Rufki Suma takon “afaristin” kontrovers turk, por reagimet e detyrojnë ta largojë komunikatën

loading...


Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, është takuar javë mëparë me turkun e prezantuar si afarist, Sedat Peker, por me gjasë pa u interesuar të dijë paraprakisht për të kaluarën e tij.

Disa fotografi për këtë takim komuna i kishte publikuar edhe në faqen e vet Facebook, pas pak orësh i kishte larguar për shkak të reagimeve të shumta që kishte marrë nga komentuesit.

Takimi është mbajtur në zyrën e kryetarit të Komunës.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se kjo vizitë ishte përcjellë me një siguri të madhe nga truprojat e Sedat Peker.

Në njoftim të Komunës së Hanit të Elezit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se “z.Sedat Peker u njoftua nga Kryetari Suma për angazhimet dhe sfidat me të cilat ballfaqohet komuna në këtë kohë pandemie”.

“Z.Peker me këtë rast dhuroi edhe disa laptopë për nevoja të ndryshme në arsim dhe komunë”, thuhej në njoftim të komunës, njoftim ky i cili tani s’ gjendet në ueb-faqen e komunës së Hanit të Elezit as në faqen e Facebook-ut të komunës.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe imami i xhamisë së Hanit të Elezit, Nusret Shiti.

Peker në Kosovë ka ardhur nga Maqedonia e Veriut.

KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin Rufki Suma lidhur me këtë takim dhe ai ka deklaruar se personin në fjalë s’ e ka njohur më herët, ndërsa kërkesën për vizitë e kishte bërë vetë Peker përmes disa lidhjeve nga Maqedonia e Veriut.

“Kërkesën për vizitë e ka bërë ai përmes disa lidhjeve nga Maqedonia e Veriut, s’ e kam njohur më herët, mendova që është thjeshtë një biznesmen. Për të kaluarën e tij s’ kam pasur njohuri. Në takim s’ është biseduar ndonjë gjë e rëndësishme, ka qenë thjesht një takim vizitë . Vizita të tilla kam çdo muaj, jo vetëm me turq por edhe gjermanë,” ka thënë Suma.

Suma tha se komunikata është larguar nga faqja e Komunës derisa ajo përdoret më shumë për informata, ndërsa prania e imamit të Hanittë Elezit në këtë takim tha se ishte për shkak që ai i njihte disa persona përmes të cilëve biznesmeni turk kishte ardhur në Kosovë.

“Takimi ka gati dy javë që është bërë por zyrtari i Komunës e ka publikuar dje, kërkesa për largim ka qenë pasi fotoja s’ përcillte ndonjë informatë dhe u vërshua me komente negative si sharje e fyerje të ndryshme. Prania e Hoxhës ishte derisa ai i njihte disa persona të Shkupit që kishin ardhur me biznesmenin në komunën tonë,” ka shtuar tutje Suma.

Imami i xhamisë së Hanit të Elezit që kishte qenë i pranishëm në këtë takim, Nusret Shiti, tha për KALLXO.com se s’ e kanë njohur më herët atë person. Ai thotë se vetë ka qenë në takim “thjesht si qytetar”, ndërsa lajmin për vizitën e tij thotë ta ketë marrë një shok nga Shkupi.

“s’ kam çfarë të tregoj më shumë se atë çfarë ka thënë kryetari i Komunës. Sedat Peker s’ e njohim dhe s’ dimë asgjë për aktivitetet e tij. Për vizitën e tij na ka lajmëruar një shok nga Shkupi (Këshilltar komunal). Unë e kam pyetur kryetarin për kohën dhe e ka pritur si shumë njerëz të tjerë që na vizitojnë,” ka thënë Shiti.

Peker i dënuar dy herë në Turqi në akuzat penale përfshirë edhe drejtimin e një organizate kriminale, ka qenë një mbështetës i madh i Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, qëkur u lirua nga burgu në vitin 2014.

Sipas një raporti të agjencisë turke të lajmeve Ahval, Peker qe në qendër të titujve të mediave kur bëri thirrje për “vdekje të dhunshme” të akademikëve turq të cilët kishin nënshkruar një peticion në janar të vitit 2016 ku i bënin thirrje Turqisë për de-eskalim të konfliktit me grupet e armatosura kurdë në juglindje të vendit.

Në shkurt të vitit të kaluar, agjencia turke e lajmeve Anadolu raportonte se një prokuror kishte nisur një hetim ndaj Peker për shkak të një thirrje që ai kishte bërë në një tubim.



Related posts