Pandemia privon istogasit nga freskia e “Burimit”

loading...

Hysniu është kthyer së fundmi nga Kanadaja në vendlindjen e tij në Istog dhe orëve të mbrëmjes, shpesh merr rrugë rrëzë bregut të këtij qyteti, aty ku zhurma e burimit të ujit e kthen atë me vite mbrapa.

Një e diel e ngrohtë korriku, Hysniun e ka gjetur sërish në këtë vend ku ai kujton kohët e kaluara me shoqëri.

Dhe, mbi gjithçka, e kujton momentin kur është njohur me personin që ka ndarë fatin e jetës- gruan e tij.

“Ky vend më ktheu shumë vite pas të cilat vërtetë më kishin munguar. Kujtimet e rinisë dhe ndër më të bukurat kur këtu kam takuar edhe shoqen e jetës sime”, thotë Hysniu teksa gjendet afër rrethojave të burimit të ujit, pas një mungese gjashtëvjeçare në këtë vend.

“Ka ndryshuar dhe jam kundër betonimit të këtij vendi dhe shtimit të restoranteve pavarësisht sa janë të bukur. Natyra nevojitet të mbetet natyrë”, shprehet ai në formë proteste ndaj lulëzimit të restoranteve në afërsi të këtij vendi.

Por Hysniu është ndër të paktë ata që në këtë kohë pandemie është ngjitur këtyre shtigjeve.

Me pak më shumë se 36 mijë banorë sipas regjistrimit ë fundit të popullsisë të vitit 2011, Istogu shtrihet në pjesën perëndimore të Kosovës.

Burimi, Istog. Foto: Kallxo.com

Rrëzë bjeshkëve te larta, nga zemra e shkëmbinjve rrjedhë uji i kristaltë i lumit të Istogut apo i njohur ndryshe si Burimi i Istogut. Burim nga i cili furnizohen me ujë banorët e kësaj komune e që s’ shterohet asnjëherë, i jep jetë edhe florës e faunës rreth tij.

Në hyrje të burimit është vendosur qendra për informim nga e cila qytetarët mund të informohen për zonat turistike të Istogut. Ndër ato vende është edhe Burimi i Istogut i cili tani është atraksion i kësaj komune. Me pas vazhdon rruga gjatë të cilës ndodhen pushimoret që mund të shfrytëzohen nga vizitorët për të pushuar apo për të zhvilluar pikniqe të vogla.

Burimi, Istog. Foto: Kallxo.com

Po vazhdove ecjen, gjendesh pikërisht në urën e cila lidh të dy hyrjet e burimit nga e cila qyteti dhe hapësira më e gjerë gjendet “në pëllëmbë të dorës”.

Investimi dhe infrastruktura që është bërë në këtë zonë u ka dhënë mundësi banorëve të këtij qyteti ta shfrytëzojnë për ecje dhe të shijojnë edhe më shumë pamjen që ka ky burim.

Fëmijë, të rinj e moshuar ngjiten rrugëve të shtruara për t’u relaksuar në këtë vend.

Sipas Goneta Ademaj, Burimi është vendi i duhur për t’u çliruar nga monotonia dhe stresi mirëpo kohëve të fundit, si pasojë e pandemisë, dalja atje është bërë më e vështirë.

Burimi, Istog. Foto: Kallxo.com

“Siç dihet, në Istog ka shumë sportistë dhe burimi është vendi më i frekuentuar nga ata, mund të them lirshëm se jemi me fat që kemi një vend të tillë nga i cili mbushemi me energji dhe ajër të pastër. Në njëfarë mënyre ai vend është “shpëtim” për ne”, thotë Goneta Ademaj.

kurse një banor tjetër ndau me ne disa kujtime që kishte nga ai vend duke treguar se sa shumë kishte ndryshuar për të mirë

“Burimi ka shërbyer si vendtakim i gjeneratës sonë, këtu lumin e kemi shfrytëzuar edhe për not. Ka qenë i rrethuar me livadhe në të cilat ne kemi organizuar festat shkollore në atë kohë. Ky vend ka ndryshuar shumë që nga atëherë mirëpo ndryshimi këtu më mahnit dhe është bërë shumë mirë dhe më sigurt”, shtoi ai.

Diçka që e bën edhe më të veçantë këtë vend është mundësia që u jepet turistëve dhe dashamirësve të eksplorimit të natyrës të cilët mund ta shfrytëzojnë pikën vrojtuese me lartësi mbidetare 758.49 M/LMD, shtegu i së cilës është i gjatë 986 m e cila ju ofron pamje mahnitëse të  horizontit spektakolar të Podgurit. Veç të tjerash, kjo pikë mundë të vizitohet edhe gjatë natës, pasi që i gjithë shtegu është i pajisur me ndriçim publik dhe të jepet mundësia që ta vrojtosh Rrafshin e Dukagjinit që s’ fle asnjëherë.

Burimi, Istog. Foto: Kallxo.com

Enver Boletini, Zyrtar i Trashëgimisë Kulturore në komunën e Istogut, thotë se ky burim ka kapacitetin e 2,500 litra në sekondë dhe se spektri i baktereve të ujit që del nga aty “është gati zero”.

“Burimi  i ujit kryesisht përdoret për pije dhe është gjynah mos me u përdorë për pije përderisa është i jashtëzakonshëm, është natyral veç në periudhat kur ka rrëshira nevojitet klorinimi i tij në mënyrë që ndonjë pa pastërti eventuale të neutralizohet kimikisht”, u shpreh ai.

Boletini thotë se Burimi është një ndër vendet më të frekuentuara si prej banorëve vendorë por edhe prej gjithë mysafirëve të tjerë që vijnë ose me qëllime turistike ose shëndetësore, siç janë personat që vuajnë nga sëmundja e astmës përderisa freskia që ka ky vend ndikon te ata në aspektin shërues.

Burimi, Istog. Foto: Kallxo.com



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *