Premtimet e mëdha të Shpend Ahmetit akoma veç në letër

loading...


Zgjedhjet lokale të 2017 në kryeqytet ishin me rezultatin më të ngushtë ndonjëherë. Shpend Ahmeti, në atë kohë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje e fitoi mandatin e dytë për më pak se 300 vota përballë Arban Abrashit të LVV-së.

Besimin e qytetarëve të Prishtinës për një mandat të dytë, Shpend Ahmeti e fitoi duke u zotuar në realizimin e 100 projekteve.

Në  dokumentin 62 faqësh, Shpend Ahmeti kishte listuar  100 premtime që ai deklaronte se do t’i përfundonte brenda mandatit të tij 4 vjeçar.

Mirëpo, kur kanë kaluar mbetur më pak se një çerek nga mandati i tij, disa projekte madhore s’ kanë filluar aspak të implementohen, disa kanë mbetur vetëm në procedura të para, e disa prej tyre ndonëse kanë filluar s’ pritet të përfundojnë në këtë mandat.

Problemet e brendshme politike brenda Lëvizjes Vetëvendosje në fund të 2017 dhe në fillim të 2018 si rezultat patën ikjen e disa prej zyrtarëve të lartë të kësaj partie, të cilët rikonstruktuan Partinë Socialdemokrate, me vet Shpend Ahmetin kryetar të saj.

Që nga ai moment, Shpend Ahmeti humbi mbështetjen e disa prej këshilltarëve të Kuvendit Komunal, duke u ndarë, disa në LVV e disa në PSD.

Mirëpo, pavarësisht ndarjes, Ahmeti ishte zotuar se programin që e kanë përgatitur në zgjedhje, do ta çonte deri në fund. 

Një nga to është parkingu nëntokësor te fakulteti i Filologjisë, që pritet të krijojë hapësirë për rreth 500 vetura.

Ndërtimi i këtij parkingu ka disa javë që ka filluar, mirëpo në premtimin e Shpend Ahmetit ishin paraparë afate të tjera.

Në zotimin 29, Ahmeti kishte premtuar se do ta niste ndërtimin e parkingut në 2018. Poashtu ishte zotuar se parkingun do ta përfundojë brenda këtij mandati.

Mirëpo, kur nisi puna, në vjeshtë të vitit 2020, Ahmeti e pranoi publikisht se parkingu s’ do të përfundoj brenda mandatit të tij, por pas zgjedhjeve.

Për shkak të numrit të madh të veturave që hyjnë dhe dalin në Prishtinë gjatë ditës, krijohet një ngarkesë e madhe në qytet. Mungesa e parkingjeve përkthehet në uzurpim të trotuareve, ku shumë prej tyre janë të bllokuara nga veturat.

Sa i përket parkingjeve, Shpend Ahmeti i kishte bërë fushatë edhe projektit të pagesës së parkingjeve me anë të telefonit me sms.

Mirëpo, deri tash, qytetarët paguajnë me para në dorë dhe jo me sms.

Ahmeti kishte premtuar që pagesën me para në dorë  ta heq edhe nga trafiku urban, duke premtuar kështu një sistem të integruar të pagesës së biletave në autobusët urban. Thoshte se kjo do të ndodhë gjatë vitit 2018.

Në fund të 2020, në autobusët urban, qytetarët akoma paguajnë me para në dorë dhe marrin kuponin mbrapa.

Në kohën kur e gjithë bota po përballet më pandeminë COVID-19, në Kosovë po shpërfaqen problemet e sistemit shëndetësor, mungesa e infrastrukturës spitalore.

Mirëpo, Shpend Ahmeti kishte premtuar ndërtimin e një spitali gjatë zgjedhjeve. Ai e kishte arsyetuar nevojën për ndërtim të spitalit, duke thënë se Prishtina ndonëse kryeqytet, është i vetmi nga 6 regjionet e mëdha që s’ ka spital.

Premtimi i tij, thoshte se spitali do të filloj të ndërtohet në 2019. Në fakt, sot, ndonëse jemi gati në fund të 2020, ndërtimi i spitalit s’ ka filluar akoma. Madje sipas informacioneve nga Komuna e Prishtinës, akoma s’ është ndarë ndonjë lokacion për ndërtimin e Spitalit.

Në programin e tij “Prishtina, qytet në çdo lagje”, Shpend Ahmeti ishte zotuar edhe për ndërtimin e një qendre për Autizëm dhe Doun Sindrom. Ai premtonte se kjo qendër do të filloj punën në vitin 2019.

Familjet e prekura me Autizëm dhe Doun Sindrom shpresuan, por në fund u gënjyen. Në fund të 2020, kjo qendër s’ ekziston.

