Rajoni i shqetësuar nga ndryshimi i qeverisë në Mal të Zi

loading...


Pas rënies së partisë së njeriut të fuqishëm të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, spektri i pretenduar i nacionalizmit të ringjallur serb edhe një herë po i ndjek pas liberalët, intelektualët dhe disa qeveri në Ballkan.

Rënia, së fundmi, e Partisë Demokratike të Socialistëve, PDS, të Milo Gjukanoviç në Malin e Zi, dhe fitorja me rezultat të ngushtë e një koalicioni opozitar të dominuar kryesisht nga partitë pro-serbe ka shkaktuar një rritje frike në të tërë rajonin.

Sundimtari i Malit të Zi për tre dekada rresht, ka pranuar se ka humbur zgjedhjet, por shumë sosh jashtë këtij vendi të vogël s’ po munden t’a pranojnë këtë realitet.

Politikanët dhe intelektualët në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, që të gjithë, kanë shprehur shqetësimin e tyre se nacionalizmi i ringjallur serb do të jetë rrezik për sovranitetin e Malit të Zi si dhe për të drejtat e pakicave kombëtare të këtij vendi.

Disa e shohin rezultatin e zgjedhjeve si një ringjallje të projektit të vjetër “Serbia e Madhe”, i cili mund të rrezikojë Bosnjën dhe Hercegovinën e, po ashtu, edhe Kosovën.

Në Bosnjë, ku nacionalizmi serb gjatë viteve të nëntëdhjeta shkaktoi një luftë dhe shkatërrim të madh, duke kulmuar me gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995, janë të shumtë ata që frikësohen për pakicën boshnjake në Malin e Zi.

Ata gjithashtu kanë frikë se kjo do të fuqizojë thirrjet për pavarësinë e njësisë me shumicë serbe të Bosnjës, Republika Srpska.

Në Kosovë, politikanët kanë frikë se qeveria e re në Podgoricë mund ta çnjohë Kosovën dhe ti përkeqësojë marrëdhëniet midis dy vendeve duke e quajtur nacionalizmin serb një kërcënim serioz për paqen në Ballkan.

Në Serbi, opozita festoi humbjen e regjimit të Gjukanoviqit, por kryesisht s’ rrëshqiti në eufori nacionaliste, megjithëse shumë prej këtyre partive anojnë ideologjikisht në të djathtë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u përmbajt në mënyrë jo karakteristike, por kjo s’ është diçka befasuese marrë parasysh marrëdhëniet e tij të zbehta për një kohë të gjatë me Gjukanoviqin dhe taktikën e tij për të luajtur me të dyja palët në mënyrë që ta ruajë imazhin e tij si shpëtimtar i të gjithë serbëve.

Sidoqoftë, pak intelektualë liberalë në Serbi, Mal të Zi ose vende të tjera në rajon e kanë mirëpritur ndryshimin demokratik të pushtetit dhe rënien e një autokrati i cili krijoi një shtet të rrënjosur thellë në korrupsion dhe krim të organizuar.

Mesazhet paselektorale të fituesve në Mal të Zi, se ata do ti mbrojnë pakicat etnike dhe s’ do të devijojnë nga kursi pro-BE, s’ do të largohen nga NATO ose s’ do ta tërheqin njohjen e Kosovës, s’ i ka ndryshuar mendjet e tyre.

A do të bëhet Mali i Zi një shtet i kontrolluar nga serbët, armiqësor ndaj pakicave të tij, apo narrativa nga luftërat Jugosllave tani më është e vjetëruar?

Ekspertë nga rajoni dhe më tej, kanë hedhur më shumë dritë lidhur me pyetjen e shtruar nga BIRN.

Bieber kritikohet si përkrahës i “Çetnikëve”

Ideja që një ndryshim demokratik i pushtetit në Malin e Zi s’ është diçka e keqe, s’ është aq popullore sa mund të pritej.

Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Graz, është përballur me një kundërshti në Twitter dhe madje është mveshur me akuza për mbështetjen e “çetnikëve” – duke iu referuar ultranacionalistëve serbë në Luftën e Dytë Botërore, të cilët organizuan një përtërirje jozyrtare në Serbia pas shpërbërjes së  Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.

Bieber është i bindur se rënia e Gjukanoviqit mund të jetë e mirë për demokracinë e Malit të Zi.

“Ajo që ka qenë befasuese për mua ishte ligësia/keqdashja [e reagimeve] dhe gjithashtu sugjerimet se, vetëm pse unë e shoh pozitive një ndryshim të mundshëm të qeverisë, atëherë unë i mbështes pozicionet nacionaliste të ekstremit të djathtë,” i tha ai BIRN.

“Sipas pikëpamjes time, qeverisja e pandërprerë nga një parti e vetme, e cila siguron mbështetjen e saj me anë të presionit mbi qytetarët dhe kapjes së shtetit, është rreziku,” i tha Bieber BIRN.

