Shkup: Mjekët kërkojnë kushte më të mira për të parandaluar ikjen e stafit shëndetësor

Shkup: Mjekët kërkojnë kushte më të mira për të parandaluar ikjen e stafit shëndetësor

Burimi: Radio Evropa e Lirë

loading...

Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit nga dikasteri i shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, kanë bërë të ditur se e nga arka e shtetit për shëndetësinë gjatë vitit 2020 do të ndahen 7.1 miliardë denar që është 634 milionë denarë më shumë krahasuar me vitin 2019 në funksion të ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm financiar, me shërbime cilësore ku të gjithë qytetarëve do t’u mundësohet të kenë qasje në shërbimet shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka theksuar se krahas investimeve në infrastrukturën nga buxheti i shtetit në fokus mbetet përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, si dhe motivimi i mjekëve të ri që të shohin perspektivë në vend duke rritur pagat në vazhdimësi si dhe krijimin e mundësive më të mëdha për specializim.
“Gjatë dy viteve të fundit, rritja e pagave të mjekëve specialistë është bërë për 40 për qind dhe për 20 për qind janë rritur pagat e motrave medicinale. Për 20 për qind janë rritur dhe pagat e mjekëve nga kuadri mësimdhënës dhe për 15 për qind janë rritur pagat e të gjithë bashkëpunëtoreve në sistemin e shëndetësisë”, ka theksuar Filipçe.
Ilir Hasani, mjek, thotë se mjekët e rinjtë nuk e shohin perspektivën e tyre në Maqedoninë e Veriut jo vetëm për shkak të pagave të ulëta, por në masë të madhe dhe për shkak të kushteve të këqija në vendin e punës.
“Parametrat kryesor të cilat duhet të korrigjohen janë shumë të mëdha. Puna e parë është që të përmirësohen kushtet e punës së mjekëve, pra jo vetëm se duhet rritur pagat, por edhe kushtet duhet të jenë më të volitshme. Duhet të përmirësohet dhe procesi i zhvillimit profesional të mjekëve dhe personeli mjekësor duhet të krijohen kushte që të paguhet në bazë të punës që e bën” bën të ditur Hasani.
Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji është takuar me mjekët specializantë me ko-financim privat dhe dikasteri që ai drejton tashmë ka pranuar kërkesat e tyre, pasi siç ka theksuar kuadro të tilla i janë shumë të nevojshme shëndetit publik.
“Duke pasur parasysh faktin se sa shumë na duhen kuadro të tilla të specializantëve të rinj, ne u pajtuam dhe tashmë po bëhet draft-ndryshimi i ligjit për mbrojtje shëndetësore, të cilin për një kohë sa më të shkurtë, do ta dërgojmë në seancë qeveritare dhe pastaj ta kalojë edhe procedurën parlamentare”, ka theksuar Filipçe.
Por, mjekët thonë se kohë nuk ka dhe se dikasteri i Shëndetësisë duhet të fokusohet në krijimin e kushteve për ngritje profesionale sa më parë sepse pjesa me madhe e mjekeve të paprofilizuar janë ata që largohen nga vendi.
“Në përgjithësi ikin ata mjekë që akoma s’janë profilizuar gjatë fazës së zhvillimit të tyre profesional pas kryerjes së Fakultetit të Mjekësisë, mjekët e rinj largohen jashtë shtetit”.