Prioriteti ynë: Kthimi në Kosovë i shtetasve tanë të ngujuar në Zvicër

loading...

Bota po kalon njërën ndër krizat më të rënda të kohëve të reja dhe bashkë me të, edhe shqiptarët, kudo janë, krizën e pandemisë së koronaviorusit. Qytetarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër detyrohen gjithashtu të jetojnë me kushtet që dikton pandemia e rrezikshme. Një numër prej tyre janë prekur nga virusi në mënyra të ndryshme. Ka nga ata që janë infektuar, disa  edhe kanë humbur jetën por ka sidomos shumë sish që koronavirusi ua ka mbyllur rrugët me rëndësi jetike për ta, siç është rruga për në atdhe. Lidhur me këto dhe probleme tjera, këta të fundit adresën e parë për të kërkuar zgjidhje kanë konsullatat e Republikës së Kosovës në Zvicër. Në këtë kontekst, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me konsullin e Kosovës në Cyrih, z. Sami Kastratin, i cili flet për punën e konsullatës që ai drejton, në kushtet e pandemisë.

(KEYSTONE/Ennio Leanza)

Albinfo.ch: Si kanë funksionuar përfaqësitë konsullore kosovare në përgjithësi në Zvicër dhe a keni pasur bashkëpunim me autoritetet vendore në këtë kohë pandemie?

Sami Kastrati: Duke marrë parasysh situatën e krijuar si pasojë e pandemisë globale COVID-19  dhe masave shtrënguese të ndërmarra nga shteti ku ne shërbejmë, atyre në Republikën e Kosovës, por, edhe atyre nga shtetet e tjera, Misioni Diplomatik i Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës, përfshirë Konsullatat në Bernë, Gjenevë e Cyrih, por, edhe ato në shtete të tjera kanë kryer një punë jashtëzakonisht të mirë.

Ju keni qenë dëshmitarë se fillimisht ndërprerjet dhe reduktimi i shumë linjave ajrore la të ngujuar shumë shtetas të Republikës së Kosovës, jo vetëm në shtetin ku ne shërbejmë, por, edhe në disa shtete të ndryshme të botës nga Azia në Lindjen e Mesme dhe Evropë, të cilëve ju mundësua riatdhesimi vetëm falë një angazhimi dhe përkushtimi të madh dhe sistematik nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të gjitha Misioneve Diplomatike të Republikës së Kosovës dhe pa dyshim edhe Misionit tonë këtu në Zvicër. Të përballur me situatën e krijuar dhe të paprecedentë, puna jonë primare gjatë kësaj periudhe kohore u fokusua në tre drejtime:

E para, që t’i ndihmojmë shtetasit tanë, që ishin të ngujuar në shtete të ndryshme të botës, në mënyrë që të bëhet riatdhesimi i tyre në Republikën e Kosovës, duke kaluar apo shfrytëzuar transit Aeroportin e Cyrihut, i cili pothuajse kishte mbetur porta e vetme e lidhjes me Azinë dhe Lindjes së Mesme.

Në këtë drejtim, kthimi i disa shtetasve kosovarë që ishin të ngujuar në Mbretërinë e Tajlandës, pastaj nga Emiratet e Bashkuara Arabe, u bë i mundur vetëm falë angazhimit 24 orësh të Grupit Koordinues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Misioneve Diplomatike në këto shtete, garancive të ofruara nga Misioni ynë Diplomatik këtu në Zvicër dhe mbështetjes së madhe të ofruar nga Departamenti Federal për Marrëdhënie me Jashtë i Konfederatës Zvicerane. Me këtë rast, dua që t’i shpreh mirënjohje të thellë dhe respekt të veçantë kolegëve tanë nga Departamenti Federal për Marrëdhënie me Jashtë i Konfederatës Zvicerane, të cilët sinqerisht na ofruan mbështetje 24 orëshe, që këtyre shtetasve tanë t’u lejohet fillimisht nisja nga ato shtete, e pastaj edhe qëndrimi disa ditor në zonën tranzit të aeroportit të Cyrihut në një kohë shumë të vështirë dhe kur kërkesat ishin shumë të mëdha nga shumë shtete të botës. Udhëtimi i tyre ishte shumë i vështirë, pasi që në rrethana normale ata s’ do të lejoheshin të fluturonin, përderisa s’ kishte fluturim ndërlidhës në Aeroportin e Cyrihut për destinacionin final. Për këtë, ne ofruam edhe garancitë tona nëpërmjet Misionit tonë Diplomatik për organizimin e fluturimit të riatdhesimit nga Zvicra në Kosovë, gjë që edhe u realizua me sukses.

Fokusi i dytë i punës ishte ndihma e vazhdueshme e ofruar për qindra shtetas tanë, gjithashtu të ngujuar këtu në Konfederatën e Zvicrës, të cilët kishin ardhur qoftë për vizita familjare, biznesore, studimore e të natyrave të ngjashme. Ju e dini se të dyja shtetet kanë lidhje të fuqishme në mes vete në shumë drejtime. Në këtë drejtim ne, arritëm që të organizojmë dy fluturime të riatdhesimit për në Republikën e Kosovës me qindra shtetas të riatdhesuar me raste të ndryshme emergjente.

kurse, çështja e tretë e fokusit të punës tonë ishte ofrimi i dokumenteve – kryesisht nëpërmjet komunikimit elektronik për shtetasit tanë, që s’ kishin çështje urgjente, por kishin nevojë për dokumente për vazhdimin e leje-qëndrimit këtu, deri në krijimin e rrethanave të reja për kthim. Për këtë dua t’i falënderoj në mënyrë të veçantë edhe kolegët e mi Konsuj dhe stafin lokal në Misionin Konsullor për punën, angazhimin dhe përkushtimin e tyre gjatë kësaj kohe.

(KEYSTONE/Alexandra Wey)