Gjakderdhja gjatë shtatzënisë
Gjakderdhja e paktë (si përlyerje) ndodh shpesh gjatë shtatzënisë. Çdo e pesta shtatzënë pohon se ka pasur një gjakderdhje të tillë në 12 javët e para të shtatzënisë.
Shumica e grave që e kanë këtë shqetësim, do të vazhdojnë të kenë një shtatzëni të mbarë, POR PATJETËR KONSULTOHUNI ME MJEKUN TUAJ nëse vëreni se keni çfarëdolloj gjakderdhjeje vaginale!
Nëse vëreni disa pika gjaku në të brendshmet ose nëse pas fshirjes së perineumit letra bëhet me gjak, mos bëni panik!
Ka mundësi që ky gjak vjen për shkak të implantimit të qelizës vezë dhe si pasojë ju mund të keni gjakderdhje të paktë për disa ditë rresht. Zakonisht, kjo gjakderdhje ndodh akoma pa e ditur një grua se është shtatzënë (ndonjëherë mund të interpretohet gabimisht si menstruacion).
Shkak tjetër i gjakderdhjes mund të jetë polipi i qafës së mitrës dhe infeksioni vaginal. Vagina gjatë shtatzënisë është shumē e furnizuar me gjak dhe mund të gjakderdh psh gjatë ekzaminimit gjinekologjik ose pas marrëdhënieve seksuale.
Brenga më e madhe e shtatzënave është se mos ndoshta gjakderdhja është shenjë e abortit të mundshëm.
Patjetër konsultohuni me mjekun tuaj, por kjo gjakderdhje nuk do të thotë se ju po abortoni. Nëse shihen të rrahurat e zemrës së frytit me ultrazë, edhe nëse shtatzëna ka gjakderdhje të paktë në 90% të rasteve shtatzënia vazhdon pa problem. Përveç gjakderdhjes aborti shoqërohet me dhimbje në fund të barkut.
Shkak tjetër i gjakderdhjes është shtatzënia ektopike dhe ajo molare.
Derisa ta kontaktoni mjekun tuaj, nëse keni gjakderdhje, përpiquni që të rrini shtrirë, kufizoni aktivitetin fizik, mbani këmbët mbi nivelin e krahërorit, mos qoni pesha të rënda dhe pini shumë ujë./Poliklinika “Dr.Memli“/Gazeta Shëndeti