Mon. May 16th, 2022
© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Kuptimi i fjalës

  1. NJË I. num. them.

1. Numri i parë në vargun e numrave të plotë numri 1; numri i plotë më i vogël, që shënon njësinë më të vogël; njësia më e vogël në një grup, që shënohet me këtë numër. Numri një. Tridhjetë e një. Një dhe një bëjnë dy. Është një orë larg. Peshon një kilogram. Ka një vajzë. Ndenji vetëm një ditë. Bleu një metër beze. Një për qind. Një e dhjeta. Pa thënë një, nuk thonë dy. fj. u.

2. përd. mb. Po ai, po ajo gjë, i njëjtë. Thotë gjithnjë një fjalë. Rri në një vend. Arritën në një kohë. Janë në një klasë. Banojnë në një lagje. Janë në një moshë. Jemi në një mendje. Ligji është një për të gjithë. Flasin një gjuhë. Kanë një ideal. Luftojnë për një qëllim. Këto rrugë në një qafë dalin.

3. përd. mb. I vetëm, i tërë e i pandashëm; i bashkuar në diçka të vetme. Janë bërë një trup. Dy fshatra u bënë një. Vullnetarët u bënë një me kooperativistët. U bashkuan e u bënë një kooperativë.

4. përd. përem. Përdoret në vend të fjalës që shënon njeriun, kafshën, sendin a dukurinë, kur i veçojmë nga klasa, grupi a radha e vet; njëri, njëra. Një për shtëpi. Një për të gjithë, të gjithë për një. U mundën (u kapën) një për një. Luftoi një me dhjetë. Punon një sa për dhjetë. Një nga më të diturit. Një nga më të rëndësishmet (nga më të mëdhatë). Erdhi një nga tanët. I vë një mbi një i vë njërin mbi tjetrin. M’i jep një nga një. Si një një. bised. siç është njëri, ashtu është edhe tjetri.

5. përd. num. rresht. I parë. Dhoma një. Radha një. Karrigia një. Lagjja një. Hyrja një. Vëllimi një.

NJË II. nyjë joshquese.

1. Përdoret përpara një emri kur duam që ky të shënojë dikë a diçka në mënyrë të përgjithshme, pa e veçuar plotësisht, pa e dalluar nga njësitë e tjera të së njëjtës klasë. Një plak e një plakë. Një libër i ri. Ishte një ditë e bukur. U dëgjua një zë. Erdhi një shok. Një gjel na zgjoi nga gjumi. Punon me një metodë të re. Vepër e një të panjohuri.

2. Vihet përpara një emri kur duam ta përdorim me kuptim të përgjithësuar dhe si përfaqësues të klasës se vet me kuptimin «çdo». Një libër i mirë është një shok i mirë. Një njeri që punon, s’ka kohë për fjalë.

3. Përdoret me një emër njeriu, kur këtë njeri nuk e njohim mirë ose nuk dimë me siguri si e quajnë. A e njeh (a të kujtohet) një Shpëtim Bardhi nga Peqini?

NJË III. pakuf. 1. Dikush, ndokush, njeri i pacaktuar. Ka ardhur një nga fshati. Ishte me një që s’e njihja. Të vijë një tjetër.

2. Diçka, gjë e papërcaktuar mirë, që i ngjan diçkaje (së bashku me lidhëzën si dhe një emër). E ka zënë një si grip. Dëgjohej një si gjëmim i largët. Kam një si shqetësim. Ndiej një si të mekur. M’u bë një si lëmsh në grykë. Atje tej dukej një si shtëpi.

3. përd. mb. I tillë (si kallëzues emëror, i ndjekur nga një fjali rrjedhimore). Është një që s’e ka shokun. Është një që s’bëhet dy është i tillë, që s’gjen të dytë si ai.

4. përd. pj. Përdoret para emrit të një frymori ose të një sendi kur folësi shpreh një farë habie, admirim a përçim. Kishte një kalë të shpejtë, që s’e kishte askush. Është një dhelpër ai, që s’e ka shokun.

NJË IV. ndajf. bised. Barabar, njëlloj, njësoj; njësh. Jemi një. U bënë një. E pandeh veten një me të. U bënë një me tokën u shtrinë rrafsh me tokën, saqë nuk dalloheshin. Lumi kishte ardhur një me urën. Buna ishte bërë një me liqenin.

* Deri më një plotësisht, për të gjitha gjërat, deri në fund. Me një fjalë shih te FJAL/Ë,~A. Me një frymë shih te FRYM/Ë,~A. Me një gojë të gjithë njëherësh. Me një zë njëzëri. Një me një barabar. Një për (më) një duke i treguar të gjitha pa lënë asgjë në harresë, pa kapërcyer asgjë, me radhë e me hollësi. Një e dy (një me dy) shumë shpesh, vazhdimisht. Pa një, pa dy patjetër, medoemos. Numër një i pari, më i rëndësishmi. Një si asnjë fj.u. diçka e vetme është e pamjaftueshme, nuk kryen punë. Një dhe i pandarë shih te PANDARË (i,e). Një herë e mirë shih te HER/Ë,~A2. Ora me një (ora me dorë) shih tek OR/Ë,~A I. S’ia bëri as një, as dy s’ia bëri të gjatë, iu përgjigj a kundërveproi menjëherë. E bëri një (njësh) me tokën shih tek TOK/Ë, ~A I. U bë një (njësh) me tokën shih tek TOK/Ë,~A I. Nuk mbeti as një për qyqe shih te QYQ/E,~JA. Një shat ujë shih te SHAT,~I. Qoftë edhe një thua shih te THUA, THOI. Pa e shkrepur një herë shih te SHKREP. Pa thënë (pa bërë) as një, as dy pa e zgjatur, menjëherë, pa kundërshtuar, në mënyrë të bindur. Vë në një plan libr. shih te PLAN,~I. Mbeti (katandisi) kokoshi (kaposhi) një thelë shih te THEL/Ë,~A. Mbytet në një pikë (lugë, gotë, filxhan, gisht) ujë mospërf. shih tek UJ/Ë,~I. I ngjit shkallët një nga një dikush shih te NGJIT. Noton (lundron) në një (në dy) gisht ujë shih te GISHT, ~I. Si një here, një herë shih te HER/Ë,~A. Si një e një (që) bëjnë dy me siguri të madhe, pa dyshim, patjetër, medoemos. Një rrugë (udhë) e dy punë shih te RRUG/Ë,~A. Kemi pirë ujë në një krua shih te KRUA, KROI. Tre hunj e një thupër keq. shih te HU,~RI. Është një nga dhia, dy nga vija shih te DHI,~A. Me një lule (me një dallëndyshe) s’vjen pranvera (behari) shih te LUL/E,~JA. Mat shtatë (tri, dhjetë) herë e pre një herë! fj. u. shih te MAT.Një, Kuptimi i fjalës

Leave a Reply