Protesta në përkrahje të Trumpit: Duam zgjedhje të drejta

loading...


Mijëra protestues marshuan në Uashington të shtunën, duke mbështetur Presidentin Donald Trump dhe pretendimet e tij të paprovuara për manipulim në shkallë të gjerë të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Edhe mbështetësit e Presidentit të zgjedhur Joe Biden u mblodhën për të demonstruar, duke kërkuar një tranzicion të rregullt të pushtetit presidencial.

Përkrahësit e Presidentit Trump u tubuan në kryeqytetin e vendit, duke marrë edhe një miratim nga Presidenti, i cili kaloi aty pranë me makinën e tij.

Pavarësisht nga mungesa e provave, ata thonë se Presidenti i zgjedhur Joe Biden i vodhi zgjedhjet.

“Shpresojmë që vendi të shërohet duke dëgjuar zërin tonë në mënyrë që të dimë se do të kemi zgjedhje të drejta. Të gjitha votat legjitime dhe të drejta dhe votat ligjore do të numërohen,” tha një mbështetës i Presidentit Trump.

Mes protestuesve kishte edhe pjestarë të organizatës “Proud Boys” (Djemtë Krenarë) të së djathtës ekstreme. Kishte gjithashtu grupe që e quanin veten Gratë për Amerikën e Parë, Marshimi MAGA prej një milionësh dhe Ndalni Vjedhjen.

Gjatë protestës pati sharje dhe fyerje kur mbështetësit e zotit Biden u përballën me demonstruesit, diku pati përplasje dhe arrestime, por marshimi dhe si një tubim përpara Gjykatës së Lartë të SHBA ishin kryesisht paqësorë.

Të inkurajuar nga Presidenti Trump, shumë protestues besojnë se rezultatet e zgjedhjeve u ndryshuan, me fletëvotime mashtruese ose makina të manipuluara votimi.

“Këto makina mund ta përmbysin automatikisht votën, andaj ato duhet të numërohen një nga një”, thotë Marita Meza, mbështetëse e Presidentit Trump.

Rezultati i ngushtë në shtetin Xhorxhia u bë shkak për një rinumërim, i cili po bëhet me dorë.

“Po qe se ka qoftë edhe një votë të manipuluar, kjo mjafton. s’ po kërkoj gjëra statistikisht të rëndësishme. Po kërkoj qoftë edhe një provë mashtrimi të votuesve,” thotë Cole Ryan, përkrahës i zotit Trump.

Por kjo s’ do të sjellë ndryshim, thonë specialistët e zgjedhjeve.

Shumica e analistëve thonë se rinumërimet dhe sfidat ligjore në shtete të veçanta s’ kanë gjasa të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“Ne shpresojmë që Trump të fitojë, por Po qe se s’ fiton, jeta do të vazhdojë”, thotë Donna Cagle, mbështetëse e Presidentit Trump.

Mbështetës të Presidentit Trump thanë se rezultati akoma s’ është përfundimtar ndërsa vetë zoti Trump këmbëngul se s’ ka në plan të pranojë humbjen.

“Po qe se Presidenti Trump e pranon humbjen, atëherë sigurisht që edhe ne do ta pranojmë,” thotë Helen Rey Heller, mbështetëse e Presidentit Trump.

Po qe se Presidenti e pranon ose jo humbjen, Presidenti i zgjedhur Biden do të marrë detyrën më 20 janar./voa.

The post Protesta në përkrahje të Trumpit: Duam zgjedhje të drejta appeared first on Insajderi.

Related posts