Prof. Dr. Andrea GUDHA: Që të jesh mjek…
Hyrje
“Mos bëj dëm” titullohet libri bestseller i neurokirugut anglez i ditëve të sotme Henry Marsh, i përkthyer dhe i shqipëruar në mënyrë të përsosur nga eminenca e neurokirurgjisë shqiptare Prof. Mentor Petrela e
Dr.Florian Dashi. Vet titulli i librit është intrigues. Eshtë një libër
histori njerëzore (mjek-pacient) i shkruar në formë novele, ku autori
dhe përkthyesi, nëpërmjet ndjenjave të tyre jetësore, flasin me një
gjuhë të përbashkët për pacientët e për mjekësinë.
Henry Marsh citon: “Mjekësia është
propabilitet.Ne nuk mund të parashikojmë të ardhmen e pacientit me
siguri. Ne shpesh bëjmë gabime, jemi të njëanshëm dhe gjykimi ynë nuk
është i mirë. Ne nuk e kurojmë pacientin, por ne e ndihmojmë që të
jetojë edhe ca vite më shumë.” dhe vazhdon:
“Në një botë ideale mjekësia është një
mision, ku mjeku bën më të mirën për pacientët e tij. Jo për të bërë
para! Në kushte ideale duhet të jetë shteti ai që duhet të paguajë
shëndetin e popullit për hir të barazisë shoqërore”.
***
Në Shekullin e 21-të, pas vitit 2010, kemi një
progres të jashtzakonshëm të shkencës së mjekësisë, fal Teknologjisë
mjekësore dhe Industrisë farmaceutike. Por, Shkenca e Mjekësisë dhe
Mjeku, sot, duken se janë nën ”pushtetin” e tyre! Problem sa shkencor e etiko-moral dhe, po aq i shtrirë në rrafshin psiko-social!
Europa, sot po përballet me një sërë sfidash të rëndësishme në fushën e shëndetësisë. Ajo, për të përballuar,nga njera anë, krizën ekonomike, plakjen e popullatës e progresin teknologjik- virtual dhe nga ana tjetër,
shëndetin e njeriut, që jeton në një botë globaliste e të ekonomisë
së tregut dhe që është në vartësi financiare të progresit të
teknologjisë mjekësore dhe të industrisë farmaceutike, ka venë në
pikpyetje sistemet shëndetësore të trashëguara nga shek. 20-të.
Në ditët e sotme, Sistemet Shëndetësore gjënden nën presionin e katër faktorëve revolucionarizues, që imponojnë, por edhe mundësojnë ndryshime substanciale për funksionimin sa më efikas të tyre:
1.Faktori social, lidhet me evolucionin dhe
demokratizimin shumëplanësh shoqëror, si përparësi, prioritet edhe të
drejtat e individitit lidhur me kujdesin shëndetësor.
2.Revolucioni teknologjik i lidhur me novacionet e mjeteve, aparaturave, barnave, metodave e procedurave të reja shëndetësore.
3.Revolucioni informatik, lidhur me progresin e sistemeve shëndetësore drejt modernizimit, ku një rol të rëndësishëm ka ndikuar kompjuterizimi i të gjithë hallkave të sistemit shëndetësor.
4.Revolucioni menaxherial. Koncepti i trajtimit të
shëndetit të njeriut si produkt i një institucioni shëndetësor dhe
kostua e lartë e teknologjisë mjekësore e asaj farmaceutike, sollën në
krye të agjendës së sistemeve shëndetësore, konceptin e menaxhimit shëndetësor,
si faktor përcaktues të përballimit të kostos financiare të shërbimeve
shëndetësore ( kosto-efikasitet), që ofrohen në raport me burimet e
disponueshme të çdo vëndi, sado i zhvilluar qoftë…
***
Shërbimi mjekësor është “pasqyrë ”e Sistemit Shëndetësor, mjeku është “pasqyrë ” e Shërbimit Mjekësor.
Montesquieu ( shek.19) , në kohën e tij shkruante: “Nuk janë mjekët që na mungojnë, por është mjekësia që na mungon”.
Në ditët e sotme kemi frikë se mos është e kundërta dhe, të thuhet se: “Nuk është mjekësia që na mungon, por na mungojnë mjekët e vërtetë”
Që në vitin 1937, Rene Leriche ( kirug, fiziolog francez) në leksionet e tij në Kolegjin e Francës, deklaronte:
“Mjekësia, e tërhequr nga një vorbull zbulimesh, është si e trullosur. E
dehur nga analizat dhe nga gjërat e reja, ajo aspiron për një minutë
sintezë. Pa e pranuar , ajo ka frikë, ndien rrezikun, të cilit, nuk do
të mund t’i rezistojë. Ky rrezik është harrimi i njeriut, që është
objekti i saj, NJERIU, si një qenie njerëzore në një organizëm të vetëm
prej “mishi dhe ndjenje”.
Dija, përvoja, gjykimi i shëndoshë i mjekut luajnë gjithnjë një rol kryesor në marrëdhëniet me pacientin. Kjo
punë nuk mund të kryhet asnjëherë nga një makinë elektronike, sepse ajo
nuk mund të ketë asnjëherë “nuhatjen dhe syrin klinik”.
Me të drejtë shtrohen pyetjet:
1.Fakultetet e Mjekësisë, a janë në gjendje të
formojnë studentë me njohuritë e duhura teoriko-praktike në përballje me
ushtrimin e profesionit të mjekut në shek. e 21-të?
2.A i gjen mjekët të përgatitur nga ana profesionale dhe etiko-morale, që të përballojnë sfidat e mjekësisë së këtij shekulli?
Evropa, po kërkon për të gjetur mënyra të reja për mundësitë e
punësimit në sektorët e shërbimeve shëndetësore. Kjo ka të bëjë me
evolucionin e profesionit të mjekut në drejtim të edukimit dhe formimit
profesional. Në këtë mjedis mjaft të brishtë, Bashkimi Europian, si
gjetje rrugëzgjidhjeje ndaj kësaj përballjeje, është i përqëndruar tek Arsimi, Mësimdhënia dhe Formimi profesional i detyrueshëm gjatë gjithë jetës.
Këto probleme, sot janë të përbashkëta për vendet e zhvilluara, ndaj
shtrohet një problem madhor para tyre, që Sistemet Shëndetësore të
Komunitetit Evropian duhet “të harmonizohen dhe jo të njësohen”!
Misioni i Universitetit është të plotësojë dy kërkesa të domosdoshme: Formimin profesional dhe formimin e mendjeve, pra me kulturë të përgjithshme, pa neglizhuar as njerën e as tjetrën.
Fakultetet e Mjekësisë janë shkolla profesionale. Ato
mësojnë jo vetëm “një dije” për shëndetin e njeriut por, gjithashtu,
edhe njohuri të përgjithshme për mënyrën e të jetuarit, që luan një rol
shumë të madh në artin e marrjes së anamnezës së të sëmurit: të
pyeturit, observimi, reflektimi me gjykimin e shëndoshë dhe shpirtin
kritik, me dhembshuri, me ndërgjegje dhe me respekt ndaj dinjitetit
human.
Programet mësimore në Fakultetin e Mjekësisë, metodologjia,
pedagogjia e mësimdhënies dhe e mësimnxënies, infrastruktura
didaktiko-pedagogjike, praktikat si dhe formimi i pedagogëve në
Fakultetet e Mjekësisë, janë gjithmonë në lëvizje, në vartësi të
progresit shkencor dhe të kërkesave të kohës.
Sot, në Evropë, modeli i formimit arsimor e profesional është i standardizuar me Kartën e Bolonjës.
