Skip to toolbar

Nxënësit kthehen në bankat shkollore, me maska e distancë


loading...

“Po qe se e mban maskën s’ infektohesh”, thotë Ensar Reka, nxënës i klasës së gjashtë në Shkollën Fillore, “Tefik Çanga”, në Ferizaj, përderisa në fytyrë mbante maskën dhe qëndronte në distancë nga shokët dhe shoqet e tij, duke pritur mësuesen që t’i thërriste për të hyrë brenda objektit shkollor.

Për Ensarin mësimi në objektin shkollor është më i përshtatshëm sesa mësimi i zhvilluar online.

“Me mësu me kompjuter s’ më ka pëlqy se ka pas zhurma ose s’ka pas rryma ose interneti s’ka bë.”, ka thënë ai.

Në anën tjetër babai i Ensarit nga larg priste derisa djali i tij të hynte në klasë dhe përshkruan se fillimi i viti shkollor është i vështirë për prindërit.

“Në shkolla më mirë, meqë është ndryshe kur e ka mësuesin përballë, ndryshe është me telefon. Online s’ bëjke rrjeti, u ndërprejke.”, ka thënë Nysret Reka.

ndërsa, Saranda Xhemajli me vajzën e saj ecnin në udhën e cila të dërgonte tek objekti në të cilën ishin vendosur mësuesit e shkollës “Gjon Sereçi”.

“Ndjenja është pak e quditshme, si çdo nënë që e pret fëmijën e vet me fillu vitin shkollor me gjithë të mirat, kjo është në kushte jonormale”, ka thënë ajo.

Xhemalji mendon që Po qe se s’ plotësohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e mësimit, të vazhdohet me mësimin online.

“Po qe se kushte s’ janë mirë, ndoshta kish me qenë me mirë me vazhdu mësimin online”, ka shtuar ajo.

Për mësuesen Shukrije Osmani, maskat po u pamundësojnë nxënësve që të shohin buzëqeshjen e tyre, por  mësimi në klasë sipas saj është me i efektshëm sesa mësimi në distancë.

“Me klasën e parë është pak e vështirë duke fillu nga distanca, nxënësit kanë dëshirë me pas socializim edhe maskat po na e zbehin pak buzëqeshjen ndaj tyre. Për mendimin tim mësimi online s’ ka qenë tepër efektiv, mësimi në shkollë është dukshëm më i mirë se mësimi online.”, ka thënë ajo.

Në shkollat e Komunës së Ferizajt janë vendosur sinjalizime dhe broshura për respektimin e rekomandimeve për t’u mbrojtur ndaj COVID-19.

Në hyrje të çdo shkollë nxënësit priten nga mësueset e tyre në hyrje dhe rregulli kryesore janë të mbahet distanca, të gjithë nxënësit të kenë maska dhe të bëhet matja e temperaturës.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka marrë vendim që mësimi të filloj në dy faza, sot ka filluar faza e parë me institucionet parashkollore, klasat 1,2 3 6 edhe klasat 10 në shkolla, ndërsa klasat  4-5 do të fillojë sipas skenarit A.

ndërsa me 21 shtator do të fillojë mësimi për klasat 7,8,9, 11 dhe 12.