Përsheshi i Festave – Simboli i Darkës së Vitit të Ri

loading...


Darka e Vitit të Ri në tryezat shqiptare s’ ka kuptim pa përsheshin me gjelin e detit.

Një  traditë e vjetër kjo, ku prej dekadash me radhë vijon të mbizotërojë në familjet shqiptare në darkën e vitit të ri.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tradicionale të gatuara nga amvisat shqiptare për mbrëmjen e ndërrimit të viteve.

Përgatitja e Përsheshit me Gjel Deti

Si fillim nisim përgatitjen e kulaçit, për të cilin do të duhet 1 kg miell, 1 lugë çaji sodë buke, dy vezë, kripë dhe ujë i vakët.

Kulaçi

Nisim përgatitjen e brumit duke hedhur miellin në një tepsi. Bëjmë një gropë në mes dhe hedhim, kripën, sodën dhe vezët.

Brumin e punojmë me dorë deri në momentin që masa do të bëhet kompakte por jo shumë e ngurtë.

përmes furçës së gatimit lyejmë një tepsi me pak vaj dhe shtrojmë brumin.

E fusim në furrë dhe e pjekim derisa në sipërfaqe të marrë një ngjyrë të artë në të kuqërremtë.

Më pas e nxjerrim nga furra dhe e mbështellim me një pecetë kuzhinë, e vendosim mbi një pjatë dhe e lëmë që të kullojë.

Përsheshi

Për përgatitjen e përsheshit baza është kulaçi i thërrmuar dhe lëngu i gjelit të detit. Në qoftë se preferoni mund të përdorni edhe të brendshmet e gjelit të detit. Gjithashtu do të duhen qepë të njoma, gjalpë ose vaj ulliri, kripë dhe nenexhik.

Në një tigan të thellë shtojmë vajin e ullirit dhe pak gjalpë, shtojmë qepët e njoma të grira hollë. I kavërdisim derisa volumi i tyre të bjerë.

Më pas shtojmë të brendshmet e gjelit të detit, të cilat më parë i kemi prerë në copa të vogla dhe vijojmë t’i kavërdisim.

Kulaçin të cilin e kemi thërrmuar më parë në copëza të vogla e shtojmë në tiganin ku kemi qepët dhe e kavërdisim pak.

Nga pak hedhim lëngun e gjelit të detit derisa sipërfaqja e kulaçit të jetë mbuluar. Shtojmë erëzat dhe kripë. Përsheshin e mbulojmë me kapak derisa lëngu të ketë avulluar dhe të jetë bashkuar me kulaçin.

Në përfundim, servireni përsheshin të nxehtë, të shoqëruar me një copë mishi nga gjeli i detit./AgroWeb.org

Related posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *