Publikimi i të infektuarve nga COVID-19 në kundërshtim me ligjin


loading...

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka këshilluar personelin shëndetësor që të dhënat personale të pacientëve të prekur me COVID-19 t’i ndajë vetëm me institucionet shëndetësosre dhe jo me palë të treta.

Sipas agjencisë, ndarja e këtyre informacioneve me palë të tjera mund të bëhet vetëm me pëlqimin e pacientit të konfirmuar pozitiv, gjithmonë në përputhje me ligjin.

“Lidhur me temën e ngritur për publikimin e mundshëm të emrave apo të dhënave tjera personale të të prekurve nga virusi Covid-19, Agjencia ka rekomanduar institucionet relevante dhe rekomandon përsëri se publikimi i tillë bie në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Agjencia për Informim dhe Privatësi këshillon personelin mjekësor, i cili po bën punë vetëmohuese në parandalimin dhe tretmanin e të gjithë atyre që po kërkojnë ndihmë, që të ndajë të dhënat e pacientëve të dyshuar apo të prekur nga ky virus vetëm me profesionistët shëndetësorë dhe me autoritetet përgjegjëse që ndërlidhen me parandalimin e virusit, duke iu përmbajtur parimit të kufizimit të qasjes në këto të dhëna, për të mos i ndarë ato me palët e treta pa pëlqim paraprak të subjektit të të dhënave (pacientit-të të infektuarit)”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Gjithashtu kjo Agjenci në lidhje me propozimet për publikimin e të dhënave të personave të infektuar me COVID-19 ka thënë se ato nevojitet të ndahen në përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit Nr.06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e pasur parasysh që kemi të bëjmë me të dhëna të ndjeshme (shëndetësore), publikimi pa kritere i të cilave mund të përbëjë ndërhyrje në privatësinë e individit (të dhëna shëndetësore).

Tutje Agjencia ka kërkuar nga mediat që të jenë të kujdesshëm në respektimin e jetës private të pacientëve.

“Agjencia kërkon nga mediumet e shkruara, audiovizive, ato të platformave online si dhe nga çdo subjekt tjetër publik ose privat, që në përmbushje të misionit të tyre të informimit të plotë e të drejtë të publikut, të jenë të kujdesshëm në respektimin e dinjitetit njerëzor dhe jetës private të qytetarëve”, vazhdon më tej komunikata.

Në funksion të gjendjes së krijuar dhe masave të marra për parandalimin e saj, Agjencia për Informim dhe Privatësi inkurajon qytetarët që, Vetëm po të kanë ankesa si për qasje në dokumente publike, ashtu edhe për mbrojtjen e të dhënave personale, t’i paraqesin ato vetëm nëpërmjet postës elektronike në adresën: [email protected] dhe/ose [email protected]

 



loading...