Servili vajton shefin – poezi nga Dritëro Agolli


Dritëro Agolli

SERVILI VAJTON SHEFIN

Nga Dritëro AGOLLI

Të mërkurën mbrëma
Lajmin seç ta dhanë,
Të lesh telefonin,
Zyrën në Tiranë.

Të lesh telefonin,
Të shkosh nëpër ara,
Të shikosh në brazda
Mbin apo s’mbin fara.

Dhe të mbathësh çizmet
Përmbi gju të gjata,
Ledh më ledh të bredhësh
Gjer të zbresë nata…

Plaç moj ditë e zezë,
Plaç moj e mërkurë,
Na rrëmbeve Zeqon,
Burrin deli burrë!

Ishe yll i zyrës,
Fjala jote mjaltë,
S’ishe për ugare,
S’ishe për në baltë,

Si do hedhësh vaun,
Kurt ë fryhet lumi
Mbetëm si jetimë,
S’do na zërë gjumi.

Ah, kjo zyrë e shkretë
Si s’pëlcet së qari,
Iku pikë e burrit,
Iku mendimtari!

Iku pikë e burrit,
Iku po kush mbeti?
Ti ke qënë nderi,
Kripa dhe lezeti.

Kush do të jetë nuri,
Nuri i zyrës sonë,
Kush do bëjë teza
Edhe konkluzione?

Kush do mbajë fjalën,
Fjalën me aq peshë,
Fjalën që buçiste
Me njëqind rrebeshë?

Ç’i kish hije gazi
Edhe zemërimi,
Ç’I kish hije balli
Rrudhur nga mendimi!

Si nuk vumë kujen
Lajmin kur ta dhanë:
Të lesh telefonin,
Zyrën ne Tiranë!

Pranë teje ndodhem,
Miku im i vjetër,
Po do jem më shumë
Pranë shefit tjetër!

 

Dritëro AgolliPoezi nga Dritëro Agolli

error: Content is protected !!