Por, Karta e Bolonjës jep vetëm orientimet dhe udhëzimet e aplikimit,
por jo modelin. Kjo dobësi ndjehet veçanërisht në shkencat mjekësore…
Më poshtë, shkurtimisht, le të shohim evolucionin historik të kritereve të studentit për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë.
Deri në shekullin XIX, për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, kërkohej matura klasike.
Mësimi klasik, analiza gramatikore e shpjegimi i teksteve, që duket se
janë në gjendje të japin mprehtësinë dhe zhdërvjellësinë e mendjes, të
nevojshme për të ushtruar mjekësinë.
R.Dumik citonte:“Më të mëdhenjtë, që përpara autoritetit të tyre ne duhet të përkulemi, Pastëri dhe Klod Bernard shikonin
te letërsia idetë e përgjithshme dhe pranonin se edukimi i lartë i
mendjes, që i detyrohet kulturës klasike, ishte i nevojshëm për
vazhdimin e punëve të tyre” Shënim. Pastëri dhe Klod Bernardi kanë bërë pjesë, si në Akademinë Franceze, ashtu dhe në Akademinë e Shkencave.
Mjekët e mëdhenj të shekullit të XIX kanë mbetur të famshëm në saje
të gjuhës së qartë dhe të përpunuar të veprave të tyre. Disa fragmente
citohen si pjesë të vërteta antologjike nga të huajt, kur vizitonin
mjekësinë në Francë: “Është kurioze të vihet re se,
këtu, në Paris, nuk duhet të shkosh në shkollën e drejtësisë dhe as në
Sorbonë për të dëgjuar profesorë elokuentë, por në Fakultetin e
Mjekësisë”.
Në gjysmën e parë të shekullit XX, për të qenë mjek, merreshin maturat e filozofisë ose të shkencave natyrore,
sepse një mjek, në radhë të parë, duhet të dëgjonte dhe të fliste në
mënyrë të qartë, ndaj ai duhet të ishte i informuar për shkencat
biologjike dhe për aspektet e ndryshme të jetës së brendshme.
Në gjysmën e dytë të këtij shekulli, formimi
mjekësor ka marrë një orientim tjetër. Konkursi për t’u pranuar në
Fakultetin e Mjekësisë është kryesisht shkencor, bazohet tek shkencat e
natyrës: Biologjia, Kimia.
Në Shqipëri, pas ndryshimeve demokratike filloi reformimi i
Fakultetit të Mjekësisë në drejtim të riorganizimit strukturor e të
procesit didaktiko-pedagogjik me Dekan, Prof. F.Meksi
( 1993-1997). Pedagogët dhe studentët e F.M tani kishin në dorë rreth
60 tekste të Universitetit 7 të Parisit të përkthyera …
Në shekullin ekzistues kemi të bëjmë me një mjekësi moderne të
sofistikuar, që punon në kushte tekniko-shkencore dhe etiko-morale
krejtësisht të ndryshme në marrëdhëniet me pacientin.
Mjekësia po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme, duke qenë se po futen
teknologji të reja. Por edhe jetëgjatësia e njerëzve po rritet: 80,
90, 100 vjeç… Sot inxhinjerët gjenerikë po u zenë vendin mjekëve! Në
epokën e re, që po jetojmë, objektivi i shëndetësisë moderne është
Cilësia e Jetës dhe Dinjiteti human.
A i përgjigjet këtij realiteti metodologjia e aplikantit në
konkurrim, apo në kurrikulat e edukimit e formimit arsimor në Fakultetin
e Mjekësisë?
Mjek i përgjithshëm dhe specialist
Mjekësia është një “Dramë” e shkruar nga njerëzimi
ndërshekuj, ku mjeku duhet të luaj gjithmonë rolin kryesor gjatë gjithë
jetës së tij. Shpesh “Drama” ka përfundim tragjik…
Vet shkenca e mjekësisë është shkencë e integruar me të gjitha
shkencat e tjera dhe ecën paralel me progresin e tyre. Kjo kërkon, që,
dhe mjeku si profesionist i shkencës së mjekësisë, duhet të ketë një
formim profesional integral dhe të plotësuar me kulturën e përgjithshme
në praktikën profesionale.