Një nga premtimet tjera ka të bëjë me “Pallatin e Rinisë”, i njohur në të kaluarën si “Boro Ramizi”. Ky pallat ishte djegur pjesërisht në vitin 2000 dhe që nga atëherë një pjesë e saj përdoret si parking.

Shpend Ahmeti gjatë fushatës së 2017, premtonte se sapo ta merrte pronësinë e Pallatit të Rinisë, që në atë kohë ishte në pronë të Qeverisë, do ta niste punën për ta kthyer atë në gjendjen e mëparshme dhe t’i kthehet qytetarëve. Ai premtonte renovimin e sallës së djegur, ndërtimin e pishinës olimpike dhe lidhjen e Pallatit të Rinisë me Grandin.

As edhe një ndryshim s’ është bërë në Pallatin e Rinisë. Pishinë s’ ka. Salla e djegur vazhdon të jetë parking dhe s’ ka asnjë lidhje mes platosë së Grandit dhe Pallati të Rinisë.

Mirëpo, në pronësi të Komunës, Pallati është që nga viti 2017. Objekti gjigand që u ndërtua për 2 vite, s’ u renovua as për 3 vitet e Shpend Ahmetit, por as për 2 dekada që nga djegia e një pjesë të saj.

Fushës së Arsimit u ishte dhënë mjaftueshëm hapësirë në planprogramin qeverisës të Shpend Ahmetit.

Aty premtohet ndërtimi i 5 shkollave të reja në lagjet Mati 1, Kalabria, Sofalia, Arbëria dhe Veterniku.

Ahmeti deklaronte se këto shkolla do të fillojnë në 2018 dhe do të përfundojnë brenda 1 viti e gjysmë apo 18 muajve.

Në fakt, sot është fundi i 2020 dhe në asnjë prej këtyre lagjeve s’ ka shkollë. s’ ka as shkollë në ndërtim.

Përveç shkollave, Ahmeti kishte premtuar edhe ndërtimin e 4 çerdheve të reja në lagjet: Kalabri, Veternik, Kolovicë dhe Bardhosh.

Përpos çerdhes në Kalabri, asnjë çerdhe tjetër prej atyre që ishin premtuar s’ është ndërtuar.

Qytetarëve që jetojnë në Kalabri Ahmeti u kishte premtuar se “Ndërtimi i Kolektorit” do të jetë prioritet për të gjatë qeverisjes së ardhshme.

Kështu ju kishte thënë edhe banorëve të Lagjes Mat.

Mirëpo deri më tani as në lagjen Mat e as në Kalabri s’ ka kolektorë dhe kundërmimi i kanalizimeve e pamundëson zhvillimin e një jete normale në këto lagje.

Në fushën e Kulturës dhe Artit, ishte premtuar ndërtimi i Sallës Koncertale, Teatrit të Qytetit dhe Ansamblit të Qytetit.

Procesi i tenderimit ndërkombëtar për projektin për Sallën Koncertale filloi ditëve të fundit, ndërsa akoma në Prishtinë s’ ka Teatër të Qytetit dhe Ansambël.

Në fushatën e 2017, ishte premtuar edhe revitalizimt i tregut të çarshia e vjetër. Mirëpo, përveç një prezantimit 3D, asnjë investim tjetër ndërhyrje tjetër në infrastrukturën e tregut s’ ka ndodhur.

Përveç tregut te çarshia e vjetër, ishte premtuar edhe ndërhyje tek tregu i Ulpianës. Mirëpo as aty s’ ka pasur investim nga ana e Komunës, ndonëse ishte premtuar.

Nga 100 zotimet e premtuara, është përmendur edhe strehimi i 250 familjeve brenda periudhës 3 deri 5 vjet.

Deri në gusht të 2020, sipas përgjigjeve të Komunës së Prishtinës janë strehuar vetëm 53 familje, derisa i kanë mbetur t’i strehoj edhe 198 familje të tjera, në mënyrë që të plotësohet premtimi.

Qytetarë të shumtë kanë shkruar në KALLXO.com, duke u ankuar për punimet e dobëta e të tej zgjatura nëpër lagjet e kryeqytetit. Sipas tyre, punimet e gjatë u kanë pamundësuar atyre zhvillimin e një jete normale.

Ankesa janë pranuar për udhën Agim Ramadani, ku punimet në trotuar s’ janë kryer si duhet. Poashtu është vendosur një shahtë e cila ishte paraparë që shfrytëzohet për ujin që bie pasë shiut. Mirëpo, vrimat e shahtës janë mbyllur me asfalt dhe tash uji vetëm kalon mbi të.

Shahta në udhën Agim Ramadani

Ndonëse disa prej projekteve s’ janë realizuar, Komuna e Prishtinës vazhdon ta përfundoj vitin me teprica buxhetore. Ai s’ do të mund ta arsyetoj mos mbajtjen e premtimeve me mungesë të buxhetit. Në vitin 2019, suficiti i Komunës së Prishtinës ka qenë 32 milionë euro.  Prej 110 milionë euro buxhet që kishte pasur, i kishte shpenzuar vetëm 78 milionë.

E njëjta situatë kishte qenë edhe vitin paraprak. Në 2018, suficiti i Komunës ka qenë 24 milionë euro. Prej buxhetit final që ka qenë 85 milionë euro, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar vetëm 61 milionë euro.

Zyra Kombëtare e Auditimi ka gjetur se për shkak të neglizhencës së Komunës, buxheti i saj dëmtohet mbi 4 milionë euro në vit. Kjo derisa Komuna s’ ka nisur të marrë kompensimin nga bizneset që shfrytëzojnë tokat e Komunës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se janë rreth 6 hektar tokë në zonën industriale të Prishtinës, për të cilat Komuna s’ merr asnjë kompensim. Sipas kalkulimit që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit, në bazë të çmimit të qirave që është 6 euro për metër katror, Komuna humb rreth 360 mijë euro në muaj apo 4.3 milionë euro në vit.

Poashtu, Komuna të cilën e udhëheqë Shpend Ahmeti ka vazhduar me praktikën e punësimit të punëtorëve me kontrata mbi vepër. Auditori ka gjetur se gjatë 2019, në Prishtinë janë punësuar 210 persona me kontrata mbi vepër.

ZKA ka kërkuar nga kryetari Shpend Ahmeti të gjejë zgjidhje dhe të këtë rekrutime konkurruese e transparente.

Në Debatin Jeta në Komunë, të vitit 2017, Shpend Ahmeti kishte premtuar se do të synojë që gjysma e drjetorive të Komunës së Prishtinës të udhëhiqet nga gratë.

Kwtij premtimi, Ahmeti ju wshtw ofruar pwr 1. Nga 16 drejtori që janë në Komunën e Prishtinës, 7 prej tyre udhëhiqen nga gratë, e 9 nga burrat. Në krahasim me mandatin e kaluar ku i kishte pasë veç 3 drejtori gra, këtë mandat ka pasur një afrim të dukshëm të kuotës gjinore në qeverisjen lokale.

Shpend Ahmeti ka reazliauar me sukses premtimin për Kuzhinën Popullore në Prishtinë. Qytetarët në nevojë të Prishtinës mund ta përdorin kuzhinën popullore për shujta ditore. Ky kishte qenë një nga zotimet me të cila ti kishte hyrë garës Shpend Ahmeti.

Poashtu, sipas përgjigjeve të Komunës së Prishtinës, është realizuar edhe Zotimi numër 3 i Shpend Ahmetit, që flet për mbledhjen e mbeturinave nëpër lagjet e kryeqytetit. Sot në Prishtinë, Komuna thotë se mbledhja e mbeturinave shtrihet në 100% të territorit të Komunës, ndonëse, Ministria e Pushtetit Lokal e ka renditur si të 20 në këtë fushë. Mirëpo ministria s’ llogaritë vetëm shtrirjen e rrjetit, por edhe inkasimin e mjeteve, orarin e mbledhjes së mbeturinave e të tjera.

Raporti i performancës së Ministrisë së Pushtetit Lokal e ka renditur në pozitën e 25 nga 36 komuna që janë në këtë raport.

Komuna e Prishtinës ka thënë në përgjigjet për KALLXO.com, se ka shtrirë shërbimin e mbledhjes së mbeturinave në gjithë territorin e komunës. Mirëpo Ministria e Pushtetit Lokal, në raportin e performancës e ka listuar Prishtinën si Komuna e 20 në vend për sa i përket menaxhimit të mbeturinave.

Në po këtë raport, Prishtina është listuar shumë dobët në ofrimin e shërbimeve komunale.

 Komuna e Prishtinës është renditur si Komuna e 33 më e dobët sa i përket performancën në ofrimin e shërbimeve administrative komunale. Para Prishtinës me performancë të dobët gjenden vetëm Shtërpca, Mitrovica Veriore dhe Zubin Potoku.

Komuna ka performuar dobët edhe në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. MPL e ka listuar si komuna e 32 më e dobët në ofrimin e kushteve për këto 3 aktivitete.

 

 



Related posts