“Nënë Tereza” e Grac-it, ndër shoqatat e para shqiptare në Steiermark

loading...

Martin Marku, themelues dhe kryetar i shoqatës “Nënë Tereza” në Grac të Austrisë flet për projektet e deritashme të kësaj shoqate, vështirësitë, iniciativat e reja etj

E Premte, 22 Maj 2020 – 16:15
Izri Rexha

Shoqata “Nënë Tereza” është një nga shoqatat e para shqiptare që ka vepruar në Steiermark të Austrisë falë kontributit të shumë veprimtarëve të kësaj shoqate. Por, nevojitet dalluar z. Martin Marku që njihet si themelues i saj dhe iniciator i shumë projekteve me peshë kombëtare, humanitare, bamirëse, sportive si dhe kulturore. si moti edhe pa e takuar asnjëherë kam dëgjuar nga të tjerët për zotëri Markun që shquhet për shumë suksese në aspektin e afirmimit, lobimit apo edhe të prezantimit të çështjes shqiptare jo vetëm në qytetin e Gracit por në gjithë Austrinë, si dhe ka përfaqësuar shqiptarët edhe me projekte madhore evropiane. Lexuesit do të kenë rastin të njihen më për së afërmi me mendimet, projektet e kësaj shoqate, vështirësitë, pengesat si dhe me planifikimin e projekteve dhe iniciativave të reja.

Martin Marku

Albinfo.ch: Z. Marku a mund të flisni shkurtimisht për themelimin e kësaj shoqate, aktivitetin e saj, sfidat me të cilat është ballafaquar në realizimin e projekteve gjatë periudhave të ndryshme?

Martin Marku: Që nga viti 2003 kam pasur fatin të jem projekt menaxher në Fakultetin Teologjik të Gracit i cili për çdo vit organizonte një kongres treditor, ku unë kam qenë përgjegjës për koordinimin e katër shteteve të Ballkanit, pra për Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni. Puna dhe obligimet e mia kanë qenë që unë të merrem me delegacionin që t’i përshtaten temës së përcaktuar nga dekani i fakultetit prof dr Ferdinand Angel. Duke u bazuar në përvojën time në këtë drejtim, e kam parë të arsyeshme që nevojitet të hapet një shoqatë e cila do ta marrë më vonë emrin e të madhes Nënës Terezë.  Në vitin 2007 i kemi ftuar bashkatdhetarët dhe e kemi mbajtur një mbledhje, me ç`rast unë fitova besimin që të zgjidhem kryetar i shoqatës. Ne kemi pasur shumë aktivitete, një pjesë të të cilave e kemi prezantuar në libër. Më të rëndësishmet janë ndihmat që kemi dërguar spitaleve në Kosovë dhe Shqipëri, Shtatorja e Nënës Terezë, busti i nobelistes Berta von Stutner, takimet e shumta që kemi ndërmjetësuar në mes të zyrtarëve të Kosovës apo Shqipërisë dhe të Austrisë.

Si u mor vendimi për vendosjen e shtatores së Nënë Terezës?

Vendimin për shtatoren e Nënës Terezë e kemi marrë në një takim, duke filluar nga ish diplomati Petrit Begati (Kasemi) ku në atë takim kemi qenë mbi 12 personalitete dhe se në fund më është dhënë besimi mua që të merrem me këtë punë për zyrtarizmin e një vendi ne qytetin e Gracit. Mirëpo pas një kohe ky numër i grupit filloi te zvogëlohet dhe në fund mbetëm vetëm ne, anëtaret e shoqatës sonë. Të ju them të drejtën 3 vjet me radhë s’ u ndala duke trokitur nëpër shumë dyer institucionale deri sa më në fund e morëm dritën e gjelbër nga Bashkia e Gracit. Pastaj kemi pasur shumë takime, shumë premtime dhe mashtrime, por prapëseprapë ne kemi vazhduar rrugën tonë. Të përmend se gazetat austriake për shtatoren e Nënë Terezës shkruajnë “Nëna Terezë është këtu. Shtatorja është një shenjë e pajtimit të popullit”.

Kush e ndihmoi këtë projekt?

Shumë bamirës kanë bashkëpunuar me ne, te cilët kontribuuan deri në përfundim të projektit. Vlen të përmenden shumë njerëz, firma dhe institucione e aktivistë të shoqatës. Këtu nevojitet të falënderohen Ambasada e Shqipërisë në Vjenë me ish ushtruesin e detyrës së ambasadorit z. Egin Cekajn; ambasadori i Kosovës z. Sabri Kiqmari. Nga ana e institucioneve të Austrisë vlen të përmenden përkrahjet financiare në të dy projektet që i kemi marrë përsipër nga Bashkia e Qytetit të Gracit, si dhe Qeveria e Shtetit e Landit të Steiermarkut.

Cili është  bashkëpunimi i juaj me institucionet e qytetit të Gracit?

Në zgjedhjet lokale të asaj kohe isha kandidat për asamblist të lagjes se Libenaut e cila është e banuar me rreth 18 000 banorë ku edhe e kalova pragun që të jem asamblist i kësaj lagje dhe u zgjodha nga kryesia e lagjes që të jem personi i 2 në sektorin vendimmarrës. Sa i përket punës sime ne politikë, unë vazhdova prapë të kontribuoj për çështjen e kombit dhe bashkëpunimit në mes të Austrisë dhe Kosovës. Kemi pasur shumë të ftuar nga Kosova por takimi më i rëndësishëm është në vitin 2013 kur e ftuam ish ministrin e diasporës Ibrahim Makollin që të vizitojë qytetin e Grazit.

Ju keni ndërmjetësuar në mes të kryebashkiakut të Gracit z. Siegfried Nagel dhe ministrit të atëhershëm z Ibrahim Makolli. A mund të tregoni se çka u bisedua në atë takim?

Unë personalisht i jam shumë mirënjohës zotri Makollit për përgjigje pozitive që të takohet me  Kryetarin e Bashkisë të Grazit z. Nagellin. Në takim, Ministri i Diasporës u dakordua bashkë me kryebashkiakun që në Graz të hapet një Qendër Kulturore e Shqiptarëve. Ministri Makolli bëri një prezantim të shkëlqyer për çështjen e Qendrës Kulturore para të pranishmëve dhe u vendos nga Bashkia e Qytetit t’i marrin shpenzimet në këtë projekt. Në atë takim zotëri Makolli më autorizoi për vazhdimin e ecurisë për hapjen e kësaj qendre. Këtu ishte fjala për lokacionin ku do të hapet dhe më vonë ky autorizim është dërguar me postë i vulosur nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ku më zyrtarizuan edhe me shkrim nga ana e zyrtarëve të Kosovës.

A mund të flisni pse s’ u realizua projekti i Qendrës së Kulturës për Shqiptarë në Grac?

Arsyeja e mos realizimit të kësaj qendre është se pas një kohe të shkurtër u ndërrua ministri dhe erdhi në funksion z. Valon Murati. Pa u konsultuar aspak me mua se deri ku kemi mbërritur me këtë projekt, kam marrë një telefonatë nga departamenti i tij ku më është thënë se autorizimi i lëshuar nga ministri i mëparshëm shfuqizohet. Arsyetimi i kësaj ministrie ishte gjoja shuma e madhe e parave të nevojshme, dhe disa arsye të tjera të çuditshme.

Para disa muajve shoqata juaj ka promovuar librin “Gjurmë Shqiptare në Graz – Austri” të autorit Vehbi Halitit.

Ideja për botimin e librit ka qenë e imja, posa vullneti dhe dëshira ime ishte që nëpërmjet këtij libri t‘i kemi me fakte të gjitha veprimtaritë e shoqatës dhe të gjithë atyre që ishin pjesë e përkrahjes së shoqatës. Gjatë gjithë punës sonë mbi 10 vjeçare në sektorë të ndryshëm ka qenë i pandarë edhe aktivisti tash autor i librit z. Vehbi Haliti i cili edhe i ka ruajtur një pjesë të aktiviteteve, kështu që në një bashkëpunim shumë të gjatë ia kemi dalë që së bashku ta përfundojmë librin. Libri gjatë verës është promovuar edhe në Klinë dhe është pritur shumë mirë.

Shtatorja e Nënë Terezës në Grac

Sa ishte për ju e rëndësishme vendosja e Shtatores së Nënës Terezë në Grac të Austrisë?

Për ne ishte shumë me rëndësi që ne të dëshmojmë se jemi bijtë e bijat e Nënës Terezë. Që ne veprojmë dhe punojmë për paqe në botë dhe vazhdojmë misionin e saj për të ndihmuar të varfrit, dhe se ne jemi miq të të gjithë popujve tjerë po edhe të miqve tanë austriak.

Cili ishte misioni i juaj me rastin e pjesëmarrjes në Kongresin në Hagë për nobelisten Berta von Suttner?

Në Hagë, në Muzeun Ndërkombëtar për paqe kam shkuar si mysafir nderi bashkë me skulptorin Agon Qosa për nder të 175 vjetorin e lindjes se Bertës. Aty mu dha mundësia që të prezantoj punën e shoqatës sonë nga Graci në një kohë prej 15 minutave. Ishte hera e parë që në këtë kongres 4 ditor me përfaqësues nga katër kontinentet e botës të marrë pjesë një delegacion shqiptar. Në këtë kongres skulptori Qosa i befasoi të gjithë të pranishmit me një ide fantastike. Ai pati një dhuratë të papandehur për nikoqirët, u dhuroi kopjen e bustit të Berta von Suttner. Për mua ishte shumë kënaqësi dhe e falënderoj skulptorin për këtë mrekulli. Të gjithë këtë punë dhe mundim tonin si dhe shpenzimet që kishim si për skulpturat ashtu edhe shpenzimet e tjera Vehbiu gjatë përurimit të librit i injoron.

Cilat janë projektet e shoqatës “Nëna Terezë” për të ardhmen?

Projektet e radhës do të jenë ato të cilat i kam përmendur në promovimin e librit. Projekti i parë është vendosja e fotografisë së të madhit dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugovës në sheshin e Berta von Suttner dhe në sheshin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *