Pesë familjeve në Komoran u rrënohen shtëpitë e ndërtuara në pronë publike

loading...

Pesë familje në fshatin Komoran të Drenasit pritet të mbesin në qiell të hapur në kohën kur në vend po mbizotërojnë reshje të rrëmbyeshme të shiut.

Komuna e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci ka nisur rrënimin e shtëpive në mënyrë që të lirojnë hapësirën për të ndërtuar shkollën profesionale. Sipas komunës pronarët e këtyre shtëpive janë shpallur si uzupatorë të pronës publike.

Nga pesë shtëpitë që ndodhen në atë zonë, një është rrënuar e në ditët në vazhdim pritet që të rrënohen edhe të tjerat.

Banorja B.H ka rrëfyer për KALLXO.com se para tetë vitësh kishin hyrë në kredi për ndërtimin e shtëpisë tashmë të rrënuar dhe sipas saj  njëjtë edhe shumica e familjarëve përreth jetojnë me rrogën nën mesatare. Ajo thotë se kanë pasur paralajmërim vetëm katër ditë më parë për “largimin e gjësendeve”.

“Na kemi hy në kredi 10 vjeçare për ndërtimin e shtëpisë, ku edhe mbeten 2 vite për pagimin e kredisë së shtëpisë që s’ ka mbetë më asgjë në të. Njëjtë janë edhe familjet tjera, jetojnë me rroga minimale në Kosovë”, thotë banorja.

Ajo ka thënë se lutjet s’ i janë marrë parasysh nga komuna që pritet të rrënojë shtëpitë e mbetura nesër.

“Gjendja është e mjerueshme, familjet kanë mbetur me gjërat e tyre në rrugë. Duke u munduar qe t’i strehojnë gjërat te njerëzit e tjerë të cilët dëshirojnë t’i ndihmojnë fshatit. Një javë më parë është rrënuar një shtepi, e forcat speciale me armë ushtarake, s’ kanë lejuar banorët të afrohen dhe s’ i kanë lejuar as të kundërshtojnë apo të revoltohen për atë që e kanë krijuar me mund e me ndjersë, kurse Komuna dhe kryetari s’ dëshirojnë të dijnë asgjë për banorët e shkretë. Nesër pritet me ardhë me i rrënu shtëpitë që kanë mbetë”, ka rrëfyer ajo.

Zyra për Informim në Drenas ka deklaruar për KALLXO.com se pronat në të cilat janë duke u bërë rrënimet janë pronë publike,  dhe pronarët me vendim të Komunës që nga viti 2017, janë të shpallur uzurpatorë të pronës publike dhe të njëjtit edhe pas shumë kërkesave për lirimin e atyre pronave, s’ i kanë liruar.

“Më qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e shkollës profesionale, projekt me interes të përgjithshëm, inspektorët komunalë, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për lirimin e asaj pjese, pasi që Komuna ka edhe marrëveshje me Ministrinë për lirimin e pronës publike në realizimin e projektit për ndërtimin e shkollës profesionale dhe objekteve përcjellëse”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ata thonë se edhe Ministria disa herë ka bërë kërkesë Komunës së Drenasit, për përshpejtimin e procedurave për lirimin e pronës publike, ku do të ndërtohet shkolla profesionale me objektet përcjellëse.

Mirëpo për kompensimin e pronës së dëmtuar nga Komuna thonë se në momentin që banorët vërtetojnë pronësinë e tyre do të marrin veprime, pasi që sipas tyre “s’ kanë asnjë të drejtë ligjore të bejë zgjidhjen e banimit te tyre”.

“Për pronat qe pretendojnë qe i kanë shfrytëzuar, te njëjtat s’ ekzistojnë, që ato janë shkatërruar. Te njëjtit kanë ndërtuar pa leje në pronë komunale, dhe rrjedhimisht janë uzurpator t9 pronës komunale. Në momentin qe prezantojnë ndonjë dokument i cili vërteton pronësinë e tyre ne ato prona, Komuna e Drenasit do të marr veprime për kompensimin e tyre. Deri sa te njëjtit janë uzurpator dhe kane njoftimin qe nga viti 2017 për lirimin e tyre. Komuna s’ ka asnjë të drejtë ligjore te bejë zgjidhjen e banimit te tyre”, thuhet tutje në përgjigje.

KALLXO.com ka siguruar disa fotografi nga gjendja pas rrënimit të disa shtëpive në Komoran.