Një dallim thelbësor duhet të bëhet midis kulturës së përgjithshme profesionale dhe kulturës të specializuar në një fushë të caktuar të mjekësisë.
Mendja e kultivuar me kulturë të përgjithshme në njesinë e kohës e
grupon informacionin, e zgjedh dhe e përzgjedh, e analizon, e gjykon, e
racionalizon, e përpunon dhe krijon mbi të.
Specializimi në Mjekësi është një pasojë e
detyrueshme dhe kusht i progresit të shkencës së Mjekësisë në
përgjithësi. Sa më i ngushtë të jetë një specialitet, aq i domosdoshëm
është zotërimi i tij, ashtu siç duhet. Thuhet se specialisti di shumë në
një fushë të ngushtë dhe ai mund të mos dijë atë çka nuk bën pjesë në
specialitetin e tij.
Edgar Morin citon: “Specializimi është një sakatim i mendimit”.
Disiplinat e specializuara në të vërtetë kanë prirjen ta copëzojnë
organizmin e njeriut. Por, qeliza, indi, organi janë pjesë e së
tërës, që përbëjnë në tërësi, nga ana organike dhe funksionale,
organizmin e njeriut. Pra, në mjekësi, vuajtja e një organi duhet
vlerësuar si pjesë e gjithë organizmit të njeriut. Kjo kërkon sot
kujdesin holistik ndaj organizmit të sëmurit dhe, jo vetëm në aspektin
biologjik.
Bota sot kërkon jo vetëm specialistë të aftë nga pikëpamja
profesionale, por edhe njerëz të mësuar, të aftë të vendosin analogji,
të jenë mbartës të krijimtarisë, gjë për të cilën kërkohet zotërimi i njohurive të përgjithshme profesionale e kulturore.
Eshtë për të ardhur keq, që mjekët sot, duke qenë të varur nga
teknologjia mjekësore, të kufizuar në kryerjen e procedurave mjekësore
vetëm të specialitetit të ngushtë dhe, të angazhuar gjithmonë e më
tepër me detyra administrative, veçanërisht në dokumentacionin e
sigurimeve shëndetësore, i lënë pak kohë dialogut, kontaktit afektiv me pacientin dhe studimit.
Pa koment. Bioetika
Diploma në mjekësi të ndalon të shkelësh ligjin dhe të pengon të kapërcesh moralin!
Ndryshimet e sistemit politik në Shqipëri filluan të reflektohen dhe
në sistemin shëndetësor. Në zbatim të diraktivave të KE, u hartua
legjislacion i ri në përputhje me kushtet konkrete të funksionimit të
shëndetësisë. Erdhën mjekë të rinj të formuar jashtë shtetit me dëshira e
me ide të reja aplikative në fushën e mjekësisë. U fut teknologjia
moderne, filluan të aplikohen teknika mjekësore të kohës si
transplanti. Filloi të lulëzojë sektori privat dhe u shtua ndjeshëm
nomeklatura e barnave etj.
Në vitin 1995, Ministri i Shëndetësisë, Prof. M.Cikuli (
1994 – 1997), krahas implementimit të reformës së thellë në sistemin
shëndetësor, inicioi organizimin e një konference ndërkombëtare mbi Bioetikën me lektorë të ardhur nga Asistenca Publike e Spitaleve –Paris. Në vitin 19998 u ngrit Komiteti Kombëtar i Etikës Mjekësore, si një organ konsultativ pranë MSH..?
Morali është elementi principial ndërnjerëzor, veçanërisht në figurën e mjekut në ditët e sotme!
Qysh në Antikitet, Hipokrati, babai i Mjekësisë Moderne, konstatoi
se ushtrimi i mjekësisë bazohet në të dhënat klinike, por udhëhiqet
nga morali e nga parimet profesionale, që u pasqyruan tek “Betimi i Hipokratit”.
“Betimi i Hipokratit” në rradhët e mjekësisë gjeti aplikim në të
gjitha shkollat mjekësore në Evropë deri në shek.19-të . Më vonë
erdhi duke u sfumuar…aq sa, në ditët e sotme është si “antikuar” në
terrenin ku punon mjekësia e ku dominon materializmi i shpirtit
njerëzor.
”Sipas një gojëdhëne thuhet se Hipokrati, meqë
filloi të bëhej nervoz pas dy mileniumesh të kaluar në Fushat Eliziane, u
kthye në tokë dhe kërkoi të pranohej në Shkollën e Mjekësisë së
Harvardit për të vëzhguar se çfarë përparimesh ishin bërë në këtë profesion, që nga koha e tij.
Me pamjen e sigurt të një studenti të Harvardi të vitit të
fundit, që kishte marrë plot tetëqind pikë në Vlerësimin Mjekësor dhe
që, gjithashtu kishte përshkruar një milje në katër minuta, ai hyri në
intervistë i qetë dhe me besim të plotë në vetvete. Kur u pyet nga
intervistuesi, mjeku i respektuar ortoped Kristofer Douling e pyeti, se “çfarë konsideronte si parimin themelor të mjekësisë?”. Hipokrati citoi vetveten me ndjenjë besimi të tepruar: “Të paktën, mos bëj dëm!” Me këtë përgjigje Hipokrati u përjashtua…!
U bë goxha debat rreth asaj se çfarë duhej të kishte
thënë. Një shkollë mendimi mbështet idenë, që parimi themelor i
mjekësisë së kohëve moderne është të zbulojë nëse pacienti ka
siguracion Kryq Blu apo Mburojë Blu. Po kjo është sa cinike, aq edhe e
pa saktë. Thelbi i vërtetë i filozofisë moderne mjekësore, që nuk
pranohet vetëm nga një grusht renegatësh altruistë, është që mjeku nuk
duhet të pranojë kurrë se ka gabuar.(E.Segal)
Në Amerikë sot ekzistojnë të gjitha llojet e feve, por të tërë bien dakort në një pikë: “Zoti dhe mjeku, ose anasjelltas, Mjeku dhe Zoti”. Në Greqinë fqinje ekziston shprehja: “Ta kesh mirë me Perëndinë, me mjekun dhe me komshinë”
Në vitin 2006, Prof. I.Kalo, i porsa kthyer nga
OBSH, me përvojë të gjatë ndërkontinentale dhe me vizion të qartë
evropian për Sistemet Shëndetësore, krahas ngritjes së QKCSAISH, ideoi dhe themeloi Fondacionin Mjekësor Shqiptar Hipokrati me qëllimin e mirë për të promovuar e motivuar shëmbullin pozitiv të figurës së mjekut…?
Ishin elemente perëndimorë, mbështetës, esencial të Sistemit
Shëndetësor në tërësi e udhërrëfyes për mjekun në veçanti, por, për fat
të keq, ato ngelën si një shkëndijë dhe me kalimin e viteve flaka e tyre
u venit shpejto…? Endërra të pa realizuara…!
Shenjë optimiste! Gjatë përvojës sime
si pedagog kam konstatuar, se në rradhët e studentëve të porsadiplomuar
në Mjekësi, “Betimi i Hipokratit” ka efekt pozitiv, krijon emocione dhe
lë ndjesi në kujtesën e tyre…veçse, kjo ndjesi arrihet kur ceremonia e diplomimit organizohet me seriozitetin dhe me ndjeshmërinë e duhur. Dita e diplomimit, De juro të jep titullin profesional “Mjek/e”, por, De facto është Jeta që e vërteton Diplomën!
