Kur vjen puna tek ushqyerja, fëmijët kanë plot teka e naze.

Ndaj çdo amvisë përpiqet ta përshtasë menunë e ditës për të plotësuar nevojat dhe tekat e të vegjëlve.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni si të përgatisni pitet meksikane të cilat më pas mund t’i mbushni me djathë, perime apo krem çokollatë.

Pite Të Mbushura Plot Shije Për Fëmijë Dhe Të Rritur

Pitet në fjalë quhen Tortilla. Ato përgatiten shumë lehtë.

Përbërësit:

2 filxhanë çaji miell shumë-përdorimësh

Gjysëm luge çaji kripë

Treçerek filxhan çaji ujë

3 lugë gjelle vaj ulliri.

Në një enë të madhe përzieni miellin, kripën, ujin dhe vajin.

Përziejini me duar dhe më pas brumin punojeni në një sipërfaqe të pastër e të pluhurosur me miell për 10 deri në 12 minuta.

Pasi ta keni punuar brumin mirë me duar, lëreni të vijë për 10 minuta.

Më pas ndajeni në tetë copa dhe secilën prej tyre hapeni në formë rrethore.

Më pas, lyeni një tigan të thellë me pak yndyrë dhe tiganisini pitet në temperaturë mesatare nga një minutë në secilën anë.

Vendoseni njërën pite në pjatë dhe përgatisni mbushjet sipas shijes dhe preferencave tuaja dhe të fëmijëve.

Për shembull, piten mund ta lyeni me djathë, ta mbushni me perime, sallatë, sallam ose copa mishi, salca të ndryshme, mishra të ndryshëm e të tjerë.

Më pas sipër mund të vendosni piten tjetër dhe të dyja së bashku t’i prisni në forma dhe t’i servirni në pjatë.

Fëmijët mund të preferojnë një kombinim mes djathit por edhe të ëmblave siç është kremi i çokollatës.

Ju mund t’i përgatisni fëmijës tuaj një pjatë mikse me pite të mbushura me perime dhe mish dhe pite të mbushura me fruta dhe krem çokollatë.

Fëmijën mund ta përfshini edhe në gatimin e piteve duke e angazhuar në përgatitjen e brumit dhe duke kaluar më shumë kohë cilësore dhe pa shpërqendrime me ta.  /AgroWeb.org

Tags: