© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
shtatezania

SA DUHET TË PAUZONI MIDIS DY SHTATZËNIVE?

A ekziston një pauzë midis shtatzënive e cila duhet të respektohet?

Nuk ekziston një pauzë e tillë!

Në familjen tuaj mund të zhvillohen rrethana të reja të cilat ju bëjnë të prisni edhe pak për beben tjetër, ose e kundërta, që të përpiqeni të mbeteni shtatzënë sa më shpejt.

Për shembull, nëse keni më shumë se 35 vjet ose nëse keni pasur probleme me fertilitetin, ju e ndjeni se nuk keni shumë kohë dhe se duhet të mbeteni shtatzënë sa më shpejt që të jetë e mundur. Në anën tjetër nëse jeni në të njëzetat dhe keni lindur binjakë, normalisht se nuk keni pse të nguteni që të keni edhe një bebe.

Sa duhet pauzuar?

Nuk është e vërtetë se ka një “numër magjik” të viteve që duhet pauzuar midis dy shtatzënive.

Ekzistojnë mendime të kundërta për diferencën në moshë midis fëmijëve. Për shembull disa prindër mendojnë se është mirë që fëmijët të jenë të afërt në moshë, sepse luajnë dhe rriten së bashku. Disa prindër të tjerë nuk pajtohen dhe mendojnë se nëse kjo diferencë është e vogël, atëherë fëmijët do të grinden dhe do të jetë e vështirë që t’i ofrohet vëmendje e njëjtë të dyve.

Sa më e vogël që të jetë diferenca midis dy fëmijëve, aq më të vështirë do ta keni. Do të duhet të përpiqeni dhe të mundoheni më shumë në muajt dhe vitet e para. Jeta, për një periudhë, do të jetë shumë e vështirë dhe do ta keni gati të pamundur që të dilni jashtë shtëpisë, që të udhëtoni diku dhe të bëni një gjumë të rehatshëm.

Një gjë pozitive për diferencën e vogël midis fëmijëve është se ata do të rriten së bashku. Mendohet se kjo e ul xhelozinë dhe kompeticionin midis fëmijëve. Kjo ndodh zakonisht kur lind fëmija i dytë shumë vite pas të parit dhe fëmija i rritur fillon ta xhelozojë dhe në njëfarë mënyrë “garon” me beben e sapolindur për të fituar vëmendjen e prindërve.

Një gjë tjetër pozitive është se nënat do t’i kalojnë “vitet e pelenave” dhe pastaj e shijojnë jetën kur fëmijët të jenë të rritur.

Një gjë tjetër pozitive për rastin kur fëmijët janë në moshë të afërt është se do ta keni më të lehtë që t’i plotësoni dëshirat e tyre. Normalisht që ata do të kenë dëshira të njëjta, për shembull për të shkuar në piknik, për të pare filmat e vizatuar, për të parë një ndeshje futbolli etj. Por, nëse mendoni për më gjatë, kjo mund të jetë edhe një gjë e vështirë, sepse ata do të shkojnë njëkohësisht në shkollë, pastaj edhe në fakultet dhe kjo për familjen do të jetë një ngarkesë financiare e përnjëhershme.

Nëse pauza do të jetë më shumë se tri vite, atëherë ju do të duhet të merreni me rritjen e një bebe tjetër kur sa keni filluar “të merrni frymë” nga rritja e fëmijës së parë. Për disa prindër kjo është një përparësi, sepse do të mund t’i përkushtohen më shumë bebes së vogël, ndërkohë që fëmija i parë është rritur dhe shkon në çerdhe ose shkollë. Poashtu, do ta keni më të lehtë që t’i spjegoni fëmijës së parë se çfarë po ndodhë dhe ai ose ajo të përgatitet për një motër ose një vëlla.

Çiftet që kishin pauza të gjata midis fëmijëve pohojnë se “janë kënaqur më shumë” sepse kanë pasur mundësi që të përqëndrohen tek secili fëmijë pa qenë nën presion konstant. Por, disa çifte të cilave iu pëlqen të jenë të lirë tash kur fëmija është rritur, do ta keni të vështirë që t’iu rikthehen “torturave” si zgjimi i shpeshtë gjatë natës, ushqimi me gji etj.

Disa gra e konsiderojnë me rëndësi që përpara se të mbeten sërish shtatzënë, t’i japin kohë trupit të tyre për t’u kthyer në formën e mëhershme. Është më lehtë që të humbni peshë dhe që të mbeteni në formë nëse pauza midis dy fëmijëve është e gjatë. Kur fëmija rritet, mund të shkoni në fitnes dhe të keni peshë të duhur për shtatzëninë e rradhës.

A ka rëndësi në aspektin mjekësor?

Sipas një studimi që u krye në Skotlandë ku u përfshinë të gjitha lindjet e dyta për një periudhë shtatë vjeçare, nëse mbeteni shtatzënë brenda 6 muajve pas përfundimit të shtatzënisë paraprake, rritet rreziku për komplikacione si lindja e parakohshme ose vdekja e bebes menjëherë pas lindjes. Gjasat që të paraqiten këto komplikacione varen nga mosha e nënës dhe a pin duhan apo jo.

Që nga ky studim, janë bërë edhe shumë studime të tjera të cilat konfirmuan se pauza e shkurtër midis dy shtatzënive e rrit rrezikun e komplikacioneve për beben e dytë.

Bebja e cila është ngjizur pas një periudhe më pak se 6 muaj pas lindjes së fëmijës së parë, ishte 61% e rrezikuar për të pasur peshë të ulët në lindje dhe 40% rrezik për lindje të parakohshme. Këto rreziqe ulen vazhdimisht, sa më e gjatë që të jetë pauza midis shtatzënive. Këto rreziqe bëhen të papërfillshme nëse pauza është mbi 18 muaj, por është me rëndësi të thuhet se rreziku rritet sërish nëse pauza është më e gjatë se 59 muaj (rreth 5 vjet).

Cila është këshilla më e mirë?

Shumë çifte nuk e kanë atë luks që të zgjedhin kur do ta kenë beben e dytë. Ato mund të kenë vështirësi për të mbetur shtatzënë ose përkundrazi shtatzëni të paplanifikuar. Prandaj nëse ju mund ta “kurdisni” kohën kur do ta keni beben tjetër, ju duhet ta konsideroni veten me fat./Poliklinika Dr.Memli/ Gazeta Shëndeti

You cannot copy content of this page

Sign In

Register

Reset Password

Please enter your username or email address, you will receive a link to create a new password via email.