBASHK-u u drejtohet Qeverisë dhe MASH-it me zërin e punëtorëve arsimor që nisja e vitit të ri shkollor të shtyhet për 10 ditë”, ka bërë të ditur SBAShK përmes një njoftimi për media.

Dje, Qeveria e Kosovës ka miratuar master-planin e Ministrisë së Arsimit në bazë të të cilit mësimi është paraparë  të fillojë më 1 shtator.

Në bazë të këtij plani, hapja e shkollave do të bëhet më 1 shtator në tri faza për të gjitha nivelet e arsimit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme. Por, akoma s’ është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin.

Institucionet shkollore në Kosovë ishin mbyllur nga data 13 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.



loading...