Mungesa e Avokaturës Shtetërore në seanca gjyqësore, shkaktare që NARIC po humb rastet

loading...


ORCA sot ka publikuar “RAPORTIN E MONITORIMIT TË NARIC KOSOVA 2”, i cili është rezultat i monitorimit të Qendrës Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik-NARIC Kosova, si dhe Këshillit Shtetëror për Njohje, i cili funksionon në kuadër të kësaj qendre.

Sipas drejtorit të ORCA-s, Rron Gjinovci, Qendra NARIC po përballet me mungesën e një databaze digjitale e cila do të mundësonte arkivimin e të dhënave për njohjet/barasvlerën e diplomave ndër vite, mungesën e një databaze interaktive e cila do të ofronte informata rreth sistemit të arsimit parauniversitar dhe të lartë në Kosovë, stafin e pamjaftueshëm, mungesën e rregullores për Këshillin Shtetëror për Njohje, lëndët pezull nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, si dhe më e rëndësishmja mungesën e një ligji të veçantë për këtë qendër.

Gjinovci përmendi edhe rastet të cilat kanë përfunduar në gjykata.

“Tashmë ka rast në të cilin Gjykata, shkalla e dytë e Apelit, si dhe ajo Supreme, kanë obliguar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, konkretisht Këshillin Shtetëror për Njohje, që të zbatojë vendimin për njohjen e diplomës së doktoratës së kandidatit, Fisnik Bytyqi i cili ka ushtruar padi. Rast ky i cili ka krijuar precedent për njohje të gradës së doktoratës edhe të këtyre shtatë personave të tjerë: Blerim Pushkolli, Valon Murtezaj, Bashkim Isufi, Besnik Skenderi, Nazmi Zeqiri, Arton Celina dhe Faruk Ahmeti”, ka thënë Gjinovci.

Ai po ashtu e përmendi edhe një rast tjetër të padisë për mosnjohje të diplomës është edhe e kandidatit Emrush Thaçi, i cili në vitin 2016 kishte marr vendim negativ nga KShNj, sa i përket njohjes së gradës së doktoratës.

“Në tetor të vitit 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte nxjerrë një aktvendim të cilit thuhej se aprovohej si e bazuar kërkesëpadia e tij, anulohej vendimi i vitit 2016 dhe se çështja i kthehej në rishqyrtim Ministrisë së Arsimit. Por KShNj kishte rivendosur që të mos e njeh këtë gradë, bazuar në përgjigjen e marrë nga Ministria e Arsimit në shtetin përkatës, e cila ka deklaruar se s’ e njeh atë diplomë”, tha Gjinovci.

ORCA e konsideron si alarmante humbjen e rasteve gjyqësore, si pasojë e mungesës së Avokaturës së Shtetit në seanca gjyqësore në të cilat është e thirrur që të mbroj institucionin, në këtë rast Ministrinë e Arsimit. Problem tjetër janë edhe arsyetimet e vendimeve të kësaj qendre, e të cilat duhet shkruar nga zyra ligjore në Ministri, ngaqë në gjykata ato po konsiderohen si të mangëta bazuar në mungesën e sqarimit të bazës ligjore dhe faktike.

Aktualisht në proces janë 194 lëndë apo diploma pa përgjigje për njohje apo mosnjohje si pasojë e vonesave në përgjigje nga institucionet ku palët i kanë përfunduar studimet, apo nga qendrat ENIC/NARIC të shteteve përkatëse.

Sipas Gjinovcit, problematike mbesin diplomat nga Shqipëria e të cilat janë 68 sosh, që s’ kanë marr akoma ndonjë vendim për njohje apo mosnjohje dhe kjo po ndodhë kryesisht për shkak të përgjigjeve kontradiktore nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri (MASR) për diplomat e fituara në universitetet private atje apo për shkak të ndryshimit të përgjigjes nga negative në pozitive pa ndonjë arsyetim të bazuar.

“Problem tjetër janë edhe diplomat që vijnë nga Maqedonia e Veriut, e që aktualisht janë pa ndonjë vendim 47 sosh, të gjitha këto për shkak të pajisjeve pa ndonjë kontrollë me diploma kryesisht të doktoratës”, tha ai.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga kjo qendër, sa i përket validimit të diplomave të fituara brenda Kosovës me qëllim të përdorimit të tyre jashtë vendit, numri i aplikimeve është 70 për qind më i lartë se në vitet e kaluara, duke shënuar numrin prej 700 aplikimesh vetëm në muajin tetor të vitit 2020. Qytetarët e Kosovës të cilët po i validojnë këto diploma, për të shkuar jashtë Kosovës për vazhdim të studimeve janë rreth 30 për qind, në atë kohë ata të cilët po shkojnë për punësim janë rreth 70 për qind.

Në periudhën kohore janar-tetor të vitit 2020, janë marrë gjithsej 663 vendime nga Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC Kosova), prej tyre, 288 janë nga Zyra e Qendrës NARIC, ndërsa 375 janë nga Këshilli Shtetëror për Njohje.

Në këtë dukuri ka qenë e ftuar edhe Kumrije Gagica e cila është zyrtare në MASh, përkatësisht udhëheqëse e departamentit të njohjes së diplomave (NARIC), por, sipas Gjinovcit e ka anuluar në moment të fundit pjesmarrjën e saj në konferencë.

Zyrtarja e MASh mungon në konferencë, ORCA e sheh si presion ndaj saj nga Sekretari i Ministrisë

.



Related posts