Skip to toolbar

Refleksione mbi jetën e një Mjeku

loading...

“Rruga e shumicës është e lehtë, kjo e jona e vështirë”

Myftar Barbullushi

Rruga e “të bërit mjek”, rrugë
malore, me dredha dhe për më tepër jashtëzakonisht e gjatë dhe e
vështirë. Një rrugë që zë fill me jetën studentore, e cila kushtëzohet
nga një studim sistematik prej të paktën 4-5 orësh në ditë, me kushtin
që duhen gjetur disa kocka skeletesh për studim, dhe jo rrallëherë duhet
qëndruar me orë përpara kufomave. Nuk e di se pse, por kjo rrugë
gjithmonë e më shumë më ngjan me rrugën e mundimshme të Sizifit me gurin
e tij.

Nëse do më kërkohej ta bëja përsëri, nuk jam i bindur nëse do të mund
ta gjeja forcën për ta përballuar atë. Vetëm duke e menduar, ndihem i
lodhur. Nëse do më kërkohej të zgjidhja një rrugë tjetër, nuk e di a do
të më mungonte ajo “drogë”, ajo “magji” e veçantë që ofron rruga e të
bërit mjek.  Sa e sa legjenda mbushin atmosferën e jetës studentore mbi diagnoza të vëna si me magji në pak sekonda nga mjekë me emër.

-Përse ju nuk thelloheni në elementet diagnostike e laboratorike, por
nxitoheni në vënien e diagnozës? – i thoshte zv.ministrja e
Shëndetësise doktor Theodhosit.

– Keni të drejtë, – u përgjigj mjeshtri plak, – por unë nuk rri dot
pa folur kur në sytë tuaj shoh që ju vuani nga hepatiti, verdhëza. – Dy
ditë më pas, pasi bëri të gjitha analizat, ajo i kërkoi falje që e
kishte përzënë nga zyra.

“Që ta kuptosh se sa e bukur dhe e vështirë është mjekësia, duhet te merresh me të”, thotë Avicena.

Le të përpiqemi të “udhëtojmë” në jetën plot dritëhije të një mjeku, nga dita e parë e punës, në ditën e parë të pensionit.

Kontakti i parë i mjekut me të sëmurin është si të të zhysin me kokë
në ujë. Ti hyn në një botë të huaj, ku jo rrallë kanë vendosur prindërit
e tu, dhe jo ti vetë, ku përballesh me vështirësi dhe eksperienca të
jashtëzakonshme dhe ku fatkeqësisht rregullat që përcaktojnë reagimet
ndaj këtyre eksperiencave janë të paqarta.

Në 2005-n shkrimtari David Foster Ëallace tregoi historinë e dy
peshqve të rinj që po notonin. Një peshk i vjetër, teksa notonte pranë
tyre, i përshëndet: “Mirëmëngjes, djema. Si është uji?” Ndërsa notonte,
njëri prej peshqve të rinj i thotë tjetrit: “Për çfarë dreq uji flet
ky?”.  

Ishte e tmerrshme, – më thotë një mjeke që sapo kishte
filluar punë, – kur pacienti që ndoqa gjatë gjithë natës vdiq dhe për
më tepër asnjërit nga ju, mjekët më të vjetër, nuk ju bëri përshtypje.
Kjo më bëri të mendoj se mbase nuk duhej të përfshihesha aq shumë
emocionalisht në sëmundjen apo vdekjen e pacientit. Por, kur mbas disa
ditësh, duke parë përjetimin tuaj për humbjen e një pacienti, jo vetëm
që u ndjeva e lehtësuar, por kjo gjë më bëri të mendoj se sjellja ime
kishte qenë normale”.

Kjo histori tregon qartë se sa vulnerabël janë mjekët e rinj ndaj
influencës së sjelljeve që kundërshtojnë sistemin e tyre të besimit. Në
fillim të punës, shumica e tyre do ta perceptonin si të pakonceptueshëm
faktin që ata të mund e mos prekeshin nga emocioni i
një vdekjeje. Gjithsesi, pavarësisht se impakti është i fortë,
ngadalë-ngadale përvoja bëhet diçka natyrale dhe ata së bashku me
punonjësit e tjerë të spitalit zhvillojne një sërë mekanizmash mbrojtëse
apo disa mënyra përshtatjeje. Ata e distancojnë veten nga dhimbja e
sëmundjes apo vdekjes nëpërmjet angazhimit të thellë në sfidat
biomjekësore që kërkon diagnoza dhe trajtimi, si dhe nëpërmjet marrjes
pjesë në grup në një formë humori mjekësor të sofistikuar.  Dhe
vjen një ditë që fillon të ndihesh edhe i imunizuar ndaj fenomeneve të
vuajtjes së përditshme nga e cila rrethohesh. Por gjithsesi, momentet
rastësore na kujtojnë që vazhdojmë të jemi të zhytur në ujë. Sfida është
t’i mbledhim ato në një mënyrë kuptimplotë, të kalojmë kohë me to, të
çlodhemi me to, të lejojmë që diskomfortit që ata sjellin të ambjentohet
brenda nesh. Transformimi i të jashtëzakonshmes  në diçka të rëndomtë, e
ngjashme me mësimin e notit, është pasojë e paevitueshme e jetës së një
mjeku, një mekanizëm mbijetese. Pasioni, puna shkencore dhe ajo
klinike, përvojat pozitive dhe negative, ndarja me mjekët më të vjetër e
refleksioneve  personale dhe e konsideratave në të cilat ata
përfshihen së bashku, i fuqizon ata që jo vetëm të marrin nën kontroll
këtë transformim, por ta përdorin atë në rritjen e kujdesit të të
sëmurit me profesionalizëm, dhembshuri e të përfshirë
emocionalisht.  Duke qenë të kujdesshëm për momentet e komplikuara,
sfiduese dhe  të mrekullueshme që përcaktojnë jetët e mjekëve, sidomos
të atyre që sapo janë zhytur në detin e pafund të profesionit mjek, ne
mund ta ushqejmë këtë vetëdije thelbësore. Mund të fillojmë thjesht duke
i parë ata në sy, më pas duke shikuar përreth nesh: “Ky është uji,
koleg, zhytu! Nëse nuk do të guxoni, ju kurrë nuk do të mësoni të
notoni” .

Kalojnë vitet dhe ti kur kujton se përshtatesh, fillon të kuptosh se
mjekësia ka qenë e do të mbetet një fushe sfidash prej të cilave nuk do
të ndahesh dot kurrë. Shpejt rritet përgjegjësia, përkushtimi, detyrimet
dhe më e vështira: raportet njerëzore. Duhen jo pak përpjekje në
mbajtjen e ekuilibrave sociale. Raporti me të sëmurët, që jo rrallë kanë
humbur shpresën për të jetuar, mbart dhimbje dhe përgjegjësi.
Gjithsesi, sfidat klinike dhe intelektuale janë të bukura dhe në moshë
të re janë sporti më i mirë i mendjes dhe i nxitjes për të ecur përpara.
Për fat, përveçse sfidë, të jesh mjek do të thotë edhe privilegj, pasi
sfida në vetvete ka dhe privilegjin. Në jetën e një mjeku asnjë ditë nuk
i ngjan tjetrës. Progresi i shpejtë i saj është ilaçi më i mirë për të
mbajtur mendjen të freskët dhe aktive. Por jo rrallë intensiteti
emocional kthehet në stres i cili i hap rrugën depresionit.

