Përveç Blinken si Sekretar Shteti, këta janë katër të emëruarit e tjerë në Aministratën Biden

loading...


Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden pritet të emërojë të martën anëtarët e parë të kabinetit të tij, që sipas njoftimeve përfshijnë ish-zëvendës sekretarin e shtetit Antony Blinken në krye të Departamentit të Shtetit.

Zoti Blinken ka lidhje të ngushta me Presidentin e zgjedhur Biden. Ai ka shërbyer në role të nivelit të lartë të sigurisë kombëtare kur zoti Biden ishte nënpresident gjatë administratës Obama.

Emërimi i tij i pritshëm u raportua nga disa media të dielën vonë.

Ndër emërimet e pritshme për kabinetin e presidentit të ardhshëm Joe Biden, janë Linda Thomas-Greenfield, ish-ndihmës sekretare shteti, për ambasadore amerikane në OKB si dhe Jake Sullivan për këshilltar të sigurimit kombëtar.

Zoti Biden përzgjodhi gjithashtu zotin Alejandro Mayorkas për të kryesuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe ish Senatorin John Kerry si i dërguar i posaçëm i Presidentit për klimën.

Megjithëse s’ janë të njohur gjerësisht nga publiku amerikan, ish-zyrtarët Blinken dhe Sullivan e kanë ndihmuar zotin Biden të hartojë strategjinë që do të përfshijë afrim të menjëhershëm me aleatët e Amerikës, pasi lindën antagonizma nga politika e Presidentit Trump “Amerika, e Para”. Strategjia e administratës së ardhshme demonstron gatishmërinë për t’iu përgjigjur bashkarisht problemeve globale, si pandemia dhe krizave ekonomike.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden është zotuar ta rikthejë vendin në marrëveshjen bërthamore me Iranin, Po qe se Teherani rifillon respektimin e termave; rikthim në Paktin e Parisit për klimën; anulimin e planeve për daljen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe anulimin e rregullores ekzistuese që s’ lejon mbështetjen me fonde federale të grupeve bamirëse që diskutojnë abortin. Këto masa do të anulonin politika të administratës Trump dhe disa prej tyre pritet të hyjnë në fuqi shumë shpejt pas inaugurimit të residentit të ardhshëm më 20 janar.

Sipas njoftimeve të medias amerikane, presidenti i zgjedhur Biden pritet të njoftojë se do të emërojë zonjën Linda Thomas-Greenfield si ambasadore amerikane në OKB. Zonja Thomas-Greenfield, një afrikano-amerikane, është eksperte e politikave ndaj Afrikës dhe ka qenë në post të lartë gjatë administratës Obama.

The post Përveç Blinken si Sekretar Shteti, këta janë katër të emëruarit e tjerë në Aministratën Biden appeared first on Insajderi.

Related posts