Pas raportimit të KALLXO.com, Arton Demhasaj heq dorë nga Këshilli Drejtues i UP-së

loading...


KALLXO.com më 24 korrik të këtij viti kishte raportuar se njëra nga pozitat e Këshillit Drejtues të UP-së mund të jetë në konflikt të interesit, më konkretisht tek anëtari i këtij këshilli, Arton Demhasaj.

Kjo pasi që Demhasaj është drejtor ekzekutiv i organizatës “Çohu” dhe sipas vendimeve të kaluara të Agjencisë Kundër Korrupsion për anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, mbajtja e pozitave udhëheqëse në OJQ i sjell anëtarët e KD të UP-së në situatë të konfliktit të interesit.

Zyra Ligjore e BIRN dhe Internews Kosova, më pas ka dërguar shkresë drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsion, duke kërkuar një opinion nga Agjencia, Nëse një situatë e tillë përmban konflikt të interesit.

Pas konfirmimit të informacionit të dërguar nga BIRN dhe Internews Kosova, AKK kishte hapur rast për hetim, me ç ‘rast e kishte kontaktuar Arton Demhasaj, të cilin e kishte njoftuar për fillimin e procedurës së shqyrtimit të gjendjes së konfliktit të interesit.

Pas kësaj, Demhasaj ka mbajtur një takim me zyrtarët e Agjencisë dhe këta të fundit i kanë sqaruar se gjatë ushtrimit të funksionit publik, në cilësinë e zyrtarit të lartë, ai s’ mundet që njëkohësisht të mbajë funksion drejtues e as të jetë përfaqësues i autorizuar në OJQ, meqenëqë sipas AKK-së, kjo situatë paraqet gjendje të konfliktit të interesit, siç përcaktohet me nenin 13 dhe 14 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

AKK e ka njoftuar Demhasajn se Nëse s’ ndërmerren veprime për parandalimin e konfliktit të interesit, ai do të procedohet për “Njoftim paralajmërues për konstatimin e konfliktit të interesit”.

Pas kësaj, AKK ia ka dërguar palës njoftimin e lartë cekur, ndërsa më datë 26 tetor, AKK ka pranuar një njoftim nga KD i UP-së dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës se Demhasaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Anëtarit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Konfirmimi mbi dorëheqjen e z. Arton Demhasaj nga pozita e Anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së (shkresa me nr.protokoll, datë 26.10.2020), është përcjellë në Agjencinë Kundër Korrupsion gjithashtu edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Këshilli Drejtues i Universitetit”, thuhet në vendimin e AKK-së të datës 28 tetor.

Pas veprimit të Dehmasaj, AKK ka konstatuar se me dorëheqjen e Arton Demhasaj nga pozita e anëtarit të KD të UP-së është shmangur konflikti i interesit.

Në anën tjetër, Demhasaj për KALLXO.com deklaroi se dorëheqje s’ ka dhënë vetëm për mundësinë e shkaktimit të konfliktit të interesit, por edhe për shkak të angazhimeve të tjera në punë.

Ai po ashtu është i mendimit se s’ ka pasur ndonjë konflikt të interesit në pozitën të cilën e ka mbajtur si anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së.

“Ajo çka mund të them është se kam dhënë dorëheqje si moti, diku ka gjysma e tetorit. Jo, se kam ditë që mundem me pas konflikt të interesit, por prapë, sipas mendimit tim, konsideroj që s’ ka konflikt të interesit meqenëqë ajo pozitë s’ka konflikt të interesit. Një OJQ me një universitet s’mundet me pas, andaj e mbaj këtë qëndrim. Unë kam dhënë dorëheqje edhe ngase ka qenë goxha e ngarkume si punë dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore, pos të tjerash”, tha Demhasaj për KALLXO.com.

Këshilli Drejtues është organi më i lartë drejtues i universitetit më të madh publik në vend. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv, institucional të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në të njëjtën kohë, KD është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.  Këshilli Drejtues është përgjegjës për buxhetin, personelin dhe infrastrukturën e UP-së.

KALLXO.com ka zbuluar vitin e kaluar se Agjencioni Kundër Korrupsion kishte ndërhyrë kur në këshill drejtues të UP-së ishte emëruar Laura Kryeziu-Selimi meqenëqë ajo ishte edhe drejtoreshë e një organizate joqeveritare, gjë që parashihte konflikt interesi për pozitën e re.

Sipsa vendimit të AKK-së që është publikuar me 11 dhjetor 2019, mbajtja e pozitave udhëheqëse në OJQ i sjell antarët e KD të UP-së në situatë të konfliktit të interesit.

Në atë kohë, Agjencia Kundër Korrupsion e kishte detyruar Kryeziu-Selimi që të japë dorëheqje nga pozita e drejtoreshës ekzekutive të organizatës “LGC” ngase  të qenurit anëtarë të KD të UP-së ishte konflikt interesi, më saktësisht kjo ishte në kundërshtim me nenin 13 dhe 14 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

KALLXO.com po ashtu ka raportuar edhe për raste të tjera të gjetjes së konfliktit të interesit nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Pas raportimit të KALLXO.com, AKK e detyron Milazim Gjocajn të heqë dorë nga pozita e dekanit

Anti-korrupsioni e detyron dekanin në universitetin “Haxhi Zeka” ta shuajë OJQ-në

Agjencia Kundër Korrupsionit detyron MKRS-në ta largojë nga puna ish-shefen e kabinetit të ministrit

.

 

 



Related posts