Profesori anëtar i AAK-së emërohet anëtar në Këshill Shtetëror të Cilësisë

loading...

Binak Beqaj, profesor në kolegjin UBT është emëruar anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

KALLXO.com merr vesh se Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka marrë vendim për emërimin e Beqajt në KShC dhe vendimin e tij e ka kumtuar mbrëmë te anëtarët tjerë të KShC-së.

Emërimin e tij e ka konfirmuar edhe vetë Binak Beqaj, i cili gjithashtu ka konfirmuar se është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo të cilës i takon edhe vetë ministri.

Beqaj në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se brenda AAK-së s’ ka asnjë funksion por është vetëm anëtar.

“Po[ Jam emëruar]. Anëtar po[ i AAK-së]”, tha Beqaj.

Ai gjithashtu tha se politika s’ ka ndikim në emërimin e tij.

“s’ mund ta vlerësoj, s’ kam marrë pjesë në verifikim apo përzgjedhje. Ju mundeni me lidh edhe këtë opsion, mendoj se faktet dhe argumentet kanë qenë ndryshe, s’ është kjo arsyeja, s’ nevojitet të jetë arsyeja”, tha Beqaj.

Anëtari i ri i KShC-së përveç punës së tij si profesor i rregullt në UBT është edhe profesor i angazhuar në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ai ka përmendur edhe disa prej pikave në të cilat dëshiron të fokusohet në punën e tij brenda Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Unë mendoj që janë nja dy tri pika kryesore, me siguru cilësinë dhe standardet ndërkombëtare, me siguru kontinuitetit të procesit të akreditimit dhe riakreditimit në mënyrë të barabartë dhe kushte të barabarta dhe e treta është me e ndihmu procesin e riakreditimit me anë të kthimit në ENQA  dhe kualiteti i  diplomave tona me qenë i njohur ndërkombëtarisht”, tha ai.

KALLXO.com ka provuar të marrë koment edhe nga Ministri i Arsimit për ta pyetur lidhur me emërimin dhe ndikimin politik në Agjencinë e Pavarur, por deri në momentin e publikimit, ai s’ është përgjigjur.

Kujtojmë se njëri anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Xhavit Rexhaj në maj të vitit të kaluar ishte dorëhequr nga pozita e tij pas konstatimit se s’ i lejohet angazhimi partiak derisa është pjesë e KShC-së.

Gjithashtu, kujtojmë se AKK kishte pësuar një goditje nga organizatat ndërkombëtare në vitin 2018 ku European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e kishte  përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Më 2019, AKA, u përjashtua edhe nga  Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

 

 

 

 

 

 



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *