Një tjetër shans i humbur, çka duhet të bëjë Kosova që ta fitojë liberalizimin e vizave – Flasin analistët politikë

loading...


Kosovarët po vazhdojnë të mos e gëzojnë udhëtimin nëpër zonën Shengen. Një gjë e tillë s’ pritet të ndodhë as përgjatë këtij viti, ani pse pati shpresa të mëdha në presidencën gjermane në Këshillin e BE-së, shkruan GazetaBlic.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të vihet në rend të ditës në takimet e mbetura të kryesuara nga Gjermania, por liberalizimi formal i vizave mund të vijë vetëm në presidencat e mëvonshme të Këshillit.

Shtyrjen e këtij procesi s’ po shihet i drejtë nga analistët politikë në vend, pasi që siç thonë ata, Kosova i ka pranuar kushtet dhe i ka plotësuar ato për t’u liberalizuar vizat për kosovarët.

Mirëpo, analistët vlerësojnë se duhet akoma më shumë punë në luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Rasim Alija për GazetaBlic ka thënë se në këtë drejtim këto dy anë negative Kosovës, sipas tij, i duhet një luftë e pakompromis.

“Janë dy elemente. E para është tepruar në kuptimin se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret për me u plotësua dhe fitua liberalizimin e vizave. Janë shtua kushte tjera të Bashkimit Evropian karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sa i përket Kosovës, BE ka pasur një qasje jo të drejtë, e në disa anë ka pasur qasje edhe politike. Pritjet janë kanë që liberalizimi i vizave të ndodhë gjatë presidencës gjermane, mirëpo gjasat janë shumë të vogla. Kosova duhet me tregua një luftë të pakompromis ndaj krimit të organizuar”, thotë ai.

Alija ka përmendur edhe mosndëshkimin e figurave të larta politike.

“Këtu kemi të bëjmë edhe me elementin kryesor, në këtë rast është mos-ndëshkimi i figurave të larta të emëruarve politikë. Ajo se çka kemi pa deri më tani është se janë ngritura aktakuza, mirëpo kur vije puna te gjykimi, këto akuza bien dhe në të vërtetë s’ ndahet dënimi i merituar karshi figurave të larta politike që janë të akuzuar për korrupsion. Aty ku ka prova dhe argumente që figurat e larta politike janë të akuzuar, ishte dashur të ketë dënime të merituara dhe jo me kusht siç ka ndodhur në shumicën e rasteve. Ajo çka i mbetet Kosovës është se i duhet shumë punë në kuptimin e dënimit të figurave të larta politikë, atu ku ka prova të mjaftueshme. Kjo i bie të mos ketë ndikim te Prokuroria dhe gjyqësia e Kosovës”, thotë ai.

ndërkohë, analisti Fitim Salihu për GazetaBlic ka thënë se Kosova i ka realizuar disa kushte që iu patën vënë për liberalizim të vizave, mirëpo drita jeshile s’i është dhënë.

“Këto më shumë janë justifikime se sa arsye të qëndrueshme teknike. Kosova i ka pasur disa pika të cilat është dashur t’i përmbushë që janë kryesisht nga aspekti i luftimit të korrupsionit dhe gjërave tjera. Në atë kohë Kosova i ka pranuar të gjitha, por që prapë s’ ka pasur liberalizim të vizave. Kosova ka pasur edhe presione politike, që i ka përmbushur, por s’i  ka marrë përgjigjet pozitive qoftë për viza e edhe për integrime evropiane. Në anën tjetër, kur i shesh shtetet me të cilat i ka liberalizuar vizat BE-ja, ku ka krim dhe korrupsion të madh, e s’ janë dhënë vizat për Kosovën dhe stopohen udha integruese edhe e Shqipërisë, kjo na bënë me dije se arsyet janë krejtësisht politike”, thotë Salihu.

E, shtyrjen e liberalizimit të vizave e ka lidhur kryekëput me skandalet e vjedhjeve në Qeverinë Hoti partia aktualisht më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie, Mefail Bajqinovci, në një bisedë për GazetaBlic ka deklaruar se qeveria aktuale, sipas tij, s’e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, gjë kjo që siç potencon ai, ka çuar që të shtyhet “ëndrra” e kosovarëve për liberalizim vizash.

Ndryshe, Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit. Por, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma s’ e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në këtë zonë./GazetaBlic

 

S’ka viza për këtë vit, VV: S’mund të ketë liberalizim me këtë Qeveri, ku s’luftohet korrupsioni e vidhet Thesari i Shtetit

LAJMI I FUNDIT: Liberalizimi i vizave për Kosovën shtyhet edhe për një vit



Related posts