Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon që të kthehet në rigjykim rasti i Pjetër Ndrecajt

loading...

“Polici e gjyqësi, në burg dhunuesit me i shti”, “17 gra të vrara, edhe sa gra tjera për me ju çel sytë”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Edhe sa herë keni me na vra”, “Njëherë po na vranë burri e pastaj Gjyqësia, Prokuroria e Policia” ishin disa nga thirrjet e aktivisteve të cilat me anë të një aksioni sot ngritën zërin para Prokurorisë Speciale për dënimet e ulëta të shqiptuara për vrasësit e grave në Kosovë.

Erza Kurti në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës kërkoi që të rikthehet në rigjykim rasti ndaj Pjetër Ndrecajt, të cilit para disa ditësh iu ul dënimi nga burgimi i përjetshëm në 24 vjet e gjysmë për vrasjen e bashkëshortes Valbona Ndrecaj dhe vajzës Klara Ndrecaj, në vitin 2018.

Si shenjë revolte u mbajt pesë minuta heshtje për gratë e vrara këtë vit në Kosovë.

Erza Kurti nga RrGK tha se numri i madh i grave të vrara është shifër alarmuese dhe se kanë dalë të mbajnë aksion para Prokurorisë që të kërkojnë ndihmë nga ky institucion i drejtësisë që fajtorët të marrin dënimin meritor.

“Kemi pasë raste që ka ndodhë tentimvrasje dhe janë kualifikuar si vepër dhunë në familje dhe jo ajo s’ është dhunë në familje se tentim-vrasje është një shkallë më lartë”, tha Kurti.

Në fund parullat “Mos i jep zemër dhunuesit”, “Sa herë po doni me na vra”, “Dhuna s’ ka arsyetim”, “Asnjë më” u lanë në rrethojat e Prokurorisë.

Para disa ditësh, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Gëzim Pozhegu e dënoi Pjetër Ndrecajn me 24 vjet e gjysmë burg pasi vendimi i Gjykatës së Apelit për dënim me burgim të përjetshëm ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës. Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.

ndërsa, javën e kaluar  në Skënderaj i dyshuari  F.R  dyshohet se në orët e hershme të mëngjesit  kishte therrur me thikë bashkëshorten  në gjoks, bark, duar dhe këmbë. Sipas Prokurorisë, viktima ishte sulmuar rreth 20 herë.

Aksioni i Rrjetit të Grave të Kosovës para Prokurorisë, Fotografi: Urim Krasniqi, KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com