Në kohë të fushatës, ministri i LDK-së prezanton projektin për spital në Podujevë

loading...


Ministri i Shëndetësisë së bashku me ushtruesin e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Saudin Maliqin , deputetin Ekrem Hyseni dhe përgjegjësin e Spitalit të Podujevës, Afrim Tahiri, kanë  prezantuar projektin e finalizuar për ndërtim të spitalit në Podujevë.

“Zemaj ka dhënë detaje sesi do të duket ky spital dhe çfarë sipërfaqe do të ketë.

“Spitali do të ketë sipërfaqe rreth 7,700 m2 dhe do të ofrojë shërbimet si diagnostika (laboratorët me radiologji), ambulancat specialistike, shërbimi emergjent, mjekësia interne, kirurgji dhe ortopedi, gjinekologji dhe neonatologji dhe pediatri”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Sipas Zemajt ky spital do ta bëjë më të lehtë që llapjanët të marrin më shpejtë shërbime shëndetësore.

“Llapi meriton spital me kushte dhe shërbime për shumë arsye. Një ndër to, është të ofrohet shërbimi sekondar sa më afër qytetarëve dhe të mos ngarkohet QKUK-ja, prejse jo vetëm Podujevës por edhe Prishtinës i mungon spitali i përgjithshëm”, ka shkruar Zemaj.

Ministri Zemaj, i cili vjen nga radhët e LDK-së, e ka prezantuar projektin për spitalin e Podujevës pak ditë para zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevës.

Zgjedhjet në Podujevë mbahen të dielën (më 29 nëntor) pasi që ish-kryetari, Agim Veliu (LDK), ishte emëruar ministër në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.

Në buxhetin e vitit 2020 për këtë spital janë bartur 200 mijë euro nga viti paraprak, mirëpo për vitet 2021, 2022 dhe 2023 s’ janë paraparë fonde të tjera.

Në tetor të vitit të kaluar me anë të një marrëveshjeje të nënshkruar nga ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu dhe ish- drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu ishte paraprarë ndërtimi i këtij spitali.

Sipas marrëveshjes, Komuna e Podujevës, në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi, siguroi dhënien në shfrytëzim të parcelës për SHSKUK.

Podujeva pritet të bëhet me Spital të Përgjithshëm

 

 

 

 

 



Related posts