Pak koment
Zhvillimi dhe riprodhimi i një kombi varet nga mirëshëndeti i
popullatës. Në këtë strategji kombëtare për një Komb, rolin kryesor e
luan Mjeku. Por, dhe mjeku është si gjithë qëniet e tjera njerëzore…!
Mjeku, krahas problemeve të tija personale, duhet të përballojë dhe të
mbartë në vetvete dhe problemet e shoqërisë në aspektin mjekësor,
psikologjik e social. Për mjekun është “Infract Miocardi” dhe, për
shoqërinë është “Asfiksi”, kur roli i mjekut nuk ndihmohet dhe motivohet
dhe, aq më keq, kur nuk kuptohet nga Qeveria e një vendi.
Episod.
Në vitin 1991 kisha një problem shëndetësor. Më duhej të bëja
disa analiza biokimike. Në pamundësi për t’i realizuar në spitalin e
Gjirokastrës, ku unë punoja si mjek pediatër, kontaktova në telefon me
mjekun laborant ( grek) Dr.Mihal Pandeliu, i cili kishte laboratorin e tij privat në Janinë
. Me sasinë e gjakut shkova në laboratorin e tij në Janinë. Në
përfundim të analizave më dha rezultatin e tyre. Unë ju drejtova duke e
falenderuar dhe i afrova një sasi dhrahmishë për punën e bërë e aq
më shumë në laboratorin e tij privat.
Dr. Mihali, me moshë rreth të 60 viteve, i skuqur në fytyrë, më përqafoi dhe me shumë dashamirësi më tha :
“Midis mjekëve ne kemi një ligj të pashkruar, që duhet të
ndihmojmë njeri tjetrin… Me profesionin e mjekut nuk mund të bëhesh
kurrë i pasur, por e jeton jetën mirë..!”
***
Epilog
Impresion profesional
Pavioni i Pediatrisë, ku ndahet jeta nga vdekja. Në mjekësi është i rendësishëm komunikimi direkt
me pacientin. Vdekja është tinzare, kapriçoze dhe përfiton nga pa
mundësia e mjekut pediatër për të komunikuar direkt me foshnjën e
sëmurë, për të kuptuar shqetësimet e foshnjës dhe për të vendosur sa më
shpejtë diagnozën e sëmundjes.
…Momente gëzimi e falenderimi kur fëmija del i shëruar nga spitali,
çaste hidhërimi e ankesa në rast vdekje…. rëndim i gjëndjes shëndetësore
të fëmijës, vdekje të pa pritura, britma nënash, ”autopsi e bardhë”,
raste mediko-ligjore, diagnoza të vështira, sindrome e raste të rralla,
urgjenca, netë pa gjumë. Emocione, stres e ankth…
Në këtë kuadër “dramatik”, profesional e human, është i domosdoshëm
komunikimi njerëzor midis personelit mjekësor të shprehur me elementet
bazë të bashkëpunimit, të kolegjialitetit e të solidaritetit, që do të
kurorëzohen me sukses me punën në ekip, të aq shumë të domosdoshëm sot në të gjitha fushat e mjekësisë.
Mirënjohje!
Këtë solidaritet profesional e human, brezi im i mjekëve pediatër e
kanë gjetur tek pedagogët tanë në Fakultetin e Mjekësisë e, veçanërisht,
tek pedagogët e nderuar të Pediatrisë, që, në çdo kohë ata ishin për
ne pika reference në zgjidhje të enigmave të Pediatrisë dhe model për
mbarëvajtjen e shërbimit pediatrik në çdo skaj të Shqipërisë.
Përfundim
Që të jesh një mjek i aftë profesionalisht:
- Duhet të zotërosh kulturën profesionale e etiko-morale të përditësuar e të integruar me kulturën e përgjithshme.
- Mjeku është student gjatë gjithë jetës!