Ai thotë se është i vetëdijshëm për nacionalizmin ekstrem serb të disa pjesëve opozitare në Mal të Zi, të cilin ai shpesh e ka kritikuar, por thotë se opozita tani për tani ka bërë gjërat e duhura për ti ulur tensionet, ndërsa PDS-ja e rrëzuar ka qenë faktori i cili e ka shkaktuar rritjen e polarizimit në këtë vend.

“Këto janë sinjale të mira dhe inkurajuese që shfaqin një nivel të pjekurisë në anën opozitare e të cilin unë s’ e prisja,” thotë ai.

“Opozita pro-serbe është gjithashtu e vetëdijshme që, ndërkohë që është pjesë e madhe e opozitës, ajo s’ mund të qeverisë e vetme. Në këtë mënyrë, s’ është qëndrim të ndryshojmë në mënyrë të njëanshme orientimin e vendit,” thekson Bieber.

Ashtu sikurse Gjukanoviq që s’ mund të qeveriste si i vetëm, por vetëm me mbështetjen e partive të pakicave, as opozita proserbe, s’ mund ta bëjë një gjë të tillë, shtoi ai.

“Në përgjithësi, kjo mund të shpie në një rikonfigurim të tablos partiake të ngjashme me atë të vitit 1997, kur PDS u nda dhe Gjukanoviq fitoi kundër krahut partiak pro-Millosheviqian,” përfundon Bieber.

Intelektualët liberalë i frikësohen projektit të ri të “Serbisë së Madhe”

Edhe pas zgjedhjeve, shumica e mediave proqeveritare në Mal të Zi vazhduan me intervista dhe narrativa që nënkuptonin se shumica e re qeverisëse mund ta minonte stabilitetin dhe pavarësinë e Malit të Zi.

Gjatë festimeve opozitare, mediat pro-qeveritare vunë në dukje se mbështetësit opozitarë festonin me flamuj dhe këngë serbe.

Disa intelektualë dhe gazetarë malazezë e kanë akuzuar kundërshtimin ndaj nacionalizmit serb dhe të intolerancës ndaj malazezëve dhe pakicave kombëtare.

Më 2 shtator, shkrimtari i shquar Milorad Popoviq e akuzoi si opozitën ashtu edhe Kishën Ortodokse Serbe për minimin e shtetësisë malazeze dhe prirjet e tyre fashiste.

“Përsëri, Serbia e Madhe dhe fashizmi klerikal po kalojnë me anë të udhëve dhe shesheve të Malit të Zi. Ata dolën nga kishat në rrugë dhe, në vend të ikonave dhe kryqeve, po mbajnë flamuj kombëtarë të Serbisë,”shkroi Popoviç në adresën e tij.

Në një shkrim opinionist në Al Jazeera, shkrimtari dhe gazetari malazez Andrej Nikolaidis deklaroi se Presidenti serb Vuçiq dhe Kisha Ortodokse Serbe kishin fituar zgjedhjet në Malin e Zi.

Ai e akuzoi udhëheqësin e opozitës liberale, Aleanca ‘Bardh në të Zezë’, Dritan Abazovic, i cili është me etni shqiptare, për bashkëpunim të budallmë me nacionalistët serbë.

“Porosia ime për Abazoviqin dhe familjen e tij është i shkurtër. A doni të zbutni kalin e egër të nacionalizmit serb? Do të përfundoni nën thundrat e tij, ”shkroi Nikolaidis më 1 shtator.

Milka Tadic Mijoviç, kreu i Qendrës për Gazetari Hulumtuese, CIN, është i zemëruar me këto reagime.

Ajo pretendon se shumica e figurave publike malazeze që akoma e mbrojnë Gjukanoviqin kishin lidhje të ngushta me institucionet shtetërore.

“Për dekada me radhë këta intelektualë ishin pranë fondeve të shtetit, duke promovuar politikën e Gjukanoviqit bazuar në ndarjet kombëtare. Tani, në mbrojtje të regjimit të tij, ata po mbrojnë gjithashtu pozicionet e tyre,” tha Tadic Mijoviq për BIRN.

Tadiç Mijoviq këmbëngul se Gjukanoviq s’ ishte shpëtimtar kombëtar. “Gjukanovic s’ është shpëtimtari ynë, ose mbrojtja e fundit nga nacionalizmi, siç po përpiqen të thonë disa. Megjithëse ata janë blloku kryesor opozitar, partitë pro-serbe s’ mund të fitonin këto zgjedhje si të vetme. Ato e arritën një gjë të tillë me partitë qytetare dhe malazeze,” tha Tadic Mijoviç.