Kalojnë vitet dhe bashkë me to rritet gjithmonë e më tepër egoja
profesionale, dëshira për të hapur shtigje të reja. Krenaria për të
bërë, për të hapur rrugë të reja, me tharmin e sfidës brenda saj, është
më e fortë se çdo ndjenjë tjetër. Nga ana tjetër, 
pas, konkurrenca brenda llojit, pra specialiteteve, duke tentuar të
frenojë në fakt shtyn përpara më shumë se pavarësia individuale e një
specialisti të vetëm në një rreth të caktuar. Detyrimet për të ruajtur
vendin e punës dhe puna mësimore me studentët përbëjnë një element
tjetër shtysë për të “vrapuar” përpara. Në fakt, një mjek i mirë duhet
të dijë të integrojë kualitetet e tia shkencore, klinike dhe etike, në
mënyrë që të japë më të mirën për të sëmurin e tij. Por që të ketë ç’të
integrojë, do një “mal” me sakrifica e kosto gjatë gjithë jetës së tij.
Dijet e marra nga shkolla mjaftojne vetëm 2 vjet për një mjek të
përgjithshëm dhe vetëm 1 vit për një specialist, pasi zhvillimet e
vrullshme shkencore janë si një tren i shpejtë që, po nuk e kape, ke
mbetur në vend. Pra, mjek i mirë nuk lind, por bëhesh. Bëhesh si çdo gjë
tjetër, përmes punës së madhe. Ky është çmimi që duhet të paguash për
të arritur këtë qëllim apo çdo qëllim tjetër. Gjithsesi, kam përshtypjen
që barra më e madhe që jeta i vë përpara mjekut, është problemi e
etikës, moralit. Nuk është kollaj të jesh njeri i etikës.

Kalojnë vitet dhe herë pas here ti kthen kokën pas e tenton të bësh
ndonjë bilanc, të paktën moral, për zgjedhjen tënde apo të prindërve të
tu. E kam të pamundur të them që ky bilanc më rezulton pozitiv apo
negativ. Pikërisht këtu fillon dilema. Në momente kritike të shëndetit
mjekët kthehen në zota dhe i falemi hyjnisë së tyre, duke u ofruar
trupat dhe shpirtrat tanë, pa ditur kostot që ata paguajnë për këtë
privilegj që u bëjmë. Pikërisht ky pushtet, së bashku me magjinë e
vënies së diagnozës, janë “droga” që në rini të nxit të zgjedhësh këtë
profesion. E prapë se prapë, paradoksalisht, ata janë qeniet më të
brishta njerëzore. Jetëgjatësia e tyre është më e ulëta, së bashku me
njerëzit e ligjit. Shkalla e vetëvrasjes dhe e varësisë ndaj drogës,
ndër ta, është disa herë më e madhe se mesatarja. Orë e orë pranë
librave, të sëmurëve, në klinikë apo spital, natë apo ditë, do të
mjaftonin për t’u kërcënuar integriteti familjar, produkti familjar,
fëmija. Divorcet dhe problemet e edukimit të fëmijëve të tyre janë një
shqetësim e realitet. Pa harruar kontaktin real me gjakun, urinën,
virozat e pse jo tuberkulozin apo SIDA-n. Është kjo arsyeja që jo me
kot, ata konsiderohen me plot të drejtë si “shëruesit e sëmurë”. A e
përligj këtë sakrificë të tyre nëpërmjet një trajtimi të veçantë
shoqëria e sidomos shoqëria shqiptare?

“Pasi mora librezën e pensionit në spitalin ku kisha punuar 40 vjet, –
rrëfen një profesor amerikan, – u nisa të kthehem për në shtëpi. E
çuditshme! Pemët, dyqanet, trotuaret, fasadat e pallateve, kalimtarët më
ofronin aq gjëra të veçanta që unë megjithëse e kisha bërë këtë rrugë
prej 40 vjetësh, i shihja për herë të parë. Siç duket ishte hera e parë
që nuk nxitoja, e para herë që ecja pa shqetësimin e zakonshëm të një
mjeku për natën e kaluar nga i sëmuri në gjendje të rëndë, e para herë
që kisha kohë të merresha me gjëra të tjera, të vogla, por  jo të
parëndësishme në jetë, e para herë që kisha kohe të mendoja se sa shumë
gjëra kisha humbur në sakrificën time për jetët e të tjerëve”.

Nuk e di sepse duke shkruar këto rreshta m’u kujtuan disa profesorë
shqiptarë për meritën në edukimin profesional të shumë gjeneratave dhe
për faktin që kishin vdekur në anonimat të plotë, deri dhe nga qarqet
spitalore. E dhimbshme.  A e përligj këtë sakrificë të tyre nëpërmjet
një trajtimi të veçantë shoqëria e sidomos ajo shqiptare?

Në këtë botë asnjë nuk mund të vërë pikë. Ekziston vetëm pikëpresje.
Nuk mund të kemi iluzione: duhet t’ua lëmë vendin të tjerëve.

loading...