Për mjekët e QSUT që më shpëtuan jetën

loading...

E quaj një detyrim
t’ju shpjegoj miqve dhe dashamirësve të shumtë një problem të rëndë
shëndetësor, që sapo kam lënë pas. Pata një krizë të fortë tensioni, që u
shoqërua gati nga një gjendje kome për rreth dhjetë orë. Nipi im i
Pranvera Artioni dhe bashkëshortja ime e bekuar Pranvera më çuan pa
hezitim në urgjencën e Qendrës Universitare Shëndetësore “Nënë Tereza”.

Për dreq qëlloi ditë pushimi, po kjo gjë nuk ndihej në urgjencë, ku
unë shkova pa ndjenja. Di që në kohë rekord m’u gjet diagnoza dhe më
filluan një mjekim intensiv në mjediset e urgjencës. Në gjendjen që isha
unë nuk munda të fiksoj asnjë emër dhe asnjë fytyrë, por ishte ai ekip i
shkëlqyer mjekësor që më nxori nga thonjtë e sigurt të vdekjes.

Mbasi ndenja disa orë në urgjencë (nga të cilat s’mbaj mend asgjë) më
çuan një kat më lart, në reanimacionin qendror, ku vijoi trajtimi
intensiv. Reaminacioni qendror kishte një ekip të shkëlqyer djem e
vajzash të reja, të udhëhequr nga Profesor Doktor Ilir Ohri.

Nuk mund të them se kishte kushte ideale, por mund të them se kishte
kushte të shkëlqyera, përkushtim maksimal të ekipit mjekësor. Terapia e
tyre intensive dhe e studiuar më ngriti në këmbë për 24 orë. Dhe kjo gjë
u bë pavarësisht emrit tim, mbasi orët e fillimit isha një person gati i
panjohur si gjithë të shtruarit e tjerë. Aty nuk mungonte asgjë, po mbi
të gjitha pavijoni sundohej nga dashuria dhe pasioni i pabesueshëm i
ekipit mjekësor.

Edhe pas disa vizitave që më bëri në pavijon Drejtori i Përgjithshëm i
Qendrës “Nënë Tereza”, zotit Enkelejd Joti, asgjë nuk ndryshoi në
trajtimin tim, mbasi kisha marrë shërbimin maksimal qysh në fillim. Do
ishte në nderin tim t’i përmendja me emër e mbiemër të gjithë ata që më
shërbyen pa asnjë interes, por fatkeqësisht me përjashtim të Petrit
Mënkshit nga Zagoria nuk fiksova dot asnjë emër tjetër.

Kam qenë dhe në spitale me famë botërore, por askund nuk kam marrë
një shërbim të tillë dhe krejtësisht-krejtësisht FALAS. Njerëzit duhet
t’i provojnë një herë vetë spitalet tona shtetërore dhe pastaj të
shkruajnë e të flasin, por jo për të gjetur gjilpërën në kashtë.

Mund të them pa asnjë teprim se mjekësia jonë shtetërore është
bashkëkohore dhe ja kalon asaj privates nga cilësia e shërbimit dhe
pasioni i parrëfyer i ekipeve mjekësore. Nuk jam në gjendje të shkruaj
më shumë se kaq dhe pse rasti e do.

Po s’më mbetet gjë tjetër t’ju them njëmijë herë Faleminderit ekipit
të urgjencës dhe reanimacionit, që më shpëtuan jetën. Faleminderit
Profesorit Ilir Ohri, Faleminderit Profesor Ziniut, Faleminderit
Enkelejd Jotit.

Faleminderit të gjithëve dhe mirënjohje pa fund. Krenar që njoha këta
njerëz të jashtëzakonshëm të armatës sonë të shëndetit. Respekte pa
fund!

Arben Duka

loading...