Cilat janë shenjat dhe simptomat e infarktit akut të trurit ?

0
loading...

SIMPTOMAT DHE SHENJAT E INFARKTIT AKUT TË TRURIT

Infarkti akut i trurit do të thotë bllokimi me tromb i një arterieje në tru gjë që pamundëson furnizimin e pjesës përkatëse të trurit me gjak. Mungesa e gjakut nënkupton vdekjen e asaj pjese të trurit dhe kësisoj humbjen e funksionit trupor për të cilin është përgjegjëse kjo pjesë e trurit. Analogjia është e ngjashme me bllokimin e gypit të ujit i cili e furnizon të themi një ndërtesë me ujë. Nëse bllokohet një arterie e madhe (gypi kryesor i ndërtesës), atëherë një pjesë e madhe e trurit do ta vuajë pasojën dhe dëmi do të jetë i madh (e tërë ndërtesa do të mbetet pa ujë). Nëse bllokohet një arterie e vogël (gypi i një banese të vetme në ndërtesë), atëherë infarkti që zhvillohet në tru është i kufizuar dhe pasojat janë po aq të vogla (vetëm ndërtesa përkatëse mbetet pa ujë).

Meqenëse çdo pjesë e trurit ka funksion përkatës, atëherë simptomat të cilat manifestohen janë të ndryshme. Veçoria kryesore e infarktit akut të trurit është se zhvillohet në mënyrë të përnjëhershme apo akute. Nuk do të hasim në dikë që endet rrugëve duke pësuar infarkt akut trunor plot një muaj! Kësisoj dikë që e shohim në gjendje të mirë shëndetësore para 5 minutash, pas 5 minutash mund ta shohim me simptoma që shkaktohen nga infarkti akut trunor. Simptomat më të shpeshta janë: paraliza e njërës anë të trupit, mpirja e njërës anë të trupit, humbja e plotë e shikimit në njërin sy, humbja e të parit në njërën gjysmë të fushës vizuale, humbja apo pengesa në të shqiptuarit të të fjalëve, pamundësia e kuptimit të të folurit të tjetrit, marramendja, vjellja, si edhe më rrallë, çrregullimi i vetëdijes dhe sulmet epileptike.

Duke marrë parasysh që faktorët kryesorë që ndikojnë në paraqitjen e infarktit akut trunor janë hipertensioni arterial, diabeti, hiperlipidemia (kolesteroli dhe trigliceridet e larta) dhe duhani, si edhe faktin që këto sëmundje hasen më tepër në moshën pas 50-vjeçare, shpeshtësia më e madhe e paraqitjes së infarktit është pas dekadës së pestë. Te çdo person që pëson infarkt trunor duhet të kontrollohen medoemos arteriet e qafës që e përçojnë gjakun nga zemra për në tru, si edhe funksioni i zemrës për të detektuar çrregullimin e ritmit dhe praninë e problemeve në tkurrjen e dhomave të zemrës.

Vija e parë e luftimit të infarktit akut trunor është trajtimi i pacientit me Alteplazë (tPA), i cili paraqet barin e vetëm që jepet me qëllim të shkrirjes së trombit që e ka bllokuar arterien. Sa më herë të jepet Alteplaza pas shfaqjes së simptomave, aq më i lartë është suksesi i saj. ALTEPLAZA MUND TË APLIKOHET VETËM BRENDA 4 ORËVE E GJYSMË PAS ZHVILLIMIT TË INFARKTIT AKUT TRUNOR. Aplikimi i saj përtej kësaj kornize kohore nuk sjellë dobi dhe mund të shoqërohet me komplikime serioze, siç është gjakderdhja trunore.

Me aplikimin e terapisë trombolitike në infarktin akut trunor në Spitalin Amerikan në Prishtinë që prej vitit 2015, nga pika e zezë në hartën e Evropës ku shtetasit tanë nuk e kishin fatin ta kishin mundësinë e trajtimit të tillë, Kosova dhe pacientët e saj e gëzojnë tanimë mundësinë që të trajtohen drejt dhe me meritë. Zotërinjtë A dhe M në Prishtinë, zotëria A në Gjakovë, zonja J në Tiranë, zonja A në Prishtinë, zonja M në Zvicër dhe tanimë zotëria P i gëzojnë ditët e jetëve të tyre pa pasoja serioze neurologjike.
VËMENDJE! – NË ÇASTIN E DYSHIMIT PËR INFARKT TRUNOR, DUHET TË PARAQITENI SA MË SHPEJT NË EMERGJENCË. VETËM BRENDA 4.5 ORËVE MUND TË JEPET ALTEPLAZA!
#KOHAështëTRU #TIMEisBRAIN #alteplaza #tPA #actilyse #Kosova #SpitaliAmerikan #AmericanHospital #Neurology #BlerimMyftiu #Neurologjia

No tags for this post.

Related posts

Asked question
Add a Comment
Write your answer.