Një shpjegues univerzal për gjithçka

Në Serbi, kishte festime në rrugë pas bërjes publike të rezultateve të zgjedhjeve në Mal të Zi.

Sidoqoftë, intelektualët properëndimorë të këtij vendi ishin më pak të gëzuar. Shumë prej tyre vunë në pah rolin e pretenduar të Serbisë në përzierjen e saj në zgjedhjet malazeze, ndërkohë që asnjëri prej tyre s’ përmendi mbështetjen e hapur që Gjukanoviq e mori nga politikanë të shumtë në rajon.

Gjatë fushatës elektorale, më 26 gusht, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, u bëri thirrje shqiptarëve të Malit të Zi të votojnë për partinë në pushtet, duke e quajtur Gjukanoviqin faktor kryesor për stabilitetin rajonal.

Tre ditë para zgjedhjeve, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu u bëri thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që “ta shtyjnë përpara përfaqësimin e tyre politik dhe të sigurojnë që Mali i Zi të lëvizë përpara drejt një të ardhmeje Euro-Atlantike si pjesë e NATO-s dhe BE”.

Më 28 gusht, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i dha mbështetjen e tij PDS-së, duke u bërë thirrje qytetarëve të Malit të Zi të votojnë për një të ardhme evropiane dhe duke e quajtur Gjukanoviqin një politikan me vizion të fortë.

Rastislav Dinic, teoricient politik dhe komentator i një portali mediatik ‘Pescanik.net’, i tha BIRN se reagimi i shumë intelektualëve në Serbi dhe Mal të Zi kishte qenë “thellësisht jodemokratik”.

“Sipas tyre, qytetarët në Mal të Zi apo edhe Serbi janë të paaftë për ti bërë zgjedhjet e duhura. Ata janë të gjithë nacionalistë dhe gjëra të tmerrshme do të ndodhin Nëse i lejojmë të votojnë lirshëm. Kjo është arsyeja pse është më mirë të kesh një diktator në mënyrë që ti kesh gjërat nën kontroll dhe të mos u japësh njerëzve një zgjedhje për ta bërë “, tha Dinic.

Sipas tij, një prej problemeve qëndron në faktin se se shumica e intelektualëve liberalë në ish Jugosllavi kishin pikëpamjet e tyre të formuara gjatë luftërave të viteve 1990 dhe akoma ishin duke përdorur modele të vjetruara të shpjegimit.

“Ata e shohin nacionalizmin serb në çdo gjë. Nacionalizmi serb ekziston, sigurisht, ashtu sikurse shumë nacionalizma të tjerë në Ballkan dhe në Evropë. Ky s’ është mjeti i duhur për ta kuptuar këtë realitet të ri politik, ”tha Dinic.

Ai vë në dukje rolin fillestar të Gjukanoviqit gjatë luftërave të viteve 1990 kur në vitin 1991 kishte deklaruar se tani e urrente lojën e shahut posaqë tabela e shahut i kujtonte atij flamurin me katrorë të kuq e të bardhë të Kroacisë. Atë vit, Mali i Zi sulmoi qytetin kroat të Dubrovnikut.

“Ata s’ jane në gjendje t’ia falin Vuçiqit rolin e tij në vitet e nëntëdhjeta, por me sa duket, me Milon, ata munden,” vëren Dinic.

Zymtësi e madhe në Bosnjë

Në Bosnjë, rënia e qeverisë së Gjukanoviqit është parë në terma drastikë, veçanërisht pas ngjarjeve në qytetin verior të Malit të Zi në Pljevlje, kur sulmues të panjohur thyen dritaret në zyrën lokale të Komunitetit Islamik, duke lënë një porosi që “Pljevlja do të bëhet [si ] Srebrenica ”- dmth komuniteti i tij musliman do të vritet.

Fakti që partitë proserbe e dënuan fuqishëm incidentin, duke akuzuar PDS-në për përpjekjen e saj për ti provokuar gjërat, s’ e ndryshoi perspektivën e publikut boshnjak.

Kreu i Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, Grand Myftiu Husein ef. Kavazoviç, u bëri thirrje autoriteteve malazeze ta mbrojnë pakicën muslimane të Malit të Zi. “Krejt kjo na kujton ideologjitë që tashmë çuan në krime lufte dhe gjenocid në rajon gjatë viteve 1990,” tha Kavazoviq.

Sefik Dzaferoviq, anëtar boshnjak i Presidencës së shtetit, i shkroi Gjukanoviqit pas incidenteve në Pljevlje, duke i thënë: “Është e vështirë të shikosh situatën në Mal të Zi, këtë shpërthim të urrejtjes dhe disa porosi tjera që ta kujtojnë situatën në Bosnjë tre dekada më parë. ”

Zeljko Komsiq, anëtari kroat i Presidencës Boshnjake, i tha portalit më të njohur të lajmeve boshnjake, Klix.ba, më 2 shtator se rezultati i zgjedhjeve tregoi se “projekti i Serbisë së Madhe është ringjallur, i cili ka si synim lidhjen e Beogradit, Banja Llukës, dhe Podgoricës ”.

Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, e hodhi poshtë këtë, duke e quajtur narrativën në lidhje me projektin e ringjallur të Serbisë së Madhe “një përpjekje për ti trembur njerëzit jashtë Malit të Zi, përzierje e turpshme në qështjet e një shteti tjetër dhe krijimin e një atmosfere në të cilën fituesit e zgjedhjeve deklarohen paraprakisht si shkatërrues, që në mungesë të tyre mund të bënin asgjë ”.

Por Senad Pecanin, avokat, ish pronar dhe redaktor i revistës së përjavshme me ndikim të Sarajevës Dani, është midis atyre në Bosnjë i cili e sheh me keqardhje rënien e Gjukanoviqit, duke mohuar se ishte një diktator.

“Cili diktator në botë, me të gjithë aparatin shtetëror në dispozicion, do të lejonte humbjen e pushtetit për shkak të një rezultati zgjedhor 40:41?” pyet Pecanin, duke iu referuar përbërjes postelektorale të parlamentit të Malit të Zi.

Ai këmbëngul se qëllimi i partive proserbe është ta ndryshojnë karakterin civil të shtetit malazez dhe ta shndërrojnë atë në një shtet të popullit serb.

“Pershkallëzimi tashmë po ndodh, mungojnë vetëm fatalitetet ,” tha ai.

“Boshnjakët në veri të Malit të Zi s’ kanë dalë nga shtëpitë e tyre për ditë me radhë, ose e kanë bërë atë me frikë; mbishkrime me porosi fyese për turqit janë kudo rreth tyre… dhe mjediset e komunitetit islamik në Pljevlje janë shkatërruar,” tha Pecanin për BIRN.

Frikë për çnjohjen e Kosovës

Kosova, po ashtu,  është një nga vendet që i ndjek nga pranë  dukuritë në Malin e Zi.

Për shumë shqiptarë të Kosovës, është interesante që qeveria e re malazeze s’ mund të formohet pa koalicionin ‘Zi në të Bardhë’, i udhëhequr nga Dritan Abazovic, një shqiptar etnik i cili u bë yll rajonal ditëve të fundit dhe gëzon një popullaritet edhe  tek serbët.

Mirëpo më 3 shtator, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kreu i partisë opozitare Vetëvendosje, deklaroi se “hegjemonia serbe ka marrë hov në Malin e Zi”.

Ai shtoi: “Ne s’ jemi aspak optimistë për zgjedhjet në të cilat Beogradi dhe Kisha Ortodokse Serbe ishin të përfshirë aktivisht.”

Tutje, Kurti shtoi: “Ne besojmë se kjo rritje e hegjemonisë serbe duhet ta tërheqë vëmendjen tonë shumë më tepër sesa ajo që do ta bëjë një politikan specifik”, duke iu referuar Abazoviqit.

Analisti kosovar Nexhmedin Spahiu i tha BIRN se Abazoviq do të ketë vetëm një rol afatshkurtër në Malin e Zi.

“Serbia është e interesuar vetëm të ruajë dominimin e Kishës së saj në Malin e Zi. Prania e Abazoviqit e pengon Beogradin dhe me rritjen e fuqisë së tij dhe dobësimin e Gjukanoviqit, Serbia synon ta përjashtojë Abazoviqin nga loja,” shtoi Spahiu.

Frika nga tërheqja e njohjes së Kosovës është gjithashtu evidente, edhe pse koalicioni fitues ka deklaruar se diçka e tillë s’ është pjesë e planeve të tyre.

Analistja Donika Emini thotë se ekziston një përceptim se qeveria e re në Podgoricë do ta rishikojë vendimin për njohjen e Kosovës, të marrë në vitin 2008.

“Kjo vjen pas deklaratave të tyre dhe afërsisë së tyre me Serbinë. Frika se Mali i Zi do ti rishikojë marrëdhëniet e tij [me Kosovën] është e natyrshme,” tha Emini.

“Mund të ketë një skenar tjetër, ku Mali i Zi s’ tërheq njohjen por ndryshon qasjen e tij si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj rajonit,” shtoi Emini.

Spahiu s’ pret një ndryshim plani të shpejtë lidhur me këtë çështje, për sa kohë që koalicioni i ri varet nga votat e partisë së Abazoviqit. “Por ne s’ mund të përjashtojmë mundësinë që në një fazë të mëvonshme, Abazoviq të përjashtohet nga loja politike. Pastaj, [tërheqja e njohjes së Kosovës] edhe mund të ndodhë,” përfundon Spahiu.



Related posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *