Nuk e frikësoni as Avdullah Hotin, as Kosovën!

loading...

Shkruan: Enver Robelli

Nuk e frikësoni as Avdullah Hotin, as Kosovën!

Deri më tani gjuha komunikuese mes zyrtarëve më të lartë të shtetit ka qenë kjo: «Hajde pak në zyrë, çelmi sytë» (kryeministri – i dikurshëm – gjatë një telefonate me një komandant), «Kali, qysh je, a fjete, a pushove?» (përshëndetja e preferuar e një kryeministri po ashtu të dikurshëm), «Këqyrma çehren, qitma kafenë», «Ma hongsh…» (e dëgjuar në parlament), «Ato paret e tenderit – a me i transferu’ n’bankat e Turqisë apo të Zvicrës?», «Në aeroportin e Zürichut unë dua të kaloj nëpër zonën VIP» (dhe kalon sundimtari i dhunshëm bashkë me grua, fëmijë e shoqëri – 700 euro për kokë insani), «Ama pak alltinë…».

Tash kanë ndryshuar gjërat. Kosova ka zëvendëskryeministër si Avdullah Hoti që armë e ka dijen, sinqeritetin dhe modestinë, jo poshtërsitë, ndyrësitë dhe korrupsionin. Kur i dyti i qeverisë ecën nëpër qytet pa gorilla muskuloze, pa hajvanë që qëllimisht e zbulojnë belin për t’ju dukur shkëlqimi i alltisë, atëherë kjo e pengon kamarillën kriminale. Gjejnë ndonjë zibidi zullumqar që gjuan me vezë.

Për të tillët mbi 400 mijë votues të LDK-së dhe VV-së kanë këtë porosi: nuk e frikësoni as Avdullah Hotin, as Kosovën! Vendimet e kësaj qeverie prekin shumë interesa mafioze. Vendimet e kësaj qeverie zemërojnë shumë zagarë partiakë dhe qelepirxhi. Vendimet e kësaj qeverie e prishin rehatinë e vjedhësve.

Pikërisht për këtë arsye kjo qeveri meriton përkrahje për aq sa ofron shembuj të mirë dhe për aq sa sjell normalitet, ku zëvendëskryeministri që nuk i ka borxh askujt ecën i lirë nëpër kryeqytet, ku kryeministri shkon në teatër fëmijësh dhe ku ministri i Shëndetësisë lëvizë nëpër qytet pa atitudën arrogante të mujsharit. Kosova e mirë tash duhet ta mposhtë anën e errët të Kosovës. Kosova e mirë është shumica.

Related posts