Sun. May 22nd, 2022
© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Kuptimi i fjalës

SE

I. pyet.

  • 1. Përdoret gjithnjë i shoqëruar me parafjalë për të pyetur për sende, për mjetin me të cilin bëhet diçka, për shkakun e diçkaje dhe për lëndën nga e cila përbëhet diçka; çfarë. Me se punon? Me se e mori? Me se e shkëmbeu? Me se e krahason? Prej se përbëhet? Nga se u sëmur? Përse u fol në mbledhje? Në se e mbështet këtë? Mbi se qëndron?
  • 2. Përdoret së bashku me pjesëzën «ja» dhe me përemrin «çfarë», «ç», kur dikush fillon të tregojë a të numërojë diçka ose kur përmbyll tregimin a numërimin. Ja se çfarë na tregoi. Ja se ç’më solli. Ja se ç’duhej të bënte. Ja se ç’kisha për të thënë. Ja se ç’njeri është.
  • 3. Përdoret së bashku me pjesëzën «ja» dhe zakonisht edhe me përemrin «çfarë», «ç», ose me ndajfoljet «ku», «nga», «si» për të përforcuar shprehjen e habisë, zemërimit, të mospërfilljes, të përçmimit etj. Ja se çfarë na qenka! Ja se ç’na paska punuar! Ja se ç’të gjeti! Ja se çdo të thotë të jesh i mësuar! Ja se ku na doli! Ja se nga na erdhi! Ja se si e paska rregulluar!

II. lidh.

  • 1. Përdoret për lidhur një fjali kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore ose përcaktore me fjalinë drejtuese; që. Dihet se Toka rrotullohet rreth Diellit. Thuhet se morën pjesë shumë veta. Shihet se janë gati të nisen. I treguan armikut se shqiptari nuk gjunjëzohet. Hetuan se aty afër ndodhej një shpellë. E mori vesh se ku ishin.
  • 2. Përdoret për të lidhur një fjali shkakore me fjalinë drejtuese (me kuptimin «sepse, meqë, ngaqë»). I donte se ishin trima. E dëgjonin me ëndje, se kishte zë të bukur. Punonte shumë, se ishte i ndërgjegjshëm.
  • 3. Përdoret për të lidhur një fjali krahasore ose gjymtyrën e dytë të një krahasimi, kur kemi mbiemra ose ndajfolje në shkallën krahasore; sesa. Ishte më i shpejtë se era. Është më i ëmbël se mjalti. Tomori është më i lartë se Dajti. Prodhuan më shumë vitin e kaluar. Erdhi më parë se ju. Dolën më mirë se parashikohej. Më mirë vonë se kurrë. fj. u. Më mirë të dish se të kesh. fj. u.
  • 4. Përdoret si lidhëz kundërshtore para një fjalie të varur, e cila shpreh një veprim që do të ketë pasoja të padëshiruara, në rast se nuk plotësohet veprimi i shprehur nga fjalia drejtuese; përndryshe, në rast të kundërt. Mos u sill ashtu, se do të pendohesh. Mos dil pa pallto, se do të ftohesh.
  • 5. Përdoret e përsëritur për të lidhur dy gjymtyrë të një fjalie ose dy fjali që i kundërvihen njëra-tjetrës, kur shprehet mëdyshje a pasiguri. Se erdhi, se nuk erdhi, nuk e di. Se unë, se ti, njëri do të niset patjetër. Se ka, se s’ka, ai nuk e prish gjakun.
  • 6. bised. Përdoret me një fjalë të përsëritur në togje që shprehin një gjendje të papëlqyeshme, ose për të theksuar se një veprim kryhet a ndodh pavarësisht nga dëshira a parashikimi; që. Keq se keq, ta përfundojnë në një farë mënyre. Vonë se vonë, le të nisen tani. E tha se e tha. U bë se u bë.
  • 7. Përdoret në përbërjen e një vargu togjesh lidhëzore me kuptim shkaku, kohe, krahasimi, kundërvënieje, lejimi (p.sh. Për arsye se… Nga frika se… Nga shkaku se… Për shkak se… Duke qenë se… Në është se … Në rast se… Në qoftë se… Po qe se… Po të jetë se… Para (përpara) se… Qysh se… Vetëm se … etj.). U përqendrua te kjo çështje, për arsye se ka rëndësi të veçantë. Mjekimi me penicilinë u ndërpre, për shkak se kishte pasoja anësore. Duke qenë se rrethanat u ndërlikuan, hetimi u zgjat më tepër nga ç’parashikohej. Nxitonte nga frika se mos vonohej.

III. pj. 1. Përdoret në fund të një fjalie pyetëse ose habitore për të theksuar ngjyrimin e saj shprehës, emocional ose ironik; pa. Kush e besonte se? Sa mirë se! Sa bukur se! E në ç’kushte se! Sa hije të paska se! Punonin, e ç’të punuar se!

  • 2. Përdoret përpara përemrave pyetës e të pakufishëm dhe ndajfoljeve që shërbejnë për të pyetur në fjali dëftore a thirrmore për t’u dhënë kuptim të papërcaktuar. Se kush e mori. Se kush vajti. Se nga u zhduk! Se çfarë po çuçurinin njëra me tjetrën. Se ç’dreqin pati! Se ç’i ra (ç’i erdhi, ç’i hipi) në kokë!
  • 3. Përdoret në togje me pjesëzat «po» dhe «jo» të përsëritura për të theksuar pohimin a mohimin. Po se po. Jo se jo.
  • Më se… në shkallën më të tejme të asaj që është, plotësisht, krejt, shumë (p.sh. Është më se e vërtetë (e drejtë). Ishte më se i bindur.). Se mos… përdoret për t’i dhënë shprehjes një ngjyrim dyshimi, mospranimi ose përbuzjeje, ironie.
  • Se, Kuptimi i fjalës

Leave a Reply