Rrëfimet e dëshmitarëve në gjykimin ndaj policit gjilanas, i akuzuar për kërcënim të dëshmitarit

loading...


Zyrtari policor Fatlum Shabani, ka dalë të martën para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë së Gjilanit për veprën penale të kanosjes.

Ai nga Prokuroria po akuzohet se e ka kanosur të dëmtuarin Fatlum Kastrati, meqenëqë ky i fundit kishte dëshmuar në një çështje tjetër ku i akuzuari Fatlum Shabani ishte duke u gjykuar.

Në seancën e sotme, sikurse në seancën fillestare i akuzuari u deklarua i pafajshëm, pasi tha se s’ e ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

Tutje, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua i dëmtuari Fatlum Kastrati, i cili tha se ka qenë i kanosur nga tani i akuzuari Shabani.

“Në muajin nëntor të vitit të kaluar kam dalur në një kafiteri, dikush nga familja më ka telefonuar dhe unë kam dalur jashtë pasi brenda lokalit kishte shumë zhurmë. Kur kam provuar të futem brenda Fatlum Shabani ma kishte zënë derën. Ai më pyeti se “a po më njef se kush jam”, pasi e njofta më pyeti se a jam Fatlum Kastrati, i thash se po. Pas kësaj më tha a e di se pasi ke dëshmuar kundër meje “e ke shti therrën në këmbë të shëndoshë”, duke vazhduar të më fyej mua dhe familjen Dushica”, tha i dëmtuari Kastrati.

Dëshmitari tjetër Qerim Bytyqi, i cili është hetues në Inspektoratin Policor, tha se i ka intervistuar edhe të akuzuarin, po ashtu edhe të dëmtuarin.

“Kur është intervistuar i dëmtuari kemi vërejtur se i njëjti është frikësuar nga tani i akuzuari Shabani. Fatlum Shabani gjatë intevistës e ka pranuar se kur e ka parë Fatlum Kastratin ka dalur jashtë dhe e ka ndalur atë dhe e ka pyetur se “a je ti ai që ke dëshmuar kundër meje”. I njëjti në asnjë rrethanë s’ e ka pranuar se i ka thënë të dëmtuarit se “kam me iu ngreh zhag”. Ndaj Fatlum Shabanit ne si Inspektorat i kemi pasur edhe dy raste të tjera. Të gjitha palët që i marrë në intervistë fillimisht i pyes se a janë në gjendje të japin deklaratë dhe i njoftoj me të drejtat e tyre pasi këtë e kam obligim ligjor”, tha dëshmitari Bytyqi.

Sipas Prokurorisë, Fatlum Shabani, në muajin nëntor të vitit 2019, në Gjilan e ka kanosur tani të dëmtuarin Fatlum Kastrati, duke e ndalur të dëmtuarin në një kafiteri dhe duke e pyetur se a është ai i cili ka dëshmuar në një rast tjetër ku tani i akuzuari ka qenë duke u gjykuar. Pastaj kur e kishte mësuar se është ai i cili ka dëshmuar kundër tijë, i akuzuari kishte vazhduar ta fyej të dëmtuarin me fjalë si “kam me ju ngreh zhagë edhe ty edhe familjen Dushica”.

Pas propozimit për prova të tjera, seanca e sotme u shty për 24 dhjetor.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast LINK  



Related posts