PSE U MBYLL GJERMANIA DHE A I DUHET SHQIPËRISË NJË MBYLLJE E DYTË?

126 viewsTjera
0
loading...

PSE U MBYLL GJERMANIA DHE A I DUHET SHQIPËRISË NJË MBYLLJE E DYTË?

Gazeta Dielli
Dr. Marsela Ceno, Kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, në një prononcim për gazetën Dielli të VATRËS – New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, ka argumentuar arsyet se pse u mbyll Gjermania dhe shpreset se Shqipëria duhet të kishte zbatuar me kohë rekomandimet dhe masat e marra nga vendet kryesore te Europës si Gjermania dhe Franca për një lockdown, mbyllje të dytë duke iu referuar numrit të lartë të rasteve të reja dhe sistemit të mbingarkuar shëndetësor që sipas të dhënave jozyrtare duket se është afër kolapsit.

PANDEMIA GLOBALE, PSE U MBYLL GJERMANIA?

Krahasuar me javën e kaluar, numri i infeksioneve në Gjermani vazhdon të rritet. Është arritur numri më i lartë i vdekjeve të shkaktuar nga Covid 19 që nga prilli 2020. Sipas Institutit Robert Koch (RKI) të Mërkurën në mëngjes në datën 4 nëntor 2020 u regjistruan 18,487 raste të reja të infeksionit. Numrat e rinj janë shumë poshtë numrit rekord të 23,399 rasteve që instituti numëroi të shtunën e kaluar. Por ato janë më të larta se një javë më parë: shtatë ditë më parë, RKI raportoi rreth 17,000 raste të reja. Sipas shifrave të fundit nga RKI, gjithsej 705,687 raste të infeksionit janë regjistruar në Gjermani që nga fillimi i pandemisë. Numri i vdekjeve të lidhura me koronavirusin në Gjermani u rrit në 11,767 – 261 më shumë se një ditë më parë. RKI vlerëson se rreth 454,800 njerëz tani janë shëruar. Sipas raportit të situatës së RKI nga e marta në mbrëmje, e ashtuquajtura R shtatë-ditore ishte 0.92 (një ditë më parë: 0.98). Kjo do të thotë që 100 njerëz të infektuar teorikisht infektojnë rreth 92 persona të tjerë. Vlera paraqet shfaqjen e infeksionit 8 deri në 16 ditë më parë. Nëse është nën 1 për një kohë të gjatë, procesi i infeksionit qetësohet. Ndërkohë, klinikat gjithnjë e më shumë po arrijnë kufijtë e tyre në pandemi. Në shumë klinika në të cilat pacientët e shpeshtë Covid-19 duhet të trajtohen, stafi infermieror është tashmë në limit. Rritja e numrit të infektsioneve të reja detyroi Kryeministren Merkel të merrte vendimin për futjen në fuqi të Lockdoën të dytë që nga data 1 nëntor. Që prej dy javësh, në të gjithë Republikën Federale të Gjermanisë janë të mbyllura të gjitha restorantet, lokalet, sallat e sportit, sallonet e estetikes pra cdo vend në shërbim të aktiveteve të lira. Në disa qytete me dëndesi të madhe të popullsisë apo rritje të madhe të numrit të infeksioneve të reja, është vënë me detyrim mbajtja e maskave edhe në hapësirat e hapura.

PROTESTAT KUNDËR MASAVE TË MBYLLJES NË GJERMANI

Protestat në Gjermani janë rregjistruar që në fillimin e pandemisë në prill të këtij viti. Disa janë të drejtuara kundër masave shtetërore të miratuara në bazë të Aktit të Mbrojtjes së Infeksionit, duke përfshirë kufizimet e daljes dhe kufizimet për të drejtën e tubimit. Disa nga këto demonstrata janë të diskutueshme, veçanërisht për shkak të mungesës së distancimit ose shpërndarjes së dezinformatave në lidhje me pandeminë COVID-19, teoritë e konspiracionit dhe deklaratat anti-kushtetuese. Demonstrata të tjera drejtohen kundër çmimeve të qirasë ose transportit të mbetjeve bërthamore ose kërkojnë solidaritet me refugjatët. Marshimet e Pashkëve dhe tubimet e 1 majit gjithashtu u zhvilluan gjatë pandemisë. Përveç kësaj, protesta kanë ndodhur gjithashtu në Gjermani që nga fundi i majit si pjesë e lëvizjes globale Black Lives Matter. Në disa shtete federale, gjykatat administrative, urdhëresat e policisë ose komunave ndaluan ose kufizuan disa protesta. Më 15 Prill, 2020, Gjykata Federale Kushtetuese përjashtoi një ndalim të përgjithshëm të mbledhjeve për më shumë se dy persona si të papranueshëm. Nga Prilli 2020, tubime kundër masave të qeverisë tejkaluan numrin e personave të rregjistruar të paparalajmëruar, kështu që u shpërndanë nga policia. Kishte gjithashtu kundër-tubime që ishin të drejtuara “kundër ideologëve konspirativë, ezoteristëve të krahut të djathtë dhe ekstremistëve të djathtë”.

BIONTECH DHE PFIZER GATI TË HEDHIN NË TREG NJË VAKSINË EFIKASE KUNDËR COVID 19

Që prej datës 9 nëntor mberriti në Europë lajmi se Firma Biontech ne Gjermani dhe Pfizer ne USA janë gati të hedhin në treg një vaksinë efikase kundër COVID 19 pasi të lëshohet drita jeshile nga FDA. Më shumë se 150 milion vaksina janë llogaritur të shpërndahen tek popullsia e riskut në Europë. Po bëhen plane për të kategorizuar grupet e popullatës që do të përfitojnë në fillim nga vaksina, si psh. Punonjësit e shëndetësisë, mjekët dhe infermierët, policët dhe mësuesit. Mendohet dhe shpresohet që vaksina të jetë në treg në fillimin e 2021 duke shënuar një hap shumë të rëndësishëm dhe inkurajues në fitoren e shkencës kundër SARS CoV 2.

DËMI I PANDEMISË NË SHËNDETIN MENDOR TË POPULLSISË

Korona virusi mund të shkaktojë sëmundje fizike, por për shumë njerëz pandemia gjithashtu ka pasoja të rëndësishme për shëndetin mendor. Sipas deklaratave të psikoterapistëve, çrregullimet e ankthit, frika për mbijetësën ose falimentimi ekonomik, depresioni janë përhapur në ritme të larta. Nevoja për ndihmë psikologjike ishte veçanërisht e madhe gjatë vales së parë të pandemisë. Shkak kanë qënë frika e infektimit, shqetësimi për të afërmit, frika e vetmisë ose kërcënimi për humbjen e punës. Në fazën e dytë pas mbylljes, frika mbizotëroi përsëri tek pacientët. Sidoqoftë, në verë ishte relaksimi dhe kthimi në punë që rriti frikën e sëmundjes tek shumë njerëz. Numri i përgjithshëm i konsultimeve u ul nga maji deri në fund të shtatorit. Sidoqoftë, kjo kërkesë aktualisht po rritet përsëri – së bashku me numrin e rasteve dhe lockdown e dytë.

SHQIPËRIA NË SYRIN TËND, ÇFARË PO NDODH ME MENAXHIMIN E PANDEMISË?

Shqipëria duhet të kishte zbatuar me kohë rekomandimet dhe masat e marra nga vendet kryesore te Europës si Gjermania dhe Franca për një lockdown, mbyllje të dytë duke iu referuar numrit të lartë të rasteve të reja dhe sistemit të mbingarkuar shëndetësor që sipas të dhënave jozyrtare duket se është afër kolapsit. Distancimi fizik, mbajtja e maskave dhe respektimi i kushteve të higjenës nuk mund të pengojnë tashmë valën e përhapjes së virusit, në një kohë kur rezultati i një tamponi kërkon ditë të tëra për tu bërë i njohur dhezinxhiri i kontakteve as nuk dokumentohet dhe as nuk ndërpritet. Prandaj mesazhi dhe apeli im do të ishte që të rikthehej, edhe për një kohë të limituar, një mbyllje e dytë, për të ulur mbingarkimin e sistemit shëndetësor dhe për tju dhënë në këtë mënyrë të gjithë qytetarëve të prekur mundësinë e marrjes së një shërbimi mjeksor të standartizuar dhe efektiv.

Asked question
Add a Comment
Write your answer.