Nga simptoma e parë deri tek diagnostikimi pritet deri në gjashtë muaj, thonë mjekët amë. Ordinancat e tyre janë të mbushura plot me pacientë të rinj me diabet, hipertension dhe aritmi. Nga shoqata e mjekëve të përgjithshëm familjar me rastin e Ditës Botërore të Mjekut Familjar, thonë se ky është një problem serioz me të cilin përballen edhe pse pas reagimeve askush nuk ndërmerr masa.
“Çdo mjek i familjes është mjaftueshëm i trajnuar dhe kompetent që të mund të caktojë një ndërhyrje specifike diagnostike për pacientin e tij, e cila do të çonte në diagnostikimin e sëmundjes dhe trajtimin e mëtejshëm të përshtatshëm. Kështu që kur trajtojmë sëmundjet në një fazë të hershme, të kemi një rezultat më të mirë se në një fazë të vonë. Për momentin duhet të caktojmë një takim me një specialist, ku duhet të presim tre muaj, kështu që specialisti duhet të caktojë një ekzaminim edhe për dy-tre muaj, ndërsa sëmundja brenda kësaj periudhe kohore ka përparuar.”, – deklaroi kryetari i Shoqatës së mjekëve të përgjithshëm, Dragan Gjorgjievski.
Të sëmurët kronikë për përshkrimin e terapisë duhet të shkojnë tek specialisti, që në të shumtën e rasteve është në Shkup. Edhe pse shumë herë ka pasur paralajmërime nga kompetentët që do të ketë ndryshime, por për momentin nuk ka asgjë.
“Pikërisht tani është ndryshimi, ka një grup të caktuar ilaçesh që do të zbresin në nivelin e mjekut amë. Është paralajmëruar që kjo të ndodhë në qershor. Ndërkohë mbahen protokolle sipas të cilave do të funksionojë kujdesi primar shëndetësor, që të ndodhin ndryshimet në regjimin e barnave. Ky ndryshim u njoftua disa herë dhe u anulua, shpresoj që qershori do të jetë data përfundimtare.”, – theksoi kryetari i Shoqatës së mjekëve të përgjithshëm, Dragan Gjorgjievski.
Me këtë rast, mjekët amë lëshuan balonat në qiell duke u dërguar një lloj mesazhi, autoriteteve shëndetësore.