Skip to toolbar

Opozita malazeze ka rënë dakord mbi parimet e qeverisë së re

loading...

Udhëheqësit e koalicioneve opozitare në Mal të Zi kanë zhvilluar të hënën një takim gjatë së cilit thanë se kanë arritur pajtim për parimet mbi të cilat do të punojë qeveria e ardhshme.

Takimi u zhvillua ndërmjet koalicioneve opozitare “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë”, dhe “E zeza në të bardhë”, që drejtohen nga politikanët, Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq, të cilët fituan shumicën në parlamentin malazez.

Sipas opozitës, parimi i parë për të cilin është rënë dakord është se “qeveria e re, demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare”.

Së dyti, që qeveria e re do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, që qeveria e re do të jetë e përbërë prej specialistëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, kombëtare e të tjera.

“Qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, përmes rishikimit të të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin për Liritë e Fetare”, thuhet në deklaratë.

Ligji për Liritë Fetare, i miratuar në fund të vitit 2019, shkaktoi një konflikt të hapur midis institucioneve shtetërore dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Pjesa më e diskutueshme e këtij Ligji, përkatësisht ndryshimet e të cilit po kërkon Kisha Ortodokse Serbe, kanë të bëjnë me pronën e bashkësive fetare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në 30 gusht. Tri koalicionet e opozitës fituan më shumë se gjysmën e vendeve në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Malit të Zi.

Nga 81 vende, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Millo Gjukanoviq fitoi 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë, ndërsa tre parti të opozitës fituan 41 vende./REL



loading...