Pasqyra e gjakut: Cilat janë vlerat normale?


Pasqyra e gjakut Analizat e gjakut
Pasqyra e gjakut: Cilat janë vlerat normale?

Pasqyra e gjakut: Cilat janë vlerat normale?


Pavarësisht nëse keni frikë nga gjilpërat ose dhënia e gjakut, vizita në laborator është e domosdoshme për diagnostikimin e cilësdo sëmundje. Analizat e gjakut tregojnë nëse organizmi është i shëndoshë, nëse ekziston ndonjë proces inflamator, apo ekziston ndonjë sëmundje…

Që të mos pyetni se çfarë kuptimi kanë shkurtesat e pakuptueshme pranë numrave në letrën të cilën ua jep laboranti, ju këshillojmë ta lexoni në mënyrë të kujdesshme këtë tekst dhe të mësoni për vlerat referente të pasqyrës së përgjithshme të gjakut dhe për formulën leukocitare (që tregon numrin e leukociteve– qeliza të rëndësishme të mbrojtjes së organizmit).

Çka është Pasqyra e plotë e gjakut?

Pasqyra e plotë e gjakut është analizë themelore laboratorike e gjakut, e cila bëhet për vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes shëndetësore dhe për zbulimin e çrregullimeve të ndryshme, siç është anemia, infeksioni, sëmundjet virusale, gjendjen e ushqyerjes së organizmit dhe ekspozimin ndaj materieve toksike.

Me këtë analizë të gjakut krijohet një pasqyrë e numrit dhe kualitetit të eritrociteve, trombociteve dhe leukociteve.

Çka janë Eritrocitet dhe cili është funksioni apo roli i tyre?

Eritrocitet apo Rruazat e kuqe të gjakut janë qelizat të cilat përmbajnë hemoglobinën dhe bartin oksigjenin dhe dyoksidin e karbonit në organizëm.

Cilat janë vlerat referente të Eritrociteve?

Vlerat referente të eritrociteve janë:
M 4,5-6,3 x 10 në 12/l
F 4,2-5,4 x 10 në 12/l

Kur paraqitet rritja e numrit të eritrociteve?

Rritja e numrit të eritrociteve paraqitet te: dehidrimi, policitemia (sëmundje e rrallë)

Kur paraqitet ulja apo zvogëlimi i numrit të eritrociteve?

Zvogëlimi i numrit të eritrociteve paraqitet te: anemia

Çka janë Leukocitet dhe cili është funksioni i tyre?

Leukocitet apo qelizat e bardha të gjakut prodhohen në palcën kockore dhe kanë rol në mbrojtjen e organizmit nga infeksionet, me ç’rast secili lloj i leukociteve (janë pesë tipa) ka funksion të veçantë, që shihet në formulën leukocitare, e cila realizohet ndaras nga pasqyra e gjakut, kurse realizimi i saj rekomandohet si shtesë e domosdoshme e cila plotëson të dhënat për gjendjen e organizmit.

Cilat janë vlerat referente të Leukociteve?

Vlerat referente të Leukociteve janë: 4-10 x 10 në 9/l

Kur paraqitet rritja e numrit të leukociteve?

Rritja e numrit të leukociteve paraqitet kur kemi infeksion bakteror

Kur paraqitet ulja apo zvogëlimi i numrit të leukociteve?

Zvogëlim i numrit të leukociteve paraqitet te sëmundje virusale, te hemoterapia, te marrja e disa barnave.

Çka është Hemoglobina dhe cili është funksioni i saj?

Hemoglobina është përbërës i eritrociteve dhe paraqet kompleks proteinik, i cili e bart oksigjenin nga mushkëritë ne inde dhe dyoksidin e karbonit në drejtim të kundërt (nga indet në mushkëri).

Cilat janë vlerat referente të Hemoglobinës?

Vlerat referente të Hemoglobinës janë:
M 140-180 g/l
F 120-160 g /l

Kur paraqitet ulja apo zvogëlimi i Hemoglobinës?

Zvogëlimi i Hemoglobinës paraqitet kur kemi: anemi (paraqitet zakonisht bashkë me mungesën e eritrociteve, hemoglobinës dhe hekurit).

Çka është Hematokriti apo Çka paraqet Hematokriti ?

Hematokriti paraqet vëllimin e eritrociteve në njësi të gjakut.

Cilat janë vlerat referente të Hematokritit?

Vlerat referente të Hematokritit janë:
M 0,40-0,50 L/l
F 0,35-0,48 L/l

Kur paraqitet rritja e Hematokritit?

Rritja e vlerave të hematokritit paraqitet te: policitemia rubra vera (sëmundje e rrallë shkaktari i të cilës s’është i njohur, kurse paraqitet te personat e moshuar).

Kur paraqitet ulja apo zvogëlimi i Hematokritit?

Zvogëlimi i vlerave të hematokritit paraqitet te: dehidrimi, anemia.

Çka janë Trombocitet dhe cili është funksioni apo roli i tyre?

Trombocitet janë pllakëzat e gjakut, të cilat kanë rol në hemostazë (pengimin gjakderdhjes) dhe në koagulimin e gjakut

Cilat janë vlerat referente të Trombociteve?

Vlerat referente të Trombociteve janë: 150-400 x 10 në 9/l

Kur paraqitet rritja e numrit të Trombociteve?

Rritja e numrit të trombociteve paraqitet te: tromboza (koagulimi spontan i gjakut)

Kur paraqitet ulja apo zvogëlimi i Trombociteve?

Zvogëlimi i numrit të trombociteve paraqitet te: sëmundjet autoimune, gjakderdhjet e imta spontane, te marrja e citostatikëve, pas transfuzionit të gjakut.

Çka është Sedimentimi i Eritrociteve?

Çka paraqet Sedimentimi i Eritrociteve?

Sedimentimi i eritrociteve s’bën pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pasqyrën komplete të gjakut, por rekomandohet dhe kryesisht përcaktohet gjatë analizave hematologjike, për shkak se tregon për mundësinë e ekzistimit të ndonjë sëmundjeje dhe përcaktohet pothuajse te të gjitha sëmundjet.

Kjo vlerë (sedimentimi) paraqet shpejtësinë me të cilën eritrocitet (qelizat e kuqe të gjakut, rruazat e kuqe të gjakut) shtresohen në fundin e epruvetës së vendosur në mënyrë vertikale.
Shpejtësi normale e SE përjashton mundësinë e ekzistimit të sëmundjes, kurse sedimetimi i shpejtuar është indikator për kërkime të mëtutjeshme.

Cilat janë vlerat referente të Sedimentimit të Eritrociteve?

Vlerat referente të Sedimentimit të Eritrociteve janë:
M (20-50 vjeç) 3-13 mm/h
M (mbi 50 vjeç) 2-23 mm/h
F ( 20-50 vjeç) 4-24 mm/h
F (mbi 50 vjeç) 5-28 mm/h

Kur paraqitet rritja e vlerave të Sedimentit të Eritrociteve?

Rritja e vlerave të Sedimentit të Eritrociteve paraqitet në rastet e ekzistimit të infeksionit.

Çka është formula leukocitare?

Formula leukocitare, gjegjësisht pasqyra diferenciale e gjakut, nënkupton numrin e grupeve të veçanta të leukociteve. Për një analizë të mirë laboratorike, është e domosdoshme të përcaktohet formula leukocitare së bashku me pasqyrën e gjakut. Ekzistojnë tri grupe kryesore të leukociteve: granulocitet (neutrofilet, bazofilet dhe eozinofilet), monocitet dhe limfocitet.

Çka janë Neutrofilet?

Neutrofilet së bashku me monocitet shfaqin bazën e sistemit mbrojtës të organizmit.

Cilat janë vlerat referente të Neutrofileve?

Vlerat referente të Neutrofileve janë: 40 – 75%

Kur paraqitet rritja e numrit të neutrofileve apo neutrofilia?

Rritja e numrit të neutrofileve apo neutrofilia paraqitet te: infeksionet bakterore,traumat, djegiet, inflamacionet, infarkti. Janë sidomos të rritura te leukemia dhe sëmundjet e përhapura malinje

Kur paraqitet ulja apo zvogëlimi i numrit të neutrofileve apo neutropenia?

Zvogëlimi i numrit të neutrofileve apo neutropenia paraqitet te: infeksionet virusale, bruceloza, tuberkulozi, artriti reumatoid, çrregullimet e palcës kockore, mungesa e vitaminës B12.

Çka janë limfocitet?

Limfocitet prodhojnë antitrupa dhe bëjnë pjesë në mbrojtjen kundër viruseve.

Cilat janë vlerat referente të Limfociteve?

Vlerat referente të Limfociteve janë: 20-45%

Kur paraqitet rritja e numrit të Limfociteve apo Limfocitoza?

Rritja e numrit të limfociteve apo limfocitoza paraqitet te: infeksionet virusale (virusi Epstein Barr, Citomegalovirusi, rubeola), toksoplazmoza, bruceloza.

Kur paraqitet ulja apo zvogëlimi i numrit të limfociteve?

Zvogëlimi i numrit të limfociteve  apo limfopenia paraqitet: te mjekimi me kortikosteroide, infiltrimi i palcës kockore, AIDS-i, gjatë radioterapisë dhe hemoterapisë.

Çka janë Eozinofilet?

Eozinofilet marrin pjesë në mbrojtjen nga agjentët alergjikë dhe infeksionet parazitare.

Cilat janë vlerat referente të Eozinofileve?

Vlerat referente të Eozinofileve janë: 2-4%

Kur paraqitet rritja e numrit të Eozinofileve?

Rritja e numrit të eozinofileve apo eozinofilia paraqitet te: astma, alergjitë, urtikaria, ekzemat, rrezatimi, gjatë rikuperimit nga infeksionet.

Eozinofilia-mialgia është sindromë e cila karakterizohet me dhembje në muskuj dhe nyje, rritje të temperaturës, ekzantemë në lëkurë, ënjtje të
duarve dhe eozinofili.

Çka janë Monocitet?

Monocitet janë qelizat më të mëdha të gjakut dhe funksioni kryesor i tyre është fagocitoza (veprojnë si gëlltitës të qelizave të vdekura).

Cilat janë vlerat referente të Monociteve?

Vlerat referente të Monociteve janë: 2-10%

Kur paraqitet rritja e numrit të Monociteve?

Rritja e numrit të monociteve apo monocitoza paraqitet te: infeksionet akute dhe kronike, sëmundjet malinje.

Çka janë Bazofilet?

Bazofilet përbëjnë populacionin më pak të shprehur të leukociteve, të cilat marrin pjesë në përgjigjen alergjike të organizmit.

Cilat janë vlerat referente të Bazofileve?

Vlerat referente të Bazofileve janë: 0-1%

Kur paraqitet rritja e numrit të Bazofileve?

Rritja e numrit të bazofileve apo bazofilia paraqitet te: infeksionet virusale, urtikaria, miks-edemat, pas hemolizës dhe largimit të shpretkës.

Vlerat referente vlejnë për personat e rritur.