Një studim i ri Danez ka zbuluar se kur vjen puna tek sëmundjet, gratë diagnostikohen më vonë se burrat.

Të dhënat e studimit  të cilit i referohet AgroWeb.org tregojnë se kur vjen puna tek sëmundja e kancerit, një grua diagnostikohet të paktën 2 vjet e gjysmë më vonë se një  burrë.

Sa i përket diabetit (sëmundja e sheqerit), një grua diagnostikohet 4.5 vjet më vonë se një burrë.

Për të arritur në këtë konkluzion, specialistët analizuan të dhënat e plot 6.9 milionë njerëzve.

Vonesat në diagnostikim i atribuohen shkaqeve të ndryshme ku përfshihen: faktori genetik, mjedisi dhe paragjykimet gjinore në sistemin shëndetësor.

Gjetjet e studimit ishin shumë befasuese për rrethin e shkencëtarëve dhe specialistëve.

Kjo për arsyen mbasi meshkujt zakonisht kanë tendencën të shtyjnë dhe anashkalojnë rëndësinë e një vizite tek mjeku.

Osteoporoza Bën Përjashtim

Studimi tregoi se osteoporoza, ose sëmundja që dobëson kockat, bën përjashtim në trendin e mësipërm të diagnostikimit.


Në rastin e osteoporozës, gratë diagnostikohen përpara se të vuajnë nga një frakturë.

Për meshkujt ndodh e kundërta.

Tek diagnostikimi i sëmundjeve luan një rol edhe përcaktimi i pavullnetshëm dhe paragjykimi gjinor që u bëhet sëmundjeve.

Për shembull, osteoporoza njihet si ‘sëmundje e grave’.

Kjo mund të jetë arsye përse burrat anashkalojnë vizitat për shëndetin e kockave dhe më pas diagnostikohen me sëmundje në një fazë të rëndë të saj.

Sëmundjet e zemrës, njihen si ‘sëmundje për burrat’ e kjo mund të jetë arsyeja përse analizat janë disi të anshme e të orientuara drejt specifikave shëndetësore të një burri.

Ndryshimet gjinore dhe biologjike janë një bazë e fortë që duhen marë në konsideratë gjatë kryerjes së analizave, thonë specialistët.

Nevoja Për Analiza Të Personalizuara Sipas Gjinisë

specialistët danezë nënvizuan se autoritetet shëndetësore duhet të vendosin gjininë si kriter kur kryejnë analiza diagnostikuese.

Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të shpëtohen jetë por do të mundësohet një cilësi më e mirë jetese për gratë dhe burrat.  /AgroWeb.org