Problemet e vjetra me kryetarin e ri në Kamenicë

loading...


Komuna e vogël e Kamenicës udhëhiqet nga kryetari më i ri në Kosovë, Qëndron Kastrati, por tre vite pas fillimit të mandatit e tij, në Komunën e Kamenicës vazhdojnë të ekzistojnë disa probleme të vjetra.

Mungesa e ujit, kanalizimit, ujësjellësit, bërlloku, mungesa e asfaltit e ndriçimit janë disa nga problemet me të cilat përballen qytetarët e Kamenicës.

Edhe në shëndetësi qytetarët përballen me mungesën e gjinekologut e pediatrit.

Por shumë prej këtyre problemeve  kanë mbetur nën hijen e reformës ose riorganizimit të shkollave. Për më shumë se një vit në Kamenicës kjo është bërë temë qendrore e diskutimit për Kamenicën.

Qytetarët s’ po e përkrahin, e kryetari s’ po zmbrapset në ndërkohë që disa fëmijë po vazhdojnë të humbin mësimin.

Qëndron Kastrati kishte premtuar se do t’i digjitalizojë shërbimet dhe kishte premtuar E- Kioskun,  me 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë. Disa nga shërbimet janë digjitalizuar, por E-kiosku s’ është vendosur

“Do të digjitalizojmë shërbimet, gjithashtu premtojmë edhe E-kioskun, ku 24 orë, 7 ditë në javë munden me i nxjerrë dokumentet, mjafton me pasë letërnjoftimin”, – kishte premtuar Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë”, në zgjedhjet komunale në vitin 2017.

kamenic
Foto: Denis Sllovinja

Reforma që la pa mësim qindra fëmijë

Plani për riorganizimin e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta i njohur ndryshe edhe si ‘reforma’ në arsim, s’ u përkrah nga shumë banorë.

“E para është arsim në shërbim të nxënësve, arsimi do të jetë në shërbim të nxënësve dhe s’ do të jetë në funksion të partisë dhe përfitimeve partiake”, – kishte premtuar Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë”, në zgjedhjet komunale në vitin 2017.

2968 nxënës kanë qenë pjesë e kësaj nisme të kryetarit Kastrati fati i të cilës s’ dihet akoma sesi do të vazhdoj në këtë vit shkollor.

Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.

Me vendimin për riorganizim parashihej mbyllja e 19 shkollave në këtë komunë.

Në raportin mbi organizimin e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta të publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Kamenicës është treguar sesi do të bëhet grumbullimi i nxënësve nëpër shkolla.

Pavarsisht kundërshtimeve të banorëve kryetari Qëndron Kastrati s’ është zbabrapsur nga kjo ide e tij. Ai ka marrë 3 vendime, një në gusht të viti 2019, një në janar dhe një në shtator.

Mirëpo asnjë nga këto vendime s’ janë respektuar, për cka edhe ka pasur protesta për të cilat është dashur intervenimi i policisë.

Komisioni për Arsim në Kuvendin e Koosvës, Avokati i Popullit si dhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj kanë kërkuar nga kryetari që të pezulloj këtë reformë.

Për këtë Komuna e Kamenicës paditur 23 prindër, me arsyetimin që s’ janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre, padi e cila më vonë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Sipas të dhënave të Komunës së Kamenicës, nga 25 shkolla në këtë komunë 13 prej tyre s’ kanë dalje emergjente.

Për dallim nga komunat e tjera në Komunë e  Kamenicës shumica e objekteve shkollore janë të reja, ose të renovuara.

Muaj më parë ka përfunduar renovimi i objektit në shkollën fillore ‘Rexhep Mala’ në Topanicë. ndërsa në përfundim e sipër është edhe objekti i ri i shkollës në Busavatë, shkollë të cilën kryetari Kastrati e ka mbyllur.

Në Komunën e Kamenicës, SHFMU dhe SHML janë 21 shkolla, 16 me mësim në gjuhën shqipe dhe 5 në gjuhen serbe.

Kamenica posedon dy çerdhe publike: një në qytet në gjuhen shqipe dhe një e komunitetit serb në Hajnoc, ndërsa së shpejti pritet një çerdhe edhe në Shipashnicë të Epërme.

Numri i fëmijëve në çerdhe është 70 në Institucionin Parashkollor “Filizat” dhe 65 ne Institucionin Parashkollor “Sunce” në Hajnoc, pra gjithsej 135 fëmijë.

“Komuna ka përshtatur një hapësirë në fshatin Shipashnicë e Poshtme që pritet të funksionalizohet si çerdhe së shpejti, dhe kapaciteti i saj është për 20 – 30 fëmijë”, thuhet në përgjigjet e Komunës.

KALLXO.com ka raportuar për konstatimet e Auditorit se në Kamenicë Komuna ka vendosur kritere diskriminuese për ndarjen e bursave për studentë nga të cilat padrejtësisht nga gara janë eliminuar 127 nxënës.

 

Kanalizimi, bërlloku dhe mungesa e ujësjellësit: probleme të përhershme për Kamenicën

I pari i Kamenicës ishte zotuar se do të bënte Kamenicën më të pastër për çështjen e kanalizimit, por, vetëm 23.21% e vendbanimeve kanë rrjet të kanalizimit. Që nga viti 2017 janë ndërtuar kolektorë në 5 fshatra.

“Zotimi i tretë është për një Dardanë të pastër ku do të angazhohemi që ta zgjidhim problemin e kanalizimit që s’ është i zgjidhur asnjë pikë”, – kishte premtuar Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë”, në zgjedhjet komunale në vitin 2017.

Në Kamenicë 23.21% e vendbanimeve e kanë të shtrirë rrjetin e kanalizimit i cili derdhet në lumenj.

Nga 56 vendbanime, 40 s’ kanë kanalizim, 5 kanë rrjet të kanalizimit duke përfshirë edhe kolektorin kryesorë, ndërsa 8 vendbanime kanë rrjetë të kanalizimit pa kolektorin kryesor.

Lumi ‘Krivareka’ i cili përshkon shumicën e territorit të kësaj komune, është i mbushur përplot mbeturina dhe një pjesë e kanalizimit të fshatrave përreth derdhet në këtë lum i cili kundërmon vazhdimisht sidomos gjatë verës.

Në afërsi të lagjes ‘Ardhmëria’ në Topanicë, qytetarët janë ankuar për gjendjen e keqe të udhës por edhe për kundërmimin dhe mbeturinat që ia sjell ky lum.

Komuna e Kamenicës, përballet akoma me problemin e deponive ilegale, pavarësisht që kryetari Kastrati në emisionin Jeta në Komunë kishte premtuar largimin e plotë të tyre.

I pari i Kamenicës s’ e ka mbajtur premtimin që mos ta lejojë asnjë deponi ilegale.Në Komunën e Kamenicës momentalisht gjenden 29 deponi ilegale të cilat janë duke u pastruar. Nga këto 29 deponi 11 janë të mëdha, 9 janë deponi të mesme, dhe 9 janë deponi të vogla. Nga këto 29 deponi të cilat janë duke u pastruar, 15 janë të amvisërisë, 2 janë ndërtimore dhe 12 janë të përziera.

“Shumë e thjeshtë kjo punë, së pari komuna duhet ta caktojë deponinë, dhe atëherë ke të drejtë me i dënu. s’ ka me pasë asnjë deponi ilegale” ”, – kishte premtuar Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë”, në zgjedhjet komunale në vitin 2017.

KALLXO. com ka vizituar deponinë e cila gjendet në dalje të fshatit Hogosht. Pavarësisht që largimi i saj ishte bërë në kuadër të fushatës ‘Ta pastrojmë Kosovën’, në këtë lokacion tabela e kësaj fushate është e rrethuar nga bërrlloku.

Deponia ilegale e berllokot në Hogosht

Poashtu KALLXO.com ka vizituar deponinë e cila gjendet në fshatin Hodonoc, deponi e cila është në mes të hapësirës së gjelbër të këtij fshati.

Deponia ilegale e berllokot në Hodonoc

 

Sipas përgjigjeve të komunës deri në fund të vitit 2019 ka qenë i përfshirë në grumbullim të tyre vetëm 34% e territorit.

“Deri në fund të këtij viti pritet të arrijmë mbulueshmërinë deri në 85%. Aktualisht këtë çështje jemi duke e rregulluar në bazë të Planit të Veprimit për Menaxhim të Mbeturinave, ku kemi arritur në fazën e dytë të implementimit të projektit”, thuhet në përgjigjet e komunës.

Sipas të dhënave të Komunës së Kamenicës, nga 58 vendbanime sa ka kjo komunë në vetëm në 22 prej tyre bëhet grumbullimi i mbeturinave nga kompania përgjegjse.

Mjaftë e ‘varfër’ Komuna e Kamenicës është edhe porsa i përket furnizimit me ujësjelëls 58 vendbanime vetëm në 9 prej tyre ka ujësjellës.

Qëndron Kastrati, kishte premtuar kyçjen në ujësjellës për secilin vendbanim, por se ka mbajtur këtë premtim ngaqë, vetëm 9 nga 58 vendbanimet kanë ujësjellës. Që nga viti 2017 rrjeti i kanalizimit është shtrirë në katër fshatra.

Në mandatin e kryetarit Qëndron Kastrati janë finalizuar projektet e ujësjellësit dhe i janë dhënë për menaxhim KRU “Hidromorava”, ujësjellësi në fshatrat: Karaqevë e Poshtme, Kopernicë, Kolloleq, Shipashnicë e Epërme, Koretin.

“Identifikimin e burimeve të reja të ujit, dhe kyçjen në ujësjellës për secilin vendbanim, po ashtu kryerjen e testeve të rregullta për cilësinë e ujit”, – kishte premtuar Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë”, në zgjedhjet komunale në vitin 2017.

Sipas përgjigjeve të komunës, në prag të finalizimit janë edhe disa fshatra për të cilët kontrata është nënshkruar me 15.07.2013 mes CDI së dhe Komunës por që s’ është zbatuar nga qeverisjet e kaluara.

“Në proces të kryerjes së punëve është edhe ujësjellësi në fshatrat (Rogaqicë, Muçivërc, Dajkoc, Shipashnicë e Poshtme, Novosellë dhe Hodonoc). Kontrata e ujësjellësit me donatorin CDI për fshatrat: Muqiverc, Dajkoc, Rogaqicë, Novosellë dhe Hodonoc Për 6 vite kjo kontratë s’ është zbatuar. Në vitin 2019 ka filluar zbatimi i kësaj kontrate dhe është zgjeruar edhe me Shipashnicen e Poshtme”, thuhet në përgjigjet e komunës.

Sipas komunës Implementimi i këtij projekti është i një rëndësie shumë të veçantë, pasi bëhet fjalë për furnizimin e gjashtë fshatrave me ujë të pijes me 7896 banorë.

ndërsa në fshatin Topanicë, deri para pak kohësh ujësjellësi ishte menaxhuar nga vet banoret për tu bartur tek KRU “Hidromorava”.

E pikërisht në Topanicë, kryetari Kastrati e ka përmbushur premtimin e tij për rregullimin e urës në këtë fshatë, urë e cila kishte qenë premtim nga të gjitha qeverisjet paraprake.

“Çdo palë zgjedhje është premtu ura, por s’ është bërë. Ne s’ bëjmë tregti me votën, fshatarët kanë me i përzgjedhë se cilat projekte duhet me u zgjidhë këtë vit, cilat projekte dhe ma tutje”, – kishte premtuar Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë”, në zgjedhjet komunale në vitin 2017.

 

Komuna ku ‘lulëzojnë’  ndërtimet pa leje

Në qendër të qytetit të Kamenicës janë dy objekte të cilat sipas burimeve të KALLXO.com s’ kanë leje të ndërtimit.

Qendra tregtare ‘Besa Center’ dhe veranda tek kafiteria ‘Moleri’ janë dy objekte që operojnë pa leje ndërtimi.

Objekti i qendrës tregtare ‘Besa Center’ dhe veranda te kafiteria ‘Moleri. Foto/KALLXO.com

 

Sipas komunës, objekti në fjalë s’ ka pasur leje për mbindërtim, por pavarsishtë kësaj ka vazhduar punët.

Kërkesa për mbindërtim është refuzuar nga DUPH-ja me Aktvendim Nr. 167 / 2015 i datës 16. 10.2015 e protokolluar në QSHQ, Sh 06 Nr. 32680  datë 20.10. 2015. Për procedura tjera është kompetent Inspektorati Komunal – Inspektori i Ndërtimit, gjithashtu objektet janë duke u trajtuar me ligjin e ri për ndërtimin e objekteve pa leje”, thuhet në përgjigje të Komunës.

E njejta procedurë ishte ndjekur edhe me verandën e kafiterisë ‘Moleri’ veranda e së cilës sipas komunës është pa leje.

“Drejtoria e Urbanizmit e ka shqyrtuar kërkesen Nr. 33617 e datës 30. 10. 2015 dhe me Aktvendim Nr. 185/ 15 date 20. 11. 2015 kërkesen e ka refuzuar. Arsyeja e refuzimit: Prona komunale, pa vendim të Kuvendit Komunal për dhënien në shfrytëzim, dhe sipas PDU-s vend i rezervuar për gjelbërim në kuadër të parkingut publik. Objektet janë duke u trajtuar me ligjin e ri për ndërtimin e objekteve pa leje”, thuhet në përgjigje të komunës.

Në Kamenicës sipas komunës, që nga viti 2018 janë 23 ndërtime pa leje ndaj të cilave janë marrë masa të ndryshme.

Qyetetarët janë ankuar për një gropë të madhe mbrapa ‘Sun Bar’ në të cilën  sipas tyre komuna ia ka ndërprerë punimet një investitori që synonte të ndërtonte banesa në atë lokacion.

Gropa e madhe mbrapa ‘Sun Bar’/ Foto: KALLXO.com

Sipas tyre ja mbi 1 vit që ajo gropë ka mbetur e hapur dhe që paraqet rrezik për fëmijët që luajnë pranë saj.

KALLXO.com ka biseduar me pronarin i cili ka thënë se kanë mbi 1 vitë që komuna ia ka ndërprerë punimet, por që s’ ka dashur të jap më shumë detaje për këtë problem.

Në anën tjetër për këtë, komuna ka thënë se ‘Investitori ka hapur gropen pa u pajisur me leje ndërtimi’.

Komuna e Kamenicës ka zhvilluar procedurë juridike adiministrative ndaj 27 uzurpatoreve të pronës publike.

Vetëm 0.4 për qind e Komunës së Kamenicës ka planë zhvillimor urban dhe plan rregullues për zonën urbane, ndërsa me Plan Zhvillimor Komunal është i mbuluar i gjithë terriori i Kamenicës.

Komuna e Kamenicës s’ ka planë të reagimit emergjent, por posedon vetëm dokumentin e vlerësimit të rrezikut.

ndërsa, sipas zyrtarëve komunal, sfida më e madhe në raport me katastrofat natyrale është në zonat e malësisë kur niveli i të reshurave nga shiu e bora është më i madh dhe rrezikohet izolimi i qytetarëve në këto lokalitete, apo vërshimet.

Gjithashtu, edhe rrëshqitja e dheut është një nga sfidat e komunës së Kamenicës. Në lagjen ‘Çamëria’ në Kamenicë, qytetarët janë në hallë me rrështijen e dheut.

Rrëshqitja e dheut në Lagjen Çamëria/Foto:Kallxo.com

Kamenica pa gjinekolog e pediatër

Në emisionin Jeta në Komunë, kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati kishte premtuar se Kamenicës do ti siguronte një gjinekolog. Qëndron Kastrati e ka mbajtur premtimin për sjelljen e gjinekologut në Kamenicë. Gjinekologu vjen në Kamenicë vetëm 3 ditë në javë nga 4 orë punë.

Kastrati madje kishte akuzuar kandidatët e tjerë se po ja kopjojnë plan programin e tij.

“Po gjithsesi, edhe këtë e kanë marrë prej programit tonë këtë çështje, deri tash pse s’ ka pasur gjinekolog është se i kanë zënë të gjitha vendet për anëtarët e partisë”- kishte premtuar Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë”, në zgjedhjet komunale në vitin 2017.

Mirëpo ndonëse kanë kaluar gati 3 vite që prej kur ka marrë nën drejtim Kamenicën, akoma s’ ka gjinekolog.

Kamenica poashtu s’ ka as pediatër, për të cilin kanë thënë për KALLXO. com se vazhdimisht janë munduar që ti sigurojnë këto profile.

“Pas pensionimit të dy doktorëve nga profili i Gjinekologjisë e Pediatrisë, në QKMF ku kryhen shërbimet primare, s’ janë kryer shërbimet e lartcekura. Ne kemi bërë përpjekje që t’i sigurojmë këto profile por fatkeqësisht kemi mungesë të specializantëve në këto dy fusha. Më shumë se tre herë kemi hapur konkurs për gjinekolog dhe askush s’ është paraqitur”, thuhet në përgjigjet e komunës.

Mirëpo 3 ditë ne javë me 4 orë punë, në Kamenicë vie një gjinekolog tek i cili qytetarët mund ti kryejnë kontrollet.

“Kemi arritur që në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, të sigurojmë një gjinekolog që do t’i kryej kontrollet në Kamenicë tri ditë pune në javë nga katër orë”, thuhet tutje në përgjigje.

Ndonëse s’ ka as gjinekolog e as pediatër, objekti i ri i Gjinekologjisë, Pediatrisë e Urgjencës është përuruar në maj të këtij viti.

Në Kamenicë poashtu është funksionalizuar Klasë Këshilluese për nëna dhe fëmijë. ndërsa qytetarët analizat laboratorike mund të kryejnë në dy laboratorët e kësaj komune të cilët sipas qytetarëve janë funksional.

ndërsa minimalja e kohës së reagimit të autoambulancës është 5-8 minuta brenda qytetit dhe mesatarja 1h e 30 min në zonën më të thellë të largët.

KALLXO.com ka vizituar ambulanten në fshatin Roganë, nga fotografitë  e bëra aty mund të shihet mungesa e mjeteve higjenike dhe gjendja e kësaj ambulante.

Qendrën e Mjekësisë Familjare në Rogoqic në gjendje të keqe, pa sapun

Në Hodonoc ambulanta e fshatit është mbyllur, ani pse objekti është i ri. Sot banorët e Hodonocit marrin shërbimet e tyre në Roganë, ndërsa banorët e lagjes serbe në këtë fshatë detyrohen të shkojnë në Ranilug.

Ambulanta e mbyllur në Hodonoc

 

Premtimi për 50 për qind gra

Kamenica është ndër të paktat Komuna ku 50 për qind e drejtorive iu janë besuar grave.

Qëndron Kastrati ka mbajtur premtimin edhe për emërimin e më shumë se 50 për qind gra drejtoresha.

“Synojmë mbi 50 për qind të jenë gra”, – kishte premtuar Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë”, në zgjedhjet komunale në vitin 2017.

Nga 12 drejtori, 6 prej tyre udhëhiqen nga gratë, në drejtorinë e Administratës së Përgjithshme drejtoreshë është Brikenë Ramabaja, ushtruese e detyrës për Drejtorinë e Arsimit është Mirhane Morina, Krenare Mavriqi udhëheqë me drejtorinë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Suna Zajmi – Krasniqi Shëndetësinë, Pajtesa Kryeziu udhëheqë drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Majlinda Krasniqi udhëheqë drejtorinë e Zhvillimit ekonomik.

ndërsa sipas komunës në total, përqindja e grave të punësuara në Komunën e Kamenicës është 37.10%.

Edhe drejtoresha e organizatës “Fortesa” Sanije Jahiri e ka konsideruar si një ndryshim pozitiv udhëheqjen e ndarjen e barabartë të drejtorive në Kamenicë.

“Jam shumë e kënaqur ngaqë tani është në rritje çështja e barazisë gjinore, kryetari i tanishëm i ka 6 drejtoresha por prap s’ jemi të kënaqura në kuotën e 30 për qindëshit”, ka thënë ajo.

Në vitin 2019 në Kamenicë ka pasur rritje të rasteve të regjistrimit të pronës në emër të grave.

Sipas përgjigjeve të drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi vetëm në vitin 2019 kanë qenë 48 raste të regjistrimit të pronës në emër të grave.

“Për periudhën vitin 2018 kemi 37 raste të reja të regjistruara në emër të grave, për vitin 2019 kemi 48 raste, ndërsa për vitin 2020 dy raste”, thuhet në përgjigje.

Ndonëse zgjedhjet për të parin e komunës, Qëndron Kastrati i kishte fituar si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Kastrati ishte në mesin e të pakënaqurve nga kjo parti, për të kaluar pastaj në PSD.

E në asamblenë komunale nga PSD, Kastrati ka vetëm 3 asamblistë. Edhe PDK ka vetëm 3 ulëse.

Përderisa ish-partia e Kastratit, LVV dhe LDK ndajnë numrin e njëjtë të ulëseve, pra nga 5 ulëse.

Edhe AAK dhe AKR ndajnë numrin  e njëjte të ulëseve në asamblenë komunale, nga 4 ulëse kanë secila prej tyre.

Nisma Socialdemokrate ka vetëm një ulëse dhe Lista Serbe ka dy ulëse.

Tenderët e dhënë në Kamenicë në qeverisjen e Qëndron Kastratit

Për dy vite qeverisje të udhëhequr nga Kryetari Qëndron Kastrati, Komuna e Kamenicës ka hapur tenderë të ndryshëm për nevoja të komunës.

Tenderët kryesisht kanë qenë në fusha të ndryshme, si urbanizëm, shërbime publike dhe kulturë.

Komuna e Kamencës  në qershor të këtij viti ka nënshkruar kontratë për rregullimin e shtratit dhe zonave të degraduara të lumit Desivojcë.

Kjo kontartë e fituar nga “ Grupi i Operatorëve ekonomik Abror Group SH.P.K i ka kushtuar komunës rreth 477 mijë euro dhe pritet të zgjasë saktësisht një vit.

Afro pesë mijë euro i kishtë dhënë Komuna me në krye Qendron Kasratin për dezifketimin e hapësirave brenda objektit të komunës gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Ky tender me procedura të negociuara ishte fituar nga “Ahmet R. Rrustemi B.I”

Në periudhen  e karantinimit në Kosovë, kur procesi mësimor  u zhvendos tërësisht në mësim nga distanca, Komuna e Kamenicës shpalli tënder për shtrirje të rrjetit të   internetit në Fshatrat e Malësisë.

Ky tender i cili u zhvillua më procedura të negociuara u fitua nga “ Kamecianët SH.P.K” dhe kushtoi mbi katër mijë euro e gjysmë.

Në tetor të vitit 2019, Komuna e Kamenicës i kishte ndarë 162 mijë euro për renovimin e Shtëpisë së Kulturës, “ Isa Kastrati”.

Këtë tender e kishte fituar Grup i Operatorëve Ekonomik CDC SH.P.K.; K-ING SH.P.K.

Mbyllja e gropave në udhët lokale të Kamenicës i kishin kushtuar komunës mbi 17 mijë euro në prillin e vitit 2019.

Për këtë punë ishte shpallur tenderi në mars të 2019 ndërsa në prill tenderin e kishe fituar kompania, “ VARNA SH.P.K.”.

Sporti dhe Kultura me probleme të shumta në Kamenicë

Kastrati kishte premtuar se do ta ndërtojnë sheshin e qytetit dhe do t’i jepte prioritet kulturës dhe sportit në Kamenicë. Ndërtimi i sheshit ka filluar.Për 10 klube sportive Drejtoria e Kulturës dhe Sportit në Kamenicë për vitin 2019 i ka ndarë 29 mijë e 600 euro.

“Kamenicës ia ofrojmë sheshin e qytetit, është njëra prej komunave që s’ ka pasur shesh deri më tani, edhe kulturën dhe sportin e kemi prioritet dhe do t’i mbështesim sportistët e Dardanës”, – kishte premtuar Qëndron Kastrati, në debatin “Jeta në Komunë”, në zgjedhjet komunale në vitin 2017.

Klubi i Atletikës “Rogana”, funksionon që nga fundi i vitit 2005 dhe ka nxjerrë shumë atletë të njohur të cilët kanë garuar edhe në lojëra olimpike, kampionate botërore, kampionate europiane. Vijona Kryeziu dhe Musa Hajdari, kanë qenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Rio 2006”, në Brazil.

5 mijë euro i ka ndarë komuna për Klubin e Atletikës “Rogana”, për vitin 2019.

Zijadin Kryeziu, trajner në klubin atletik “Rogana”, tregon se ky klub bën pjesë në kategoritë e pionerëve, juniorëve, seniorëve dhe të veteranëve.

“Rogana ka pothuajse të gjitha kategoritë, prej pionerëve, juniorëve, senior dhe kategoria e veteranëve. Për momentin jemi 15 atletë në të gjitha kategoritë, ngaqë po të shkojmë në numër më të madh duhet kosto e mjeteve, për atë arsye ne zakonisht i freskojmë gjeneratat me atletë të rinj sikur tani kemi atletët senior më të mirët në Kosovë siç janë Musa Hajdari dhe Vijona Kryeziu, Granit Kryeziu, Astrit Kryeziu, Kreshnik Baxhuku, Valentin Sadiku, i freskojmë edhe me junior”, ka thënë Kryeziu për KALLXO.com.

Atletët e klubit “Rogana”, edhe pse e përfaqësojnë Kosovën në lojëra olimpike, kampionate botërore e europiane, kanë pak përkrahje financiare nga Komuna e Kamenicës dhe nga niveli qendor.

“Të bësh gara në Lojëra Olimpike, në kampionate botërore, në kampionate europiane, ne kemi marë pjesë tre herë në kampionat botërorë po ashtu në kampionate europiane dhe në kulmin e sportit në Lojëra Olimpike. Ka përkrahje minimale si nga qeveria qëndrore ashtu edhe nga ajo komunale. Këto janë shumë pak për mos të thënë hiç”, ka treguar Kryeziu.

Atletët kamenicas përballen më dy vështirësi kryesore të cilat i mundësojnë aktivitetet e tyre në atletikë, infrastrukturën dhe mjetet financiare.

“Vështirësia kryesore është infrastruktura e para, e dyta thjeshtë janë mjetet financiare për të cilat, po ta marim një paralele dhe t’i shikojmë klubet e futbollit edhe në Ligën e Dytë, tretë paguhen sportistët, ndërsa tek ne, në atletik kjo s’ ndodh ngaqë fatmirësisht unë kam dy tre burësistë që marin nga Komiteti Olimpik i Kosovës, jo mjaftueshëm. Po ashtu kur marim rezultate të mira, marrim benificione, por ato janë shumë pak për mos met thanë hiç, për nivelin që kanë këta garues”, potencon Kryeziu.

Shtegu i atletikës në stadiumin “Agush Isufi”, i cili shfrytëzohet nga KF Dardana, është i dëmtuar prej ndërtimit të tij dhe s’ është i ndërtuar mirë, duke bërë që atletët e klubit “Rogana”, të ndjehen të rrezikuar nga lëndimet saherë që stërvitin në këtë shteg.

“Në Kamenicë është ndërtuar një shteg, dy herë, tri herë s’ është pranuar, e kemi pasur një anëtarë tonin në komision, kot, i njëjti prapë ka ardhë me e përmirsu, por një njëri që s’ dinë me e punu atë punë edhe 10 herë prapë keq ka me e bërë. Është qaq keq i punuar që s’ ta mer mendja. E shfrytëzojmë gjithnjë me rrezikun e lëndimit, çdo moment pritet me u lëndu”, ka treguar Kryeziu.

Për fund, trajneri Zijadin Kryeziu ka një kerkesë për Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastratin.

“Pyetje ime kryesore kish me qenë, thjeshtë që kur do ta ketë Kamenica një shteg të atletikës, s’ po them të përmasave të mëdha për gara, por thjeshtë për tu shërbyer”, është kërkesa e trajnerit Zijadin Kryeziu.

Në Kamenicë bëjnë gara tri klube të futbollit, KF Kika dhe KF Dardana, garojnë në Ligën e Parë, ndërsa KF Bashkimi nga fshati Koretin bën gara në Ligën e Dytë.

KF Dardana është i vetmi klub që e ka të ndërtuar stadiumin, investimi i cili është bërë nga Qeveria e Kosovës.

Stadiumi i KF Kikës në Hogosht, njihet për pamjen e tij mahnitëse pasi rrethohet nga malet i cili konsiderohet si “Camp Nou i Kosovës”. Por, ky stadium përveç zhveshtoreve dhe pankinave, ka mungesë të infrastrutkurës.

 

Komuna e Kamenicës kishte nisur punimet për ndërtimin e murit dhe rregullimin e shkallëve për këtë stadium, por nga viti 2018 e deri më tani janë ndërprerë punët dhe s’ kanë vazhduar më, duke mos pasur vend tifozët se nga ta përcjellin skuadrën e tyre të zemrës.

Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, ka treguar se kur ka nisur ndërtimi i murit dhe i tribunave të stadiumit të “KF KIKËS”, në Hogosht dhe si ka mbetur puna e këtij stadium.

“Punët ndërtimore për realizimin e projektit të Stadiumit K.F. KIKA: Punët e dheut kanë filluar të kryhen në vjeshtën e vitit 2018, ndërsa në pranverën e vitit 2019 kanë filluar punët si themeli dhe muri i tribunave. Gjatë punimeve është vërejtur nga Organi mbikëqyrës dhe Menaxheri i projektit, se s’ i janë përmbajtur projektit kryesor andaj janë ndërprerë punimet. Është bërë shqyrtimi i markës së betonit, ku ka rezultuar me rezultat shumë të dobët. Kompanisë i është propozuar që të rrënohet muri dhe të rindërtohet muri me themelet. Investitori s’ i ka kryer punimet dhe lënda tani është në procedurë gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor për KALLXO.com.

Pamje stadiumi i KF Kikës në Hogosht/Foto: KALLXO.com

Komuna këto tri ekipe për vitin 2019 i ka përkrahur mjaftë pak, shumë e cila s’ mjafton për zhvillimin e një sezoni.

KF Dardana është ndihmuar me 5 mijë euro, ndërsa KF Kika dhe KF Bashkimi me nga 4 mijë euro.

Kamenica vazhdon të funksionoj me vetëm një palestër sportive, përderisa ka 6 stadiume dhe dy poligone.

Stadiumet në që gjenden në Komunën e Kamenicës janë : stadiumi i Qytetit “ Agush Isufi, stadiumi i KF “ Kika” ne Hogosht, stadiumi i KF” Bashkimi” Koretin, pasta ai në fshatin Karaçevë, në Muqiverc dhe në Topanicë.

Renovimi i shtëpisë së kulturës “Isa Kastrati”, ka nisur që nga viti 2018 dhe akoma s’ ka përfunduar.

Shtëpia e kulturës “Isa Kastrati”

Nga Viti 2017 në Komunën e Kamenicës kanë filluar renovimi dhe ndërtimi në këto objekte kulturore. Disa prej tyre janë rinovuar e ndërtuar, e disa janë proces, sikurse Renovimi i Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati”, shtëpia muze e Nuhi Berishë, ajo e Rexhep Malëas.

Poashtu edhe plesta e sportit në Kamenicë dhe stadiumi i qytetit “Agush Isufi” janë në proces të renovimit.

Mirëpo qendra rinore e Kamenicës vazhdon të jetë në gjendje të keqe.KALLXO.com ka vizituar këtë qendër në të cilën s’ ka mbetur asgjë përveq murve të shkatrruara si dhe mbeturinave të shumëta.

Në përgjigjen e Drejtësisë për Kulturë, Rini dhe Sport, thonë se në Objektin e Qendrës Rinore planifikojnë ta bëjnë qendër rekreative në të cilat do të ndërtohen salla për aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive.

“Po planifikojmë një qendër rekreative: salla për aktivitete të ndryshme kulturore e sportive, shah, ping-pong, bilardo për grup-mosha të ndryshme. Në këtë objekt planifikojmë të ketë edhe salla të veçanta  për aktivitete të ndryshme të grave”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Fluturaket në Kikë që prodhojnë energji me erë i sjellin turist Kamenicës 

Në vitin 2018 në Kikë, u inaugurua “Air Energy”, pikën e prodhimit të energjisë.

Pas inaugurimit ky vend sjellë çdo ditë shumë vizitorë pasi pamjet janë fantastike, ani pse infrastruktura s’ ka mbërritur deri te fluturat që prodhojnë energji.

Parku Energjetik me Erë Kitka është projekti i parë në Republikën e Kosovës për prodhimin e Energjisë Elektrike nga Era. Ky projekt përbëhet nga 9 turbina për prodhimin e Energjise Elektrike nga era me fuqi 3.4Më për turbinë.

Ne këtë projekt u angazhuan me shume se 100 punëtorë dhe specialist te lamive te ndryshme si në ndërtim ashtu edhe ne testime.

Projekti u investua nga kompania Turke GURIS dhe u implementua ne tërësi nga kompania ELECTRA.

Electra e përfundoi projektin me staf vendore dhe me një sukses te jashtëzakonshëm ku ky projekt (32.5Më) u përfundo brenda 12 muajve.

E pikërishtë ngaqë zona e maleve të Kikës ka potencial të madh për ta zhvilluar turizmin. Një pjesë e investitorëve pritet të bëjnë një projekt për ndërtimin e vilave të njohur si KIKA Hill.

Prodhimi i Energjise me Erë ne Kamenice/ Foto: Denis Sllovinja
kamenic
Prodhimi i Energjise me Erë ne Kamenice/Foto: Denis Sllovinja

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura s’ përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).